Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Një letër nga khauarixhët

Imam Shems-ud-Din Muhamed bin Ahmed edh-Dhehebi (v. 748)
Sijer A’lam-in-Nubala (4/553-555)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Ali bin el-Medini ka thënë: Na ka treguar Hisham bin Jusuf: Më ka treguar Daud bin Kajsi:

“Kam pasur një shok me emrin Ebu Shamir Dhu Khaulan. U largova nga San’a për të shkuar në fshatin e tij. Kur iu afrova fshatit gjeta një letër të vulosur për Ebu Shamirin. Shkova tek ai dhe pashë se ishte i shqetësuar dhe i mërzitur. E pyeta se çfarë kishte ndodhur, ai u përgjigj:

“Ka ardhur një lajmëtar nga San’a dhe tha se miqtë e mi më kanë shkruar një letër të cilën e ka humbur.”

Unë thashë: “Ja ku është letra”. Ai e lavdëroi Allahun, e hapi dhe e lexoi.

I thashë: “Ma lexo!”

Ai tha: “Mendoj se je shumë i ri në moshë për këtë.”

I thashë: “Çfarë shkruan në të?”

Ai u përgjigj: “Prerja e kokës”.

Thashë: “Është me siguri një grup harurijeh që të kanë shkruar në lidhje me zekatin tënd.”

Ai tha: “Si i njeh ata?”

U përgjigja: “Unë dhe shokët e mi ulemi me Uehb bin Munebih. Ai na thotë:

“O të rinj naiv! Kujdes nga këta haruritë! Mos lejoni që ata të ndikojnë tek ju me mendimet e tyre kundërshtuese. Ata janë njerëzit më të këqij ndaj këtij umeti!” Më dha letrën. Lexova këtë që vijon:

“Paqja qoftë mbi ju!”
Të këshillojmë ta kesh frikë Allahun. Feja e Allahut është arsyeja dhe udhëzimi. Feja e Allahut është bindja ndaj Allahut dhe kundërshtimi i asaj që kundërshton sunnetin e profetit të Tij ﷺ. Kur ta merr letrën tonë, sigurohu që të paguash të drejtën e Allahut të cilën Ai ta ka obliguar. Me këtë do të fitosh mbrojtjen e Allahut dhe mbrojtjen e robërve të Tij të devotshëm dhe besimtarë. Paqe.”

I thashë: “Të ndaloj të rrish me ta!”

Ai tha: “Si ta ndjek mendimin tuaj për dikë që është më i moshuar se ti?”

I thashë: “A dëshiron që të të çoj tek Uehbi që ta dëgjosh?” Ai dëshiroi këtë. Shkuam në San’a dhe e çova tek Uehbi. Tek ai ishte një grup njerëzish. Njëri prej tyre më tha:

“Kush është ky plak?”

I thashë: “Ai ka një punë këtu.” Ata u larguan nga aty.

Uehbi tha: “Çfarë pune ke, o Dhu Khaulan?”

Ai u hutua dhe u frikësua.

Uehbi më tha: “Flit për të”.

Thashë: “Ai është prej atyre që lexojnë Kuran dhe janë të devotshëm dhe vetëm Allahu e di brendësinë e tij. Ai më tregoi se një grup harurije i dërguam një letër duke thënë se zekati i tij nuk pranohet nëse nuk ia jep atyre. Ata thonë se zekati bie në duar të gabuara dhe prandaj duhet t’u jepet atyre. Mendoj se fjalët e tua, o Ebu Abdilah, janë më të dobishme sesa të miat.

Ai tha: “O Dhu Khaulan! A dëshiron që tani të bëhesh haruri dhe të akuzosh njerëzit që janë më të mirë me devijim? Çfarë do t’i thuash Allahut nesër kur do të qëndrosh para Tij?

Ai kundër të cilit ke dëshmuar, Allahu ka dëshmuar se ai është besimtarë. Ndërsa ti ke dëshmuar se ai është kafir. Allahu dëshmon se ai është i udhëzuar, ndërsa ti dëshmon se ai është i devijuar. Ku do të përfundosh nëse mendimi dhe dëshmia jote bien ndesh me urdhrin e Allahut dhe dëshminë e Tij? Më trego, o Dhu Khaulan, çfarë të thonë ata.”

Filloi të flasë dhe i tha Uehbit:

“Më urdhërojnë që t’ua jap zekatin vetëm atyre që mendojnë si ata dhe të mos kërkoj falje për askënd përveç tyre”.

Uehbi tha: “Ke thënë të vërtetën. Kjo është sprova e tyre e rremë. Për sa i përket zekatit, më kanë treguar se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë se një grua nga Jemeni hyri në xhehenem për shkak të një maceje që ajo e kishte lidhur. A është më e dashur tek Allahu që t’i jepet ushqim një personi që adhuron vetëm Allahun dhe nuk adhuron askënd karshi Tij apo që t’i jepet ushqim një maceje?

Allahu -te ala- ka thënë:

“Ata i ushqejnë të varfrit, jetimët dhe të zënët robër edhe pse vetë janë nevojtarë.” El-Insan, 76:8

Sa i përket asaj se duhet kërkuar falje vetëm për ta, pyes se a janë ata më të mirë se engjëjt.

Allahu -te ala- ka thënë:

“Qiejt gati sa nuk çahen nga sipër (prej madhështisë së Allahut), ndërkohë që engjëjt lavdërojnë e falënderojnë Zotin e tyre dhe kërkojnë falje për ata që janë në Tokë.” Esh-Shura, 42:5

Betohem në Allahun se engjëjt nuk kërkojnë falje derisa të urdhërohen për këtë:

“Ata nuk flasin derisa të ketë folur Ai dhe veprojnë me urdhrin e Tij.” El-Enbija, 21:27

“Ata (engjëj), që e mbajnë fronin dhe ata që janë rreth tij, e madhërojnë Zotin e tyre me falënderim dhe i besojnë Atij. Ata lypin falje për besimtarët, duke thënë: “O Zoti ynë, Ti përfshin çdo gjë me mëshirën dhe dijeninë Tënde, prandaj fali ata që janë penduar e që ndjekin rrugën Tënde dhe ruaji ata prej dënimit të zjarrit flakërues!” Gafir, 40:7

O Dhu Khaulan, kam jetuar në fillim të Islamit. Betohem në Allahun se khauarixhët nuk kanë pasur kurrë një grup, vetëm se Allahu i ka përçarë ata sipas gjendjes së tyre të keqe. Asnjëri prej tyre nuk është deklaruar, vetëm se Allahu ia ka prerë kokën. Umeti nuk është bashkuar kurrë rreth një burri nga khauarixhët.

Nëse Allahu do të kishte lejuar që ideologjia e khauarixhëve të zinte vend, bota do të shkatërrohej, rrugët nuk do të ishin të sigurta dhe haxhi në shtëpinë e shenjtë të Allahut do të kishte pushuar. Islami do të kthehej sikurse në kohën pagane dhe njerëzit do t’i kërkonin ndihmë majave të maleve siç vepronin në kohën pagane.

Më shumë se dhjetë ose njëzet burra do shfaqeshin dhe secili do të kërkonte të bëhej kalife. Secili prej tyre do të kishte më shumë se 10,000 burra me vete dhe ata do të luftonin me njëri-tjetrin dhe do të kishin bërë tekfir njëri-tjetrin. Do të kishte shkuar aq larg sa që besimtari do të frikësohej për veten, fenë, familjen dhe pasurin e tij, nuk do ta dinte se ku të shkonte dhe cilit grup t’i përkiste.

Allahu -te ala- ka thënë:

“Sikur Allahu të mos i ndihmonte njerëzit e mirë kundër të këqijve, bota do të ishte shkatërruar.” El-Bekare, 2:251

“Sigurisht, Ne do t’i ndihmojmë të dërguarit Tanë dhe besimtarët, si në jetën e kësaj bote, ashtu edhe në ditën kur do të sillen dëshmitarët.” Gafir, 40:51

Po të kishin qenë besimtarë do të ishin përkrahur.

Allahu -te ala- ka thënë:

“Dhe se ushtritë tona do të jenë me siguri fitimtare!” Es-Saffat, 37:173

O Dhu Khaulan, a nuk mund të sillesh me muslimanët sikurse Nuhu trajtojë idhujtarët kur ata i thanë atij:

“Vallë, a të të besojmë ne ty, ndërkohë që ty po të pasojnë më të ulëtit?” Esh-Shuara, 26:111?

Dhu Khaulani tha: “Çfarë më urdhëron?”

Uehbi tha: “Jepja zekatin kujtdo që Allahu I ka dhënë pushtet në këtë umet. Fuqia i takon vetëm Allahut; është në dorën e Tij dhe ia jep kujt të dojë. Kur t’ia jep zekatin prijësit, ke liruar veten tënde. Nëse të mbetet diçka prej tij, lejohet t’ua japësh të afërmve, skllevërve, fqinjëve dhe mysafirëve tuaj).”

Ai tha: “Dëshmoj se kam braktisur mendimin e khauarixhëve”.

Shpërndaje: