Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Burimi: Sharh Usul il-Iman 61-63
Përgatiti: www.perlatmuslimane.com
Personi i cili i përmbahet besimit islam do të arrijë shumë objektiva, duke përfshirë edhe:
E para: Pastrimi i nijetit dhe sinqeriteti në adhurim ndaj Allahut; -sepse Ai është Krijuesi i Vetëm dhe i pa shoq. Prandaj është obligim që qëllimi i adhurimeve dhe vetë vepra të jenë vetëm e vetëm për Allahun.
E dyta: Pastrimi i mendjes dhe i mendimeve nga hutimet e mundshme të cilat shpien njeriun drejt lënies anash besimin e sinqertë. Sepse ai që i largohet këtij besimi, ose e ka zemrën bosh nga të gjitha llojet e besimeve dhe është adhurues i materies, ose është i mashtruar pas besimeve të kota dhe besëtytnive të ndryshme.
E treta: Qetësia shpirtërore dhe mentale. Nuk ndjen shqetësime shpirtërore dhe as çrregullime mendore. Sepse ky besim krijon lidhje direkte ndërmjet robit dhe Krijuesit të tij. Me këtë gjë ai e arrin kënaqësinë e Zotit të tij, i cili është Mbikqyrës, Gjykatës dhe Ligjvënës. Andaj zemra i qetësohet me dëshirën e Tij, bëhet plotësisht i kënaqur ndaj islamit dhe nuk dëshiron asgjë tjetër përtej kësaj!
E katërta: Nijeti i mirë dhe marrja e hapave të duhur kundrejt devijimit në adhurim apo trajtimit jo të duhur ndaj krijesave! Sepse prej bazave të besimit ndaj të Dërguarve në përgjithësi duke ja shtuar edhe të kapurit për Sunnetin e tyre, është nijeti i mirë dhe vepra në përputhshmëri me të.
E pesta: Serioziteti dhe qëndrueshmëria në marrjen e vendimeve. Duke bërë që çdoherë kur ti vijë mundësia për të punuar ndonjë vepër të mirë e punon e që me të kërkon shpërblimin e Allahut. Gjithashtu, çdoherë kur e rastis mundësia për mëkat, ai e braktis atë duke u frikësuar nga dënimi i Allahut. Kjo, sepse prej bazave të besimit, është besimi në ringjallje dhe shpërblimi për veprat e bëra! Allahu i Lartësuar ka thënë:
“Për secilin ka shkallë (që di t’i arrijë) sipas asaj që ka vepruar. Zoti yt nuk është i pakujdesshëm ndaj asaj që veprojnë.” (El-En am:132).
Profeti (sal Allahu alejhi ue selem) ka nxitur në këtë duke thënë:
”Besimtari i fortë është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu sesa besimtari i dobët, por në të dy ka mirësi. Përqendrohu në atë që të bën dobi dhe kërko ndihmën e Allahut, dhe mos u dorëzo. Nëse të ndodh diç e pakëndshme, mos thuaj: po ta kisha bërë atë do të ndodhte kështu; por në vend të kësaj thuaj: “Ky është caktimi i Allahut, dhe u bë ajo që Ai do”. Sepse fjala “nëse” i hap derën djallit.”
E gjashta: Formësimi i umetit islam që të bëhet i fortë, ashtu që të flijojnë çdo gjë të shtrenjtë e të lirë vetëm e vetëm që të jenë në fe ashtu siç duhet që nga themelet, pa e marrë parasysh se çfarë i godet në realizimin e këtij objektivi. Në lidhje me këtë thotë Allahu i Lartësuar:
”Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata që besojnë Allahun, të Dërguarin e Tij dhe pastaj nuk dyshojnë, por për hirë të Allahut luftojnë në rrugën e Tij me pasurinë dhe jetën e tyre. Të tillët janë besimtarë të sinqertë.” (Huxhurat:15).
E shtata: Arritja e lumturisë së kësaj bote dhe të botës tjetër, bëhet përmes përmirësimit individual dhe shoqërorë, me ndershmëri e duke i merituar ato. Në lidhje me këtë, Allahu i Lartësuar thotë:
”Kushdo që bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, duke qenë besimtar, Ne (në këtë botë) do t’i japim atij jetë të mirë dhe (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre.” (En-Nehl:97).
Këto janë disa nga objektivat e besimit Islam, për të cilat e lusim Allahun që t’i jetësojmë ne dhe të gjithë muslimanët.