Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Obligimet e abdesit dhe mënyra e marrjes abdes

Imam Muveffekud-Din bin Kudameh El-Makdisi
El-Mugnij (1/38-44)
Përktheu: Valdet Gashi www.perlatmuslimane.com

Obligimet e abdesit janë gjashtë:

1 – Pastrimi i fytyrës dhe këtu përfshihet goja dhe hunda.

2 – Pastrimi i duarve.

3 – Fërkimi (mes’hi) i kokës.

4 – Larja e këmbëve.

5 – Radhitja e pastrimit të gjymtyrëve sipas udhëzimit të Allahut -te ala-.

6 – Pjesa e më parme nuk duhet të thahet derisa të lahet pjesa vijuese e trupit (nuk duhet të ketë ndërprerje të pastrimit gjatë abdesit), e cila është një prej mendimeve të Ahmedit.

Qëllimi (nijeti) është kusht që të arrihet pastrimi. Do të thotë të kesh për qëllim të braktisësh gjendjen e ndyrë ose që të arrish gjendjen e pastër që lejon lloje të ndryshme të adhurimeve.

A braktiset papastërtia nëse ke për qëllim marrjen e abdesit nafile (vullnetar) ose një abdest përtërirës? Këtu Ahmedi ka dy mendime.

A është e mjaftueshme nëse synon një abdes nafile për një qëllim të detyrueshëm? Këtu Hanbelitë kanë dy mendime.

Nëse disa papastërti të cilat obligojnë abdesin apo guslin mblidhen tek një person dhe ai ka për qëllim vetëm të pastrohet vetëm nga njëra papastërti. A përfshin kjo gjithashtu të gjitha papastërtitë e tjera? Këtu Hanbelitë kanë dy mendime.

Është e detyrueshme që të kesh bërë qëllimin para veprimit të parë të detyrueshëm të abdesit. Nga ana tjetër është e pëlqyer që të bësh qëllimin për veprat nafile të abdesit.

Qëllimin duhet ta kesh gjatë gjithë pastrimit. Por nëse qëllimi mungon gjatë kryerjes, pastrimi është ende i saktë.

Abdesi bëhet në mënyrën e mëposhtme:

1 – Së pari bëhet qëllimi (me zemër e jo me gojë).

2 – Pastaj thua ‘bismilah’ dhe i pastron duart tre herë.

3 – Pastaj shpërlanë gojën dhe hundën tre herë. Kjo mund të bëhet me një, tre apo gjashtë grushte ujë. Kjo është e obligueshme gjatë pastërtive të vogla dhe të mëdha. Imam Ahmedi gjithashtu ka një mendim që thotë se vetëm pastrimi i hundës është i detyrueshëm. Ai gjithashtu ka një mendim të tretë që thotë se kjo është e detyrueshme gjatë papastërtisë së madhe (guslit) ndryshe nga ajo e vogla.

4 – Pastaj e pastron fytyrën tre herë. Gjatësisht e pastron atë nga vija e flokëve deri te pjesa poshtë nofullave dhe mjekrës, së bashku me vetë mjekrën. Gjerësisht e pastron atë nga njëri vesh deri te tjetri. Nëse fytyra ka rritje të rrallë të qimeve në mënyrë që të duket lëkura, është obligim të lahet lëkura. Por nëse lëkura mbulohet nga qimet, mjafton që të lahen vetëm qimet. Rekomandohet të kalohet me gishta të lagur përmes mjekrës.

5 – Pastaj i pastron duart deri në bërryla duke përfshirë edhe bërrylat tre herë. Bërrylat pra përfshihen në pastrim.

6 – Pastaj fshihet koka (i jepet mes’h) me të dy duart, koka fshihet nga vija e flokëve deri tek qafa. Pastaj kthehet prapa deri tek vija e flokëve. Fshirja e tërë kokës është e detyrueshme duke përfshirë edhe veshët. Ahmedi gjithashtu ka një mendim që thotë se është e mjaftueshme nëse fshihet shumica e saj. Ahmedi gjithashtu ka një mendim që thotë se kjo është e rekomanduar.

7 – Pastaj i pastron këmbët deri në nyje tre herë. Nyjat pra përfshihen në pastrim. Gjithashtu, duhet fërkuar në mes të gishtave.

8 – Nëse personi është i gjymtuar, ai e pastron atë çka ka mbetur nga pjesa e trupit që është e detyrueshme për ta pastruar. Nëse nuk i ka mbetur asgjë, atëherë lirohet nga pastrimi i asaj pjese.

9 – Pas kësaj e ngritë shikimin drejt qiellit dhe thua:

“Eshhedu en la ilahe ilAllah, uahedu la sherike leh, ue eshhedu enne Muhameden abduhu ve resulu”.”

Lejohet t’i ndihmosh personit që të thajë pjesët e trupit. Megjithatë, kjo nuk është e rekomanduar.

Shpërndaje: