Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
Fetaua Islamijeh, 3/213-124
Përktheu: Valdet Gashi www.perlatmuslimane.com
Pyetje: Disa vëllezër — Allahu i udhëzoftë — janë të përkushtuar në fe por nuk sillen mirë me gratë e tyre. Ata e kalojnë pjesën më të madhe të kohës me punë dhe mësime, ndërsa gruaja mbetet për orë të tëra vetëm ose me fëmijët në shtëpi. Cili është mendimi juaj në lidhje me shfrytëzimin e kohës për mësime dhe punë në llogari të gruas?
Përgjigje: Nuk ka dyshim se është obligim për bashkëshortët që të sillen mirë me bashkëshortet e tyre sepse Allahu -azze ue xhel- thotë:
“Jetoni e silluni mirë me to!” En-Nisa, 4:19
Dhe në një ajet tjetër thotë:
“Gratë kanë aq të drejta sa kanë edhe detyra sipas arsyes së shëndoshë, ndonëse burrat kanë një gradë mbi ato. Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.” El-Bekare, 2:228
Kur profeti ﷺ e kuptoi se Abdullah ibn Amr ibn al-As e kalonte shumicën e natës në namaz dhe shumicën e ditëve në agjërim, i tha:
“Agjëro, ha dhe fli! Agjëro tre ditë në muaj sepse çdo e vepër shpërblehet sa dhjetëfishi i saj. Agjëro, ha dhe fli! Agjëro tri ditë në çdo muaj, sepse çdo vepër shpërblehet dhjetëfish. Ti ke obligime ndaj vetes tënde, ndaj gruas tënde dhe ndaj mysafirit. Prandaj jepja secilit të drejtën e vet.”
Ky hadith është autentik, megjithatë kemi edhe hadithe të shumta të cilat japin të njëjtin mesazh. Është detyrë për burrin që të sillet mirë me gruan e tij, të jetë i butë, i afërt dhe t’i kushtojë asaj kohë sipas mundësisë.
Nëse burri mund të ndihmojë edhe në punët e shtëpisë, kjo ndikon pozitivisht në forcimin e lidhjes bashkëshortore dhe në krijimin e një atmosfere të mirë brenda familjes.
Është e ligjësuar që burri të ndajë kohë të veçantë për gruan e tij, ku të tregojë dashuri, afërsi dhe kujdes ndaj saj, sidomos kur ajo kalon shumicën e kohës vetëm me fëmijët në shtëpi.
I dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Më i miri prej jush është ai që sillet më së miri me familjen e tij, dhe unë jam ai që sillem më së miri me familjen time.”
Transmeton Darimi (2/2260), Tirmidhi (3895) dhe Ibn Hibani (9/4177). Tirmidhi ka thënë se hadithi është i saktë, po ashtu thotë edhe imam Albani në Es-Sahihah (285) dhe (1174).
Kurse në një hadith tjetër i dërguari ﷺ thotë:
“Besimtarët me besim më të plotë janë ata që kanë moralin më të lartë dhe më i miri prej jush është ai që sillet më së miri me gratë e tij.”
Transmeton Tirmidhi (1162) dhe Ahmedi (2/250 dhe 2/472), formulimi është Tirmidhiut cili tha se hadithi është i mirë dhe i vërtetë.”
Ndërsa gruaja e ka obligim ta ndihmojë burrin e saj në mësime dhe në punët e tij, si dhe të jetë e durueshme ndaj mangësive të paqëllimshme që mund të ndodhin prej tij, në mënyrë që të realizohet bashkëpunimi dhe harmonia mes tyre duke jetësuar kështu fjalët e Allahut:
“Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe dhe armiqësi!” El-Maide, 5:2
Dhe porosinë e përgjithshme të profetit ﷺ i cili ka thënë:
“Allahu është në ndihmë të robit përderisa robi i ndihmon vëllait të vet.”