Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Disa parime në lidhje me hytben e xhumasë

Imam Jahja bin Sharaf En-Neueui (v. 677)
Sherh Sahih Muslim (3/130)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

861. Ubejdullah bin Umer El-Kauariri dhe Ebu Kamil El-Xhahdari na treguan nga Khalidi. Ebu Kamil ka thënë: Khalid bin El-Harith tregoi se Ubejdullah bin Nafi na ka treguar nga Ibn Umarah, i cili ka thënë: 

“I dërguari i Allahut ﷺ e mbante hytben e xhumasë duke qëndruar në këmbë, pastaj ulej dhe më pas ngrihej përsëri, ashtu siç veprohet edhe sot.”

Ky transmetim është argument për imam Shafeiun dhe shumicën e dijetarëve të medhhebit Shafei, të cilët e konsiderojnë kusht që ai që mban hytben të qëndrojë në këmbë, nëse ka mundësi. Dy hytbet duhet të mbahen duke qëndruar në këmbë dhe nuk konsiderohen të vlefshme derisa të bëhet një ulje mes tyre. Prandaj namazi i xhumasë nuk është i vlefshëm pa dy hytbet.

El-Kadhi ka thënë: “Shumica e dijetarëve të medhhebit Shafei konsiderojnë se dy hytbet janë kusht për vlefshmërinë e namazit të xhumasë.”

Ndërkohë, Hasan El-Basri, Dhahirijtë dhe një transmetim tjetër nga Ibnul-Mexhishun nga Maliku thonë se namazi i xhumasë është i vlefshëm edhe pa hytbe.

Ibn Abdul-Berri transmeton se ka një konsensus që hytbeja duhet të mbahet duke qëndruar në këmbë, nëse kjo është e mundur.

Ebu Hanife ka thënë: “Është e vlefshme që hytbeja të mbahet edhe duke qenë ulur. Nuk është e detyrueshme që të mbahet në këmbë.” 

Maliku ka thënë: “Është e detyrueshme dhe ai që nuk e vepron kështu ka vepruar gabim. Megjithatë, namazi i xhumasë mbetet i vlefshëm.”

Ebu Hanife, Maliku dhe shumica e dijetarëve kanë thënë: “Është sunnet të ulesh mes dy hytbeve, prandaj nuk është as e detyrueshme dhe as kusht.” 

Ndërsa Esh-Shafei e konsideron të detyrueshme dhe kusht për vlefshmërinë e hytbes.

Et-Tahaui ka thënë: “Askush, përveç esh-Shafi’iut, nuk e ka thënë këtë.”

Argumenti i esh-Shafi’iut është se ky veprim është konfirmuar nga i dërguari i Allahut ﷺ dhe se ai gjithashtu ka thën

“Faluni ashtu siç më keni parë duke u falur.”

Shpërndaje: