Shejkh Khalid ibn Abdurr-Rrahman el-Misri
Burimi: Kaseta nr 32, Sherh Sahih el-Bukhari
Dhe transmetohet prej Hasen el-Basrit se ai ka thënë:
”Nuk frikësohet (prej rënies në nifak) vetëm se besimtari dhe nuk ndihet i sigurt (prej rënies në nifak) vetëm se munafiku.”
Dhe transmetohet prej Hasenit dhe ai është Hasen el-Basri, prej imamëve të njohur, i besueshëm (thikah), asket dhe i përkushtuar në adhurim ndaj Allahut, por ka qenë prej transmetuesve mudelisinëve, Allahu e faltë. Haseni (Allahu e mëshiroftë) thotë:
”Nuk sigurohet prej rënies në nifak vetëm se munafiku dhe nuk frikësohet prej rënies në nifak vetëm se besimtari.”
Këtë ether të tij e transmetoi imam Xhafer el-Firjabi në librin e tij “Cilësitë e munafikut” ku përmendi zinxhirët dhe rrugët e shumta të transmetimit të këtij etheri.
Haseni thotë:
“Nuk frikësohet (prej rënies në nifak) veçse besimtari”
sepse në origjinë, parimi bazë tek besimtari është frika ndaj Allahut dhe se besimtari nuk duhet të ndihet i sigurt nga ndëshkimi i Allahut siç ka ardhur në hadithin e saktë se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
”Vërtet zemrat e robërve të Allahut janë midis dy gishtave prej gishtave të Mëshiruesit.”
Pra zemrat e robërve të Allahut janë midis dy gishtave prej gishtave të Mëshiruesit.
Dhe Allahu (xhele ue ala) i ka thënë të dërguarit të Tij:
وَلَقَدْ أُوحِيَ إِلَيْكَ وَإِلَى الَّذِينَ مِنْ قَبْلِكَ لَئِنْ أَشْرَكْتَ لَيَحْبَطَنَّ عَمَلُكَ وَلَتَكُونَنَّ مِنَ الْخَاسِرِينَ
“Pasha Allahun, të është shpallur ty edhe atyre para teje: “Nëse i bën ortak Allahut, veprat e tua janë të asgjësuara dhe ti do të jesh prej të humburve.” Ez-Zumer: 65
Dhe është transmetuar në mënyrë të saktë se i dërguari i Allahut ﷺ lutej duke thënë:
“O Allah, Ti je Mbrojtësi i fesë Islame dhe i pasuesve të saj, më bëj të jetoj në Islam derisa të të takoj.”
Imam Bukhari (Allahu mëshiroftë) ka thënë:
Dhe (munafiku) nuk frikësohet duke mos treguar kujdes ndaj rënies në nifak dhe vazhdimësisë në gjynahe si dhe duke mos u penduar, kjo në bazë të fjalës së Allahut (te ala) (për ata që janë penduar):
وَلَمْ يُصِرُّوا عَلَى مَا فَعَلُوا وَهُمْ يَعْلَمُونَ
“Dhe nuk vazhdojnë në kryerjen e veprave të këqija që kanë bërë.” Al-Imran: 135
Pastaj Bukhari (Allahu mëshiroftë) sqaroi për këmbënguljen dhe vazhdimësinë nifak, por siç ka përmendur Ibn Haxheri, në bazë të shumicës së transmetimeve të nxënësave të Bukharit, ka ardhur me tekst -الإِصْرَا عَلَى التَّقَاتُل- duke patur për qëllim këmbënguljen në vrasje, ndërsa një pjesë e nxënësave të Bukharit e transmetuan me tekst-këmbëngulja drejt nifakut, por transmetimi më i saktë është ai që i referohet këmbënguljes në vrasje pasi dhe hadithi që vjen më pas, ka të bëjë me vrasjen dhe se ky gjynah mund ta çojë vrasësin deri në kufër.
Pra thotë: Dhe nuk frikësohet por është këmbëngulës në vrasje dhe vazhdimisht në gjynahe si dhe nuk pendohet, kjo në bazë të fjalës së Allahut te ala (për ata që janë penduar):
وَلَمْ يُصِرُّوا عَلَى مَا فَعَلُوا وَهُمْ يَعْلَمُونَ
“Dhe nuk vazhdojnë në kryerjen e veprave të këqija që kanë bërë.” Al-Imran: 135
Dhe kuptimi i fjalës -الإِصْرَارِ- siç kanë thënë një grup prej imamëve të tefsirit, është që njeriu të vdesë duke patur gjynahe por duke mos u penduar për to dhe megjithëse e përsërit gjynahun, prapë nuk pendohet nga gjynahu.
Imam Bukhari (Allahu mëshiroftë) tha: na ka transmetuar Muhammed ibnu Arara: na ka transmetuar Shubeh nga Zubejdi i cili tha: e pyeta Ebu Uailin për Murxhiat dhe tha: më ka transmetuar Abdullah (ibn Mesudi) se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Sharja e muslimanit është fusuk (gjynah), ndërsa vrasja e tij është kufër.”
Ky zinxhir transmetimi përbëhet nga transmetues që gjenden tek të dy imamët (Bukhari dhe Muslimi). Të tërë transmetuesit e këtij isnadi janë të besueshëm, ndërsa për Muhammed ibn Arara, për të kanë folur për sa i përket hifdhit të tij (pra për memorien e tij) dhe ai konsiderohet saduk (gradë më poshtë se thikah), ndërsa Ebu Uail është Shekik ibn Seleme dhe është prej nxënësve të Abdullah ibn Mesudit (radijAllahu anhu).
(Zubejdi) thotë: E pyeta Ebu Uailin për Murxhiat, që do të thotë se çështja rreth irxhasë ishte shfaqur herët, pasi Ebu Uail, Shekik (ibn Seleme) është nxënës i Abdullah ibn Mesudit, pra është tebiin dhe kur u pyet nga Zubejdi, tregon që irxhaja ishte shfaqur në kohën e tebiinëve. Dhe kam përmendur se parimet e Murxhiave janë 5 dhe mbajini mend këto:
1-Besimi (imani) as nuk shtohet dhe as nuk pakësohet.
2-Nuk lejohet istithnaja në iman.
3-Imani nuk mund të përfytyrohet që të ketë pjesë përbërëse dhe grada të ndryshme, përkundrazi është një gjë e vetme.
4-Kufri nuk mund të ndodh vetëm se nëpërmjet kufrit me zemër (sipas tyre, jo me fjalë apo me vepra).
5-Dhe nuk lejohet të thuash: ”Unë jam besimtar in shaa Allah”… deri në fund siç i kemi sqaruar më përpara parimet e irxhasë.
Këto parime të Murxhiave u shfaqën në kohën e tebiinëve.
Pra kur u pyet Ebu Uail nga Zubejdi në lidhje me Murxhiat, Ebu Uail i refuzoi Murxhiat duke u argumentuar me hadithin të cilin ia kishte transmetuar Abdullah ibn Mesudi (radijAllahu anhu) nga i dërguari i Allahut ﷺ që ka thënë:
”Sharja e muslimanit është fusuk (gjynah), ndërsa vrasja e tij është kufër.”
Këtu ka dobi e cila është që patjetër duhet të pyetet për pasuesit e bidateve (për t’u ruajtur prej tyre), pra duhet të pyetet për grupet e devijuara dhe për personat në mesin e tyre në veçanti, p.sh. duhet të pyetet për këtë grup, apo për filanin etj. Ishin imamët e xherhit dhe tadilit që flisnin kundër grupacioneve, qoftë kjo e folur në mënyrë të përgjithshme apo në mënyrë specifike kundër personave të devijuar. Kanë folur kundër Kerabisit ndërkohë që ai ka qenë prej fukahave. Dhe kanë folur kundër Talk ibn Habib i cili në adhurim, ka qenë prej njerëzve më të përkushtuar dhe kanë paralajmëruar për uljen me të, ndërkohë që ai ka qenë prej njerëzve me adhurimin më të shumtë dhe njëkohësisht ai ka qenë prej atyre që ka dhënë këshilla për devotshmërinë dhe frikën ndaj Allahut, ka lënë porosi të mrekullueshme për kuptimet që përmbledh imani dhe frika ndaj Allahut, por megjithëkëtë, ai ka qenë prej njerëzve të bidatit. Po ashtu imamët e xherhit dhe tadilit kanë folur kundër atyre që i atriboheshin metodologjisë së Khauarixhëve, harurijes, kanë folur kundër atyre që i atriboheshin bidatit të Kaderive. D.m.th. selefët kanë paralajmëruar kundër njerëzve të bidatit qoftë si grupacion, qoftë ndaj personave të bidatit në veçanti. Por nëse njerëzit e dijes nuk do të flasin kundër njerëzve të bidatit as në mënyrë të përgjithshme dhe as kundër personave të veçantë, atëherë feja e njerëzve do të dobësohet.
Për këtë arsye, njerëzit e bidatit iu kundërvihen dhe i etiketojnë imamët e xherhit dhe tadilit duke iu atribuar atyre gjëra që nuk i kanë dhe i akuzojnë ata se nuk e kanë devotshmërinë e duhur. Dhe me këtë tregojnë injorancën e tyre siç i ka thënë një burrë imam Ahmedit:
“O Ebi Abdilah, ti thua që filani është gënjeshtar e kështu, e kështu, a nuk është kjo përgojim?
Imam Ahmedi i tha: ”Hesht pasi kjo është fe dhe i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Sa njeri i keq prej popullit të tij është ky person.”
Pra kur shfaqen grupet e devijuara dhe të humbura, apo persona të veçantë të devijuar, të cilat kanë libra, që pasohen dhe ndiqen dhe kihet frikë se mos njerëzit devijojnë për shkak të tyre, atëherë është obligim për dijetarët dhe nxënësat e dijes të gjykojnë me të vërtetën dhe të mos i kushtojnë rëndësi askujt, qoftë atyre që zemërohen, qoftë atyre që kënaqen porse duhet që mbi njerëzit të zbatohen parimet.
Dhe kur imam Ahmedi tha për një burrë që ka këtë dhe atë prej (devijimit) dhe imam Ahmedi ishte i ashpër kundër tij dhe tha që është gënjeshtar, një burrë i tha:
”O Ebi Abdilah, ai është kushëriri im?
Imam Ahmedi ia ktheu: ”Edhe sikur të jetë, kjo është fe.”
Ebu Uail e bëri të pavlefshëm medhhebin e Murxhiave duke u argumentuar me fjalën e të dërguarit të Allahut ﷺ që ka thënë:
”Sharja e muslimanit është fusuk (gjynah), ndërsa vrasja e tij është kufër.”
Si u argumentua nga ky hadith duke i bërë të pavlefshme parimet e irxhasë?
Fjala e tij: ”Sharja e muslimanit është fusuk (gjynah)”,
por dhe Murxhiat thonë gjithashtu që sharja e muslimanit është fusuk (gjynah), porse Murxhiat nuk nxjerrin nga kjo përfundimin e kërkuar.
Allahu (xhele ue ala) thotë:
وَلَٰكِنَّ اللَّهَ حَبَّبَ إِلَيْكُمُ الْإِيمَانَ وَزَيَّنَهُ فِي قُلُوبِكُمْ وَكَرَّهَ إِلَيْكُمُ الْكُفْرَ وَالْفُسُوقَ وَالْعِصْيَانَ ۚ أُولَٰئِكَ هُمُ الرَّاشِدُونَ
“Por Allahu juve ua bëri të dashur imanin (besimin) dhe ua zbukuroi atë në zemrat tuaja, ndërsa bëri që t’i urreni mosbesimin, fiskun dhe gjynahun. Të tillët janë ata të udhëzuarit.” Huxhurat: 7
Pra në ajet, Allahu vendosi përballë imanit ato që e kundërshtojnë imanin, pra kufri, fisku dhe gjynahu janë prej atyre që bien ndesh me imanin. Sa herë që dikush bën fisk (gjynah), domosdoshmërisht nga kjo vjen si pasojë pakësimi i imanit të tij në varësi të gjynahut që ka bërë.
Pastaj në fjalën e tij
“ndërsa vrasja e tij është kufër”,
këtu ka refuzim për Murxhiat të cilët thonë se muslimani nuk bën kufër vetëm se me zemër dhe se sipas tyre, muslimani nuk bën kufër me ndonjë prej veprave pasi tek Murxhiat imani është thjesht vetëm pohim (tasdiku tek Murxhiat-pohim dhe vërtetim i shpalljes) dhe përderisa ky pohim në zemrën e dikujt ekziston, kjo mjafton për ekzistencën e imanit tek ata. Kjo pasi ata e konsiderojnë imanin thjesht pohim (të shpalljes) edhe pse ky pohim është dhe për veprat që kërkon imani. Sipas tyre, përderisa te një person ekziston pohimi (i shpalljes), kjo mjafton për ekzistencën e imanit tek ky person dhe kjo është injorancë. Pohimi (dhe mospërgënjeshtrimi i lajmit) gjendet dhe tek Iblisi.
Allahu (azze ue xhel) thotë duke na lajmëruar për të:
قَالَ فَبِعِزَّتِكَ لَأُغْوِيَنَّهُمْ أَجْمَعِينَ
“Iblisi tha: “Pasha fuqinë Tënde, kam për t’i shmangur prej rrugës së drejtë që të gjithë ata.” Sad: 82
Pra u betua në fuqinë e Allahut, d.m.th. Iblisi në këtë rast është pohues apo përgënjeshtrues?!
Po ashtu, kur Allahu (azze ue xhel) e urdhëroi që ai të bënte sexhde:
وَإِذْ قُلْنَا لِلْمَلَائِكَةِ اسْجُدُوا لِآدَمَ فَسَجَدُوا إِلَّا إِبْلِيسَ أَبَىٰ وَاسْتَكْبَرَ وَكَانَ مِنَ الْكَافِرِينَ
“E kur u thamë engjëjve: bini në sexhde Ademit, ata menjëherë ranë në sexhde për të, me përjashtim të Iblisit. Ai refuzoi, u bë mendjemadh dhe u bë prej kufarëve.” El-Bekare: 34
Pastaj Iblisi i tha Allahut (xhele ue ala):
قَالَ أَرَأَيْتَكَ هَٰذَا الَّذِي كَرَّمْتَ عَلَيَّ لَئِنْ أَخَّرْتَنِ إِلَىٰ يَوْمِ الْقِيَامَةِ
“A e sheh këtë që Ti e vlerësove mbi mua, nëse më le të jetojë deri në ditën e kijametit.” El-Isra: 62
D.m.th. Iblisi në këtë rast e beson dhe e pohon ditën e kijametit, e beson që Allahu e ka krijuar, d.m.th. pohimi (tasdiku) ekziston tek ai, pra nuk e përgënjeshtron Allahun (si Zot dhe që e ka krijuar), atëherë ku qëndron kufri i tij?
Kufri i tij është si pasojë e mendjemadhësisë (kibrit) aq sa u bë mendjemadh kundrejt urdhrit të Allahut dhe për këtë arsye Allahu na lajmëroi që arsyeja e kufrit të Iblisit ishte mendjemadhësia kur thotë:
إِلَّا إِبْلِيسَ أَبَىٰ وَاسْتَكْبَرَ وَكَانَ مِنَ الْكَافِرِينَ
“…me përjashtim të Iblisit. Ai refuzoi, u bë mendjemadh…”
dhe pastaj çfarë vjen më pas?
U bë prej kufarëve pasi refuzoi dhe u bë mendjemadh. Pra ai që refuzon urdhrin e Allahut nga mendjemadhësia, bën kufër edhe pse në pamjen e jashtme shfaqet i nënshtruar (shfaq Islamin) apo edhe pse në brendësinë e tij, ai pohon të vërtetën.
Ja një shembull: Një personi i themi falu dhe ai thotë se unë e di që namazi është obligim por si ta vë unë ballin në tokë, si ta ul veten time kështu? Ky është kafir, jo sepse ai ka braktisur faljen e namazit, por se ai refuzoi me mendjemadhësi urdhrin e Allahut.
Pra Murxhiat nuk besojnë që dikush mund të bëjë kufër për shkak të veprave, në mënyrë absolute, dhe as për shkak të ndonjë gjynahu, vetëm nëse personi bie në ato që janë anulues të pohimit (të tasdikut-nëse mohon vërtetësinë e shpalljes). Pra kufri tek Murxhiat ndodh vetëm nëse shfaqet përgënjeshtrimi, ndërsa Ehlu Sunneh nuk e kufizojnë kufrin vetëm tek kjo, përkundrazi nëse përgënjeshtron lajmin që vjen nga Allahu dhe i dërguari i tij, kështu ai bën kufër, nëse refuzon me mendjemadhësi, dhe ky bën kufër dhe gjëra të ngjashme si këto të cilat i kemi sqaruar në shpjegimin e Akides Tahauijeh dhe se kufri nuk ndodh vetëm për shkak të përgënjeshtrimit por dhe për arsye të tjera.
Prandaj prej kuptimit të Shekikut, është se ai u argumentua me pjesën në hadith:
”Sharja e muslimanit është fusuk (gjynah)”,
d.m.th. ai që shan një musliman konsiderohet fasik dhe nuk bashkohet tek një person, të qenit njëkohësisht dhe fasik dhe besimtar vetëm se me kusht.
“ndërsa vrasja e tij është kufër”,
pra sqaroi se prej veprave, ka prej atyre që janë kufër pavarësisht nëse bëhet fjalë për kufrin e madh apo për kufrin e vogël.
Nëse me pjesën në hadith:
“ndërsa vrasja e tij është kufër”,
ka për qëllim se kufri në këtë rast, është kufër i madh, atëherë kjo e kundërshton fjalën e Murxhiave duke qënë se ata nuk besojnë se ka vepra që për shkak të tyre personi mund të bjerë në kufër ndërkohë që ka vepra të cilat mjaftojnë për të bërë tekfir mbi personin që i kryen ato si p.sh. ai që e hedh Mus’hafin në një vend të ndotur dhe kur i thuhet:
”Po ky është libri i Allahut!!”
Dhe ai përgjigjet: ”E di që është libri i Allahut.”
Ose dikush që vret një profetë ose të dërguar dhe thotë:
”Unë po e vras atë por e besoj atë si të tillë”.
Për këtë kategori personash thotë shejkhul Islam Ibn Tejmijeh në librin e tij “Kitab-ul-Iman se:
”Kush e hedh Mus’hafin në një vend të ndotur ose vret një të dërguar dhe në të njëjtën kohë ky person pretendon se e madhëron Kuranin, se e beson Kuranin, dhe se e madhëron këtë dërguar ndërkohë që është duke e vrarë me dorën e tij, kjo nuk mund të imagjinohet të ndodhë tek një person vetëm se tek Murxhiat për shkak të parimeve të tyre (të devijuara).”
Për këtë arsye, fjala e tij:
“ndërsa vrasja e tij është kufër”,
sqarimi i kësaj se kur konsiderohet kufër i madh vrasja e muslimanit dhe kur konsiderohet kufër i vogël, e kemi përmendur në hadithin:
”Kur dy muslimanë luftojnë me njëri-tjetrin me shpatat e tyre, dhe vrasësi dhe i vrari janë në zjarr.”