Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Pasimi i udhëzimit të profetëve të Allahut

Shejkh Abdurr-Rrazak bin Abdul-Muhsin el-Bedr 

Burimi: Ligjërata “Mësime nga vdekja e njeriut më të mirë”

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Pyetje: “Pasimi i udhëzimit të profetëve dhe të dërguarve të Allahut, a është gjithëpërfshirës, apo ka ndonjë specifikim? Si për shembull, bërja sexhde respekti i Jusufit (alejhis-selam) ndaj prindërve të tij?”

Përgjigje: “I dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:

“Ne profetët, jemi bij të një babai; feja jonë është e njëjtë, ndërsa nënat tona janë të ndryshme.”

Me pjesën e hadithit: “…nënat tona janë të ndryshme”, nënkuptojmë dallueshmërinë në legjislacione. Legjislacioni i profetit tonë (salAllahu alejhi ue selem) është i bazuar në dy çështje madhështore, siç edhe përshkruhen në hadithin:

“Unë jam dërguar me natyrshmëri të pastër dhe lehtësime.”

“…natyrshmëri të pastër…” – ka të bëj me çështje të akidesë (besimit), ndërsa “…lehtësime” – ka të bëj me çështje të veprimeve dhe adhurimeve.

Të gjithë profetët e Allahut, në çështje të Njësimit të Allahut (Teuhidit) dhe thirrjes në adhurimin ndaj Allahut kanë qenë në të njëjtin drejtim. Ndërsa, dallimi ndërmjet tyre, ka të bëj vetëm në çështje të gjykimeve.

Profeti ynë (salAllahu alejhi ue selem), transmetohet se, në shumë hadithe i jep rëndësi të madhe ruajtjes të njësimit të Allahut, dhe gjithashtu, i jep rëndësi të madhe mos-rënies në shirk. E gjithë kjo, duke u mbështetur në pjesën e parë të hadithit “Unë jam dërguar me natyrshmëri të pastër…”

Ndërsa, ajo që e përmendi pyetësi në lidhje me sexhden e tillë e cila ka qenë e ligjësuar në legjislacionet para nesh, ndërsa në legjislacionin tonë është e ndaluar; gjithashtu, në lidhje me pasimin e udhëzimit të profetëve në formë të përgjithshme apo ka specifika, themi se, thotë Allahu:

أُولَئِكَ الَّذِينَ هَدَى اللَّهُ فَبِهُدَاهُمُ اقْتَدِه

“Këta janë ata, të cilët Allahu i ka udhëzuar në rrugën e drejtë, andaj edhe ti (o Muhamed) ndiq rrugën e tyre.” 1

Andaj, ne i pasojmë ata në çdo gjë, përveç nëse në legjislacionin tonë është anuluar diçka nga veprimet e tyre të mëhershme. Në legjislacionet e tyre, ka qenë e lejuar sexhdeja në emër të respektit, por neve na është ndaluar, siç e gjejmë në hadithin:

“Sikur të urdhëroja dikë t’i bëjë sexhde dikujt (përveç Allahut), do të urdhëroja gruan t’i bëjë sexhde burrit të saj.” 

Transmeton Tabarani, hadithi është i saktë sipas imam Albanit në ”es-Sahihah (3366)”. 

Qëllimi i sexhdes në këtë hadith, është sexhdeja e respektit dhe jo sexhde e adhurimit. Që do të thotë se, “Sikur të urdhëroja dikë që t’i bënte sexhde dikujt tjetër prej krijesave me sexhde të respektit, do të urdhëroja gruan që t’i bënte sexhde burrit të saj.” – dhe kjo për shkak të vendit meritor të burrit. Por, këtë gjë e ndaloi Allahu (‘Azze ue Xhel) në mënyrë që të mbyll derën e së keqes, dhe që të mbrojë sa më mirë Njëshmërinë e Allahut në zemrat e njerëzve.”


1 En-Aam 6:90

Shpërndaje: