Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Pasuesit e hadithit janë Grupi  i Shpëtuar

Imam Muhammed Nasirudin el-Albani (v. 1420)

Burimi: Kaseta nr 1, Fetvatë nga qyteti i Xhides

www.perlatmuslimane.com

Pyetësi: Mirë, o Shejkh, ai i cili e kupton hadithin:

“Në atë që unë jam dhe shokët e mi.’’

dhe thotë që kjo i referohet “Grupit të Ndihmuar’’ në mes të këtyre xhemateve që gjenden sot, pra e kupton këtë hadith sikurse e kanë shpjeguar disa prej imamëve të hadithit të cilët kanë thënë: ’’Nëse nuk janë pasuesit e hadithit Grupi i Ndihmuar, atëherë nuk e di se kush tjetër përveç tyre mund të jenë?’’ dhe prej atyre që e kanë thënë këtë janë imam Ahmedi, imam Bukhari, Ali ibnul Medini, dhe pastaj thotë që: “këta janë pasuesit e hadithit dhe padyshim që kjo i referohet selefinjve dhe ai i cili është jashtë këtij menhexhi, atëherë nuk përfshihet në kuptimin e këtij hadithi’’, cili është mendimi juaj, i nderuar shejkh?

Përgjigje: Ne e besojmë këtë me bindje të plotë, pasi ai i cili bën thirrje (daue), duhet patjetër që thirrja që ai bën të jetë me argument. Në realitet, çdo xhemat që ne shohim sot dhe që përpiqet për “Rizgjimin Islamik’’, qoftë xhemat prej atyre të masave të përgjithshme, qoftë ky xhemat i veçantë dhe xhemati i masave përfshin të gjithë muslimanët të cilët më përpara kanë qenë neglizhentë dhe të cilët i përfshiu fitneja dhe e keqja, qoftë kjo e keqe e veçantë apo e përgjithshme dhe kështu që patjetër muslimanët duhet t’i riktheheshin dinit (fesë) dhe shumë prej tyre iu rikthyen fesë por me kuptimin e përgjithshëm që kanë njerëzit për fjalën fe, ndërsa ajo që është e rëndësishme për ne është kuptimi i veçantë (i vërtetë) i kësaj fjale dhe që ky kuptim gjendet tek hadithi që thamë më sipër:

“Në atë që jam unë dhe shokët e mi.”

Ky kuptim i veçantë u bën dobi besimtarëve dhe që me këtë kuptim të fesë, do t’u largohet ky poshtërim që u ka rënë atyre dhe që është përhapur tek ata. Dhe kur filloi të përhapej ky “Rizgjim Islamik’’ me këtë kuptim të fesë tani së afërmi filluam të dëgjojmë fjalët: ”Kuran dhe Sunnet” nga ata prej të cilëve nuk i kishim dëgjuar më përpara të thonin fjalë të tilla pasi nga ata kishim dëgjuar fjalët “Islam dhe Din’’ me kuptimin e përgjithshëm të masave të gjera (të muslimanëve). Ndërsa fjalët të rikthehemi tek “Kurani dhe Sunneti”, mund të themi se kemi filluar t’i dëgjojmë tani në kohën tonë, d.m.th. kur disa prej xhemateve që nuk e pasonin Islamin si fe dhe që merreshin me politikë e kështu me radhë,,, filluan duke thënë: ”Ne pasojmë Kuranin dhe Sunnetin”, por nëse shikon në punët (ibadetet) e tyre, fjalët e tyre, madje dhe në besimin (akiden) e tyre do të shikosh që ata janë njerëzit më së largu nga Kurani dhe Sunneti për shkak se ata nuk kanë dituri rreth Kuranit dhe Sunnetit me përjashtim të asaj që dinë sikurse dhe masat e thjeshta. Ama që të ketë tek ata dituri të hollësishme apo që ata të mos kenë kundërshtimet (që i bëhen fesë) të cilat i kemi trashëguar gjatë këtyre brezave për një kohë të gjatë, apo të dinë më të saktën prej mendimeve apo prej këtyre kundërshtimeve, nëse e shikon çështjen me vërtetësi kjo (dituri) në realitet nuk besojmë se gjendet në mesin e asnjë prej këtyre xhemateve me përjashtim të atij që i përket pasuesve të hadithit ose pasuesve të selefëve dhe për këtë arsye (thuhet si proverb arab): ’’Ai i cili nuk posedon diçka nuk mund të ta japë atë’’.

Nëse xhematet e sotme që pretendojnë se janë pasues të Kuranit dhe Sunnetit, atëherë përse të gjithë muslimanët kuptojnë që ajo që kihet për qëllim me: ”sipas Kuranit dhe Sunnetit’’ është Islami (i përgjithshëm) dhe kjo gjë nuk mund t’i shpëtojë nga vëmendja asnjë prej thirrësve pavarësisht nëse ai është prej atyre që janë larg apo afër me menhexhin sipas Kuranit dhe Sunnetit. Nëse ata që bëjnë daue dhe që ajo në çfarë ata thërrasin, është pasimi i Kuranit dhe Sunnetit, atëherë duhet t’u themi atyre këtë që përmendëm më sipër dhe e dyta:

“Sillni argumentin tuaj (për atë që thoni) nëse jeni të sinqertë.” (El-Bekare: 111).

Ne jemi në kufijtë e asaj që kemi mësuar dhe që na kanë treguar këto xhemate që gjenden sot në sipërfaqen e tokës se ata që përpiqen ta pasojnë Kuranin dhe Sunnetin janë veç se ata të cilëve ose u përkatësohet emri Ehlul Hadith ose siç quhen ndryshe në disa vende të tjera me emrin Ensaru Sunneh (ndihmuesit e sunnetit) ose ata që quhen Selefijunë në disa vende të tjera apo Ehlul Hadith në disa vende të tjera e kështu me radhë. Ndërsa për sa i përket grupeve të tjera të cilat nuk pushojnë së thëni me gjuhët e tyre dhe që argumentojnë se janë pasues te Kuranit dhe Sunnetit në çdo aspekt të jetës së tyre, qoftë në raportin individual apo dhe atë shoqëror, qoftë në raportin intelektual dhe atë politik apo dhe në gjëra të tjera të ngjashme si këto, ne nuk gjejmë tek këta të cilët vazhdimisht thonë se përpiqen të pasojnë Kuranin dhe Sunnetin vetëm se fjalën e tyre: ”sipas Kuranit dhe Sunnetit”! Ne (u themi atyre) se ne jemi me ju se duhet pasuar Kurani dhe Sunneti, por ku i keni ju argumentet që pasoni Kuranin dhe Sunnetin?! Dhe ata nuk janë në gjendje të përgjigjen! Tani afër, na është bërë e qartë dhe kemi një shembull të këtij lloji fatkeqësisht që njëri që quhet (Muhammed) Gazali në Egjipt dhe ai pretendon se e pason Kuranin dhe Sunnetin dhe ai nuk thotë që unë nuk e pasoj Kuranin dhe Sunnetin pasi nëse do thoshte kështu, çështja e tij do të zbulohej dhe do të demaskohej, por ai thotë: ”Unë e pasoj Kuranin dhe Sunnetin” por çfarë nënkupton ai me: ”Unë pasoj Kuranin dhe Sunnetin”? Nëse ka diçka prej Sunnetit, në fakt është ajo që është e saktë sipas kuptimit të tij mbështetur në mendimin e tij dhe logjikën e tij individuale dhe jo sipas kuptimit të dijetarëve të hadithit të cilët e përkushtuan jetën e tyre përgjatë shekujve me radhë për të dalluar hadithin e saktë nga ai i dobët. Ky person (Gazali) dhe për fat të keq dhe shumë të tjerë si puna e tij, nuk i vlerësojnë gjithë këto përpjekje të mëdha dhe nuk u japin peshë këtyre përpjekjeve. Dhe zgjedhin nga hadithet, atë hadith që u përshtatet dëshirave të tyre, logjikës së tyre dhe arsyetimit të tyre dhe nëse përputhet hadithi me të gjitha këto ai është i saktë sipas tyre, ndërsa nëse hadithi bie ndesh me këto ata e konsiderojnë të dobët edhe pse hadithin mund ta kenë transmetuar Bukhari, Muslimi apo të gjithë imamët e hadithit kanë rënë dakord në pranimin e këtij hadithi. Kjo kategori e këtyre njerëzve si shembulli në fjalë (i Gazalit) nuk thotë: ’’Unë nuk e pasoj Kuranin dhe Sunnetin’’ por në realitet ai është larg pasimit të Kuranit dhe Sunnetit pasi Sunneti tek ai është ajo që përputhet me dëshirat (apo epshin) e tij. E njëjta gjë vlen dhe për shpjegimin (tefsirin) e Kuranit pasi ai e shpjegon Kuranin në përputhje me dëshirat e tij me dallimin se tek ai nuk bën të thuhet se kjo nga Kurani nuk është e saktë (nuk mund ta mohojë ajetin) por thotë që ky kuptim i Kuranit nuk është i saktë dhe pse këtë kuptim (jo të saktë sipas tij), na e kanë transmetuar sahabët dhe selefët. Ndërsa për sa i përket hadithit, ajo që e shtyn atë të jetë më i guximshëm në refuzimin e hadithit është fakti siç veprojnë shumë prej këtyre thirrësave që polemizojnë duke thënë që ky hadith është ehad (me një zinxhir transmetimi) dhe (sipas tyre) me këtë kategori të haditheve nuk mund të argumentohesh apo të bazohesh për çështjet e akides dhe kështu me këtë arsyetim e refuzojnë dhe e braktisin këtë hadith të saktë për saktësinë e të cilit nuk ka asgjë problematike te dijetarët e hadithit.

Pra nuk mjafton që ai që bën daue, qoftë ky grup i caktuar prej njerëzve apo xhemat i caktuar, të mjaftohet me thënien: ”Ne pasojmë Kuranin dhe Sunnetin” pasi ne u themi atyre: ”Ne duam të shikojmë prej jush punët tuaja dhe jo fjalët’’:

“Sillni argumentin tuaj (për atë që thoni) nëse jeni të sinqertë.” (El-Bekare: 111)

Dhe ne e dimë që ekzistojnë p.sh. xhemat i caktuar i cili i përkatësohet një individi të caktuar apo ndonjë grupacion politik dhe kështu me radhë të cilët nuk i japin rëndësi fare mësimit të Sunnetit, madje thonë në mënyrë të qartë se ky mësim i Sunnetit e përçan ummetin, e përçan xhematin dhe se studimi dhe kërkimi p.sh. për këtë hadith nëse është i saktë apo jo i saktë, apo ky është Sunni, apo kjo është bidat, këto janë çështje që kanë kaluar më përpara. Pra disa prej tyre thonë dhe gjëra të tilla si: ’’Kjo nuk është thelbësore, por prej degëzimeve të fesë.” Dhe nuk ka as më të voglin dyshim se ajo që vërteton dhe që është tregues për të qenë prej Grupit të Shpëtuar është ajo që përmendëm më përpara në hadithin e saktë dhe ajo me të vërtetë është: të qenit i përpiktë dhe i zellshëm në kuptimin e Kuranit dhe Sunnetit në çdo aspekt të jetës duke e zbatuar praktikisht atë sipas mundësive dhe ky grup është Grupi i Shpëtuar. Dhe prej shenjave të këtij grupi është se këta nuk i bëjnë partishmëri ndonjë grupi të caktuar, as ndonjë të pari që i urdhëron në ato gjëra që ai dëshiron dhe i ndalon nga ato gjëra që ai dëshiron, porse këta të gjithë kthehen tek fjala e Allahut (tebareke ue teala):

“Nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, atëherë parashtrojeni atë tek Allahu (te Libri i Tij) dhe tek i dërguari, po qe se i besoni Allahut dhe ditës së fundit. Kjo është më e dobishmja dhe përfundimi më i mirë.’’ (En-Nisa: 59).

Pra Grupi i Shpëtuar janë grupi i Ehlul Hadithit dhe Sunnetit dhe nuk është Ehlu-Sunneti dhe Xhemati siç thonë sot, emër që e përdorin qëllimisht për të futur në mënyrë të fshehtë në grupin e Ehlus-Sunnetit dhe Xhematit, grupin e Esharive,Maturidive dhe në fund padyshim Ehlul Hadithi (grupi në hak) dhe që këta patjetër duhet të përmendeshin të parët (në grupin e Ehlus-Sunneh uel-Xhema’ah). Ndërsa grupi i Esharive dhe Maturidive nuk e pasojnë Kuranin dhe Sunnetin sipas kuptimit të selefëve, pasi ata janë prej njerëzve të ehlul-kelamit (retorikës filozofike) të cilët u detyruan të thonë një fjalë hak por me të cilën synonin të kotën. Kjo fjalë e tyre është: ”Dituria (dhe rruga) e selefëve është më e sigurta, ndërsa dituria (dhe rruga) e khalefëve (të mëvonshmëve) është më e urtë dhe më e ditur.” Pra i cilësuan selefët me injorancë, ndërsa khalefët i cilësuan me dituri ndërkohë që në realitet është e kundërta për të gjitha ato arsye që kemi përmendur më përpara dhe për shkak të shumë teksteve Sheriatike.

’’Pasuesit e hadithit janë pasuesit e profetit ﷺ që megjithëse nuk e shoqëruan atë fizikisht(me trupat e tyre), por shpirtërisht me qenien e tyre, ata ishin me të’’. E lusim Allahun të na bëjë nga pasuesit e hadithit, njohës të Librit të Allahut, njohës të saktë të Sunnetit të të dërguarit të Allahut dhe të punuarit në këtë rrugë sipas menhexhit të sahabëve të të dërguarit të Allahut ﷺ.

Shpërndaje: