Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Përçarja e Selefive ndikon në davetin negativisht

Alameh Rabi bin Hadi el-Medkhali

Burimi: https://www.sahab.net/forums/index.php?app=forums&module=forums&controller=topic&id=165559

Data e fetvas: 19/4-1439 ose 6/1-2018

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Kam mësuar se ka një mosmarrëveshje midis Selefive në Algjeri. E kjo nuk pritej nga ta, sepse daveti Selefi ishte i fortë kur ata ishin të mbledhur dhe të bashkuar rreth Kuranit dhe Sunnetit. Kam mësuar se këto mosmarrëveshje kanë ndikuar dhe kanë prishur imazhin e davetit Selefi shumë. I këshilloj Selefitë që të jenë vëllezër dhe miq për hir të Allahut, ti përmbahen Kuranit dhe Sunnetit në përputhje me metodologjinë e Selefëve dhe të respektojnë dijetarët pavarësisht nëse ata vijnë nga Algjeria apo ndonjë vend tjetër. Të pranosh vetëm dijetarët e një vendi dhe të refuzosh të gjithë të tjerët, është racizëm, sektarizëm dhe nacionalizëm.

Prandaj ata duhet të kenë frikë Allahut dhe ti jepin fund dukurive të tilla. Ata duhet të respektojnë metodologjinë e Selefëve, vëllezërit e tyre dhe dijetarët pavarësisht nga cili vend vijnë, qoftë edhe nga Kina e largët, përderisa ata flasin të vërtetën dhe bazohen në Kuran, në Sunnet dhe në metodologjinë e Selefëve.

Unë po e përsëris këshillën time për ta që të ndalen nga ndarjet dhe që të bëjnë çdo gjë që çon në përçarje. Një sjellje e tillë çon vetëm në dështim.

Allahu (Te ala) ka thënë:

وَأَطِيعُواْ اللّهَ وَرَسُولَهُ وَلاَ تَنَازَعُواْ فَتَفْشَلُواْ وَتَذْهَبَ رِيحُكُمْ وَاصْبِرُواْ إِنَّ اللّهَ مَعَ الصَّابِرِينَ

“Dhe binduni Allahut e të dërguarit të Tij, e mos u përçani mes vete, e të dobësoheni e ta humbni fuqinë. Jeni të durueshëm se Allahu është me të durueshmit.”1

Ata duhet të thërrasin në miqësi dhe të jenë të butë dhe miqësorë, sepse Allahu është i butë dhe Ai e do butësinë.

I dërguari (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:

“Jini të butë! Me të vërtetë nuk vendoset butësia në diçka vetëm se ajo e zbukuron atë, dhe nuk hiqet ajo nga diçka, përveç se e shëmton atë.”

As kundër armikut nuk i sjell dobi ashpërsia dhe dhuna davetit Selefi:

ادْعُ إِلِى سَبِيلِ رَبِّكَ بِالْحِكْمَةِ وَالْمَوْعِظَةِ الْحَسَنَةِ وَجَادِلْهُم بِالَّتِي هِيَ أَحْسَنُ

”Thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira.”2

Kjo vlen për armiqtë. Atëherë çfarë vlen për Selefitë? Është shumë e rrezikshme që të sillesh me Selefitë me ashpërsi dhe t’i fyesh ata brutalisht. Një sjellje e tillë është në kundërshtim me metodologjinë Selefite.

Pra, ata duhet ta kenë frikë Allahun në lidhje me davetin, të jenë të bashkuar dhe të jenë vëllezër dhe të jenë si një trup i vetëm. Dhe kushdo që gabon duhet të këshillohet me urtësi dhe mënyrë të mirë.

Allahu i udhëzoftë të gjithë dhe i bashkoftë zemrat e tyre.


1 8:46

2 16:125

Shpërndaje: