Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Përdorimi i lapsit të syve, pudrës, makijazhit dhe parfumit gjatë agjërimit

Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan

Burimi: el-Munteka (3/129)
 Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Pyetje: Cili është gjykimi i përdorimit të lapsit të syve, parfumit, pudrës dhe kozmetikës për agjëruesen?

Përgjigje: Duhet ditur se përdorimi i lapsit të syve, pikat për sy dhe çdo gjë që vihet në sy e rrjedh në fyt ndikon në agjërim. Shumë dijetarë thonë se është e ndaluar për agjëruesen që të përdorë laps të syve apo ndonjë gjë tjetër për sy, siç janë pikat. Syri është një hapje dhe nëpërmjet saj gjërat e lëngëta depërtojnë poshtë në fyt ndërsa njeriu nuk është në gjendje të bëjë asgjë.

Ndërsa lejohet përdorimi i pudrës, kozmetikës për fytyrë dhe parfumeve të lëngshme dhe gjërave të tjera që njerëzit përdorin për të pasur aromë të këndshme. Megjithatë, duhet të dihet se është e ndaluar për femrën që të parfumohet dhe të zbukurohet kur ajo të dalë jashtë shtëpisë.

Allahu (te ala) ka thënë:  

“Dhe mos ekspozoni bukurinë tuaj si dikur në kohën e injorancës.” (33:33)

Pos kësaj është e ndaluar për femrën që të parfumohet edhe atëherë kur ajo të dalë jashtë për të shkuar në xhami. Në këtë rast ajo është urdhëruar që t’i shmanget zbukurimit dhe përdorimit të aromave të ndryshme.

Profeti ﷺ ka thënë:

“Mos i ndaloni robëreshat e Allahut prej xhamive të Allahut edhe pse shtëpitë janë më të mira për to, dhe të mos dalin të zbukuruara.”

Pra pa u zbukuruar dhe pa përdorur parfum. Zbukurimi dhe parfumi tërheqin shikimet e njerëzve dhe shkaktojnë fitne. Disa gra muslimane janë bërë shkak i fitneve duke tërhequr vëmendjen e meshkujve për shkak të zbukurimeve që përdorin kur ato dalin jashtë shtëpisë.

Shpërndaje: