Imam Shejkh Falah bin Ismail
Data e fetvas: 7/8-2010 në Stockholm/Suedi
Përktheu: Valdat Gashi
www.perlatmuslimane.com
Një dëgjuese pyet: “Çfarë është këshilla juaj për atë që shqetësohet se do të vdes; shqetësim i cili arrin deri në atë masë saqë i shkakton hidhërim dhe depresion? A ka diçka që i ndihmon njeriut ta pres vdekjen më lehtë e të ketë dëshirë të vdes?”
Përgjigje: “Thuhet se Harun Err-Rrashidi (Allahu e mëshiroftë) shkoi në Meke për të kryer haxhin dhe me vete kishte fëmijët e tij. Ai njihej si një udhëheqës që një vit bënte luftëra, e në vitin tjetër shkonte në haxh. Kur shkoi në Meke, e takoi Sufjan Eth-Theurin –imamin e Ehl-us-sunnetit ndërsa ai ishte duke mbajtur ders të pranishmëve. Haruni dhe fëmijët e tij, u ulën dhe e dëgjonin atë duke ligjëruar. Fjalimi i tij ishte aq prekës, saqë Harunin e kishte bërë të qajë.
Pasi përfundoi fjalimin Sufjani, deshi të ngrihej në këmbë dhe të shkoj e t’i flasë emirit (Harunit), kurse ai i bëri me shenjë që të qëndrojë në vend e të mos ngrihej. Kjo ishte një veprim i emirëve kundrejt dijetarëve (ngase i respektonin dijetarët). Sufjani mbeti në vendin e tij ndërsa erdhi Haruni me fëmijët e tij dhe e përshëndetën atë. Me atë rast, Haruni i tha atij: ‘O imami ynë, o Sufjan! Përse ne i frikësohemi vdekjes dhe shqetësohemi për të?!’
Kjo është edhe gjendja e pyetëses. Shqetësimi për vdekjen është frika nga vdekja. Pa u menduar fare, Sufjani iu përgjigj pyetjes së Harunit (Allahu i mëshiroftë që të dy): ‘O udhëheqës i besimtarëve, kjo është ngase e keni rregulluar jetën tuaj në këtë botë, ndërsa e keni shkatërruar ahiretin!’
Mangësi të shumta! Shihni zbukurimet e mureve, shtretërit në të cilët flemë dhe rrobat të cilat i veshim! Kur futemi në ndonjë dyqan mallrash, për një çast të vetëm, harrojmë se ekziston ahireti. Futesh në ndonjë dyqan të madh dhe vetëm llojet e biskotave janë njëqind lloje, pijet dhe lëngjet janë mbi dyqind lloje. E si mund ta kujtojmë ahiretin kur gjendemi në këtë lloj jetese?! E Sufjani i tha: ‘O udhëheqës i besimtarëve, kjo është ngase e keni rregulluar jetën tuaj në këtë botë, ndërsa e keni shkatërruar ahiretin!’ Ndërsa Sufjani, Ahmedi etj. nuk kishin asgjë nga jeta e kësaj bote.
Imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë) thoshte: ‘Aspak nuk më pengon burgu!’
Gjithashtu, edhe Shejkhul-islam Ibnu Tejmije, thoshte: ‘Pasha Allahun, burgu është më i rehatshëm sesa dhoma (shtëpia) ime!’ D.m.th. shtrati në burg është më i mirë sesa shtrati im në shtëpi. Nuk dëshironin dynjanë e të rehatoheshin në shtëpi.
Ky është shkaku bija ime. Dynjaja na ka humbur mendjen, të mirat e saj, mundësitë që të ofrohen në të, bukuritë, llojllojshmëria e gjërave etj. kanë bërë që njeriu të harroj ahiretin. Ne me këto fjalë së pari po e këshillojmë veten tonë, në mënyrë që ta kujtojmë vdekjen dhe ta duam atë. Në ditët e sotme gjendja e njerëzve është bërë e vështirë. Gjatë gjithë jetës time, jam takuar vetëm me dy njerëz që e duan vdekjen. Pra, vetëm dy që e prisnin me kënaqësi vdekjen dhe që të dy kanë vdekur Allahu i mëshiroftë. Të gjithë ne e lexojmë fjalën e Allahut:
وَالْآخِرَةُ خَيْرٌ وَأَبْقَى
“Dhe jeta e Ahiretit është më e mirë dhe e përjetshme.” 1
Të gjithë ne besojmë se dynjaja është burgu i besimtarit dhe xheneti i kafirit. Dhe se Ahireti (të mirat e tij) është i përgatitur për pasusit e imanit. Porse bija ime, shkaku kryesor është që imani dhe bindja jonë janë të dobëta. Gjithashtu, edhe vepra me të cilën ndërtohet vendi ynë në Ahiret, është shumë e paktë. Nuk kemi përgatitur asgjë për atë botë. Ashtu siç ka thënë Sufjani pra, kemi rregulluar jetën në këtë botë duke shkatërruar Ahiretin (vendin tonë në Ahiret). Dhe çdo njeri i mençur thotë, nuk dëshiron të kaloj nga shtëpia e rregulluar në shtëpinë e prishur! Porse shkaku është dobësia e imanit dhe bindjes ndaj Allahut.
Mendoj se leximi i Kur’anit dhe meditimi në të, meditimi në hadithet e Profetit (salAllahu ajehi ue selem) dhe historitë e Profetëve, njerëzve të mirë e Sahabëve, bën dobi të madhe dhe e zbut zemrën e njeriut. Shtuar kësaj, se njeriu e ka të obliguar të besoj se Ahireti është më i mirë dhe më i dobishëm për njeriun. Nëse e besojmë dhe bindemi ashtu siç në këtë gjë, atëherë njeriu patjetër se do të jetë i kënaqur që do ta takoj Allahun e Madhëruar. Ndërsa Profetit tonë dhe të gjithë profetëve u kishte ardhur meleku i vdekjes për t’i pyetur për vdekjen, ngase ata ishin në shkallën më të lartë të besimit dhe bindjes. Të gjithë profetët pyeteshin se a donin të vdisnin apo dëshironin të jetonin në këtë botë?! Dhe të gjithë profetët zgjodhën vdekjen. Gjithashtu, edhe Profeti ynë zgjodhi kalimin nga kjo botë tek i Lartësuari. E sikur ne të pyeteshim se a dëshironim të vdisnin apo të mbeteshim në këtë dynja? Përgjigja do të ishte: dua të mbetem në këtë botë, ka kohë ende; -ende është herët! Allahu na faltë.
Kur Bilali (radijaAllahu te’ala anhu) ishte në momentet e vdekjes, në ndërkohë i humbiste vetëdija. Në një moment, kur ai kishte vetëdije, gruaja e tij hyri brenda duke qarë e duke thënë: ‘Mjerë për fatkeqësinë që po më kaplon!’ Bilali e pyeti se çfarë thoshte? Ndërsa ajo i tregoi se qante për të. Bilali i tha: ‘Përkundrazi, unë them sa i gëzuar jam, sa i gëzuar jam!’ Gëzohej që do të vdiste, gëzohej që do ta takonte Allahun e Lartësuar. Pra thoshte: ‘Sa i gëzuar jam, nesër do ta takoj Muhamedin dhe pasuesit e tij.’ Pra, vetëm do të vdes, e do të takoj Muhamedin dhe shokët e tij. Kështu ishin sahabet. Mirëpo, për t’u bërë kështu, duhet arritur një shkallë të lartë të imanit dhe bindjes ndaj premtimit të Allahut të Madhëruar. E lus Allahun të na begatoj neve dhe juve.”
1 El-A’la 87:17