Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
Mexhmu Fatauah Ibn Baz Vol 29, nr 183
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Pyetje: U zgjova xhunub dhe dielli ishte gati të lindte. Nëse do të bëja gusël, do të më ikte koha e namazit të sabahut. A më lejohet në këtë rast të marr tejemum dhe të falem?
Përgjigje: Ti duhet të bësh gusël dhe pastaj të falesh. Nuk duhet të marrësh tejemum në këtë rast. Ai që fle dhe e humb namazin ose zgjohet me vonesë, duhet ta falë namazin menjëherë sapo të zgjohet ose sapo t’i kujtohet.
Profeti ﷺ ka thënë:
“Kush fle në kohën e namazit apo e harron atë, le ta falë në atë moment që t’i kujtohet dhe nuk ka ndonjë kompensim tjetër përveç kësaj.”
Transmeton Bukhari dhe Muslimi.
Është e njohur se namazi është i vlefshëm vetëm nëse falet duke qenë i pastër.
Profeti ﷺ ka thënë:
”Namazi nuk pranohet pa qenë i pastër.”
Nëse uji është i disponueshëm, është obligim pastrimi me të, dhe nëse nuk gjendet ujë, lejohet tejemumi.
Allahu -azze ue xel- thotë:
”…e nuk gjeni ujë, atëherë gjeni dhé të pastër dhe fshini fytyrat e duart me të.” El-Maide, 5:6
Ti duhet të kujdesesh për namazin tënd dhe të tregosh përkushtim për ta falur atë në kohën e tij. Vendos një orë me zile pranë kokës ose kërko nga dikush i familjes që të zgjojë kur të hyjë koha e namazit në mënyrë që ta kryesh detyrimin tënd dhe ta falësh namazin me vëllezërit muslimanë në xhami.
Mos u ngjaso hipokritëve, të cilët e vonojnë namazin dhe shkojnë drejt tij me përtaci.
Allahu na ruajt neve dhe të gjithë muslimanët nga cilësitë dhe sjelljet e hipokritëve. Allahu na dhëntë sukses.