Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Prandaj ajetet Kuranore nuk duhet vënë në mure

Imam Muhammed Nasirudin el-Albani (v. 1420)

Burimi: Silsilat-ul-Huda uen-Nur (1022)

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Dua t´iu kujtoj lidhur me një fenomen që ekziston pothuajse në çdo shtëpi muslimane edhe në qoftë se ato do të jenë krejtësisht të varfëra. E kam fjalën për ajetet e Kuranit në mure. Mund të jetë një tablo me një tekst shumë të shkurtë, me një tekst të bukur dhe me kornizë të dekoruara. Një musliman që ka dijen më të vogël të Selefizmit është i bindur se ky veprim nuk i përkiste praktikës së Selefëve. Është thënë me të drejtë:

”Çdo e mirë është në pasimin e Selefëve

dhe çdo e keqe është në atë që të fundit kanë shpikur”

Sikurse ju të gjithë e dini, Kurani i ndershëm është shpallur:

لِيُنذِرَ مَن كَانَ حَيًّا وَيَحِقَّ الْقَوْلُ عَلَى الْكَافِرِينَ

”Për t’ia tërhequr vërejtjen atij që është i gjallë (me mend e zemër) dhe dënimi të bëhet meritë për jobesimtarët.” 1

Kurani nuk ka zbritur nga Zoti ynë (subhanehu ue te’ala), i Cili është ngritur mbi arsh, për të dekoruar muret apo mus’hafët. Ai është shpallur për dispozitat e tij, etikën dhe gjëra të tjera që të praktikohen.

Ne duhet të dimë se është një nga kurthet e shejtanit që ai të zbukuron diçka që nuk është ligjësuar, në mënyrë që njeriu të devijojë nga ajo që është ligjësuar. Shumë njerëz janë të kënaqur për të vënë Kuranin në një vend pa e lexuar atë kurrë. Ata madje ndoshta as nuk falen. Shejtani i ka bindur ata se është e mjaftueshme për ta vënë Kuranin në një arkë apo qese që mund të jetë nga stof i çmuar. Kështu ata e nderojnë Kuranin. Por, kur është fjala për të praktikuar fjalët e Allahut (te’ala):

وَقُلِ اعْمَلُواْ فَسَيَرَى اللّهُ عَمَلَكُمْ وَرَسُولُهُ وَالْمُؤْمِنُونَ

”Dhe thuaj: ”Veproni, Allahu do ta shohë veprën tuaj, edhe i dërguari i Tij e besimtarët.” 2

kështu armiku i betuar i njeriut, shejtani e ka tërheq atë prej tij dhe që në vend të kësaj të bieri në këto fenomene që ekzistojnë në disa shtëpi. Prandaj, muslimani nuk duhet të dekoroj muret me këto ajete fisnike të Kuranit, dhe sidomos ato që janë të shkruara me tekst të bukur, për dy arsye:

1 – Kjo nuk i përket praktikës së Selefëve.

2 – Ky i takon mashtrimit të shejtanit me të cilën ai e bindë njeriun se kjo është e ligjësuar, respektim dhe nderim, kurse në fakt kjo nuk është e tillë fare.


1 Ja-Sin  36:70

2 Teube 9:105

Shpërndaje: