Imam Ebu Nuajm Ahmad bin Abdilah el-Asbahani (v. 430)
Hiljat-ul-Aulija (8/15-16)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Shekik bin Ibrahim ka thënë:
“Ibrahim bin Adham kaloi pranë një tregu në Basra dhe njerëzit u mblodhën rreth tij dhe i thanë: “O Ebu Is’hak!
Allahu -te ala- thotë në librin e Tij:
“Zoti juaj ka thënë: “Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem!” Gafir, 40:60
Ai nuk na përgjigjet edhe pse i lutemi Atij gjatë tërë jetës.”
Ibrahimi tha: “O banorë të Basrës! Zemrat tuaja kanë vdekur në dhjetë pikë.
E para është se ju e njihni Allahun por nuk përmbushni të drejtat e Tij.
E dyta është se ju e lexoni Kuranin por nuk punoni sipas tij.
E treta është se ju pretendoni se e doni të dërguarin e Allahut ﷺ por braktisni rrugën e tij.
E katërta është se ju pretendoni se jeni armiq të shejtanit dhe pajtoheni me të.
E pesta është se ju pretendoni se e doni xhenetin por nuk veproni për të hyrë në të.
E gjashta është se ju pretendoni se i frikësoheni zjarrit dhe jeni bërë peng të tij.
E shtata është se ju thoni se vdekja është e vërtetë por nuk përgatiteni për të.
E teta është se jeni të preokupuar me të metat e vëllezërve tuaj por injoroni të metat tuaja.
E nënta është se ju hani nga ato që Allahut ju ka dhuruar por nuk falënderoni për to.
E dhjeta është se ju varrosni të vdekurit tuaj por nuk merrni mësim nga kjo.”