Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Pyetësi: Nëse një person ka besim të dobët, çka duhet të bëjë për ta forcuar atë?
Përgjigje: Prej shkaqeve të cilat bëjnë që besimi të forcohet është bindja ndaj Allahut nëpërmjet kryerjes së llojeve të ndryshme të adhurimeve, sepse besimi rritet me vepra që janë bindje ndaj Allahut. Prandaj nëse njeriu dëshiron ta forcojë besimin e tij, atëherë le të bëjë sa më shumë adhurime dhe të largohet nga mëkatet.
Allahu (subhanehu ue teala) ka thënë:
“Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata të cilëve kur u përmendet Allahu, zemrat e tyre rrënqethen dhe kur u lexohen ajetet e Tij, u shtohet besimi dhe vetëm tek Zoti i tyre mbështeten. Janë ata që e falin namazin dhe japin prej asaj që Ne i kemi furnizuar, ata janë besimtarë të vërtetë.” 8:2-4
Falja e namazit, dhënia e zekatit dhe tëra veprat e tjera të mira e rrisin besimin. Po ashtu edhe leximi i Kuranit ose dëgjimi i leximit të Kuranit janë nga shkaqet që e rrisin besimin. Pra të gjitha veprat e mira e rrisin besimin kështu që ai duhet të kryejë adhurime sa më shumë, të largohet nga mëkatet dhe të shoqërohet me njerëz të mirë pasi që kjo me të vërtetë e shton besimin e tij.
Gjithashtu, ai duhet të meditojë mbi ajetet e Allahut (azze ue xhel), ajetet Kuranore, të reflektojë në lidhje me to, kjo është një gjë që e rrit besimin e tij. Gjithashtu, duhet të meditojë rreth krijesave të Allahut, ajeteve të Allahut në univers. Nëpërmjet këtyre, ai argumentohet dhe bindet mbi Madhështinë dhe Fuqinë e Allahut (subhaneh). Edhe kjo gjë ia shton atij besimin. Pra meditimi në lidhje me krijesat e Allahut dhe reflektimi rreth ajeteve Kuranore të Allahut, të tëra këto janë prej atyre shkaqeve që e shtojnë besimin.