Imam Ibn Kajim el-Xheuzijeh (v. 751)
Tuhfetul-Meudud bi Ahkamil-Meulud, fq.27-29
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Nxitja për të pasur pasardhës vjen nga hadithi i transmetuar nga Muslimi në Sahihun e tij nga Ebu Hasani i cili ka thënë: ”I thashë Ebu Hurejrës -radijAllahu anhu-: “Më kanë vdekur dy fëmijët e mi, a nuk po na tregon nga i dërguari i Allahut ﷺ ndonjë hadith me të cilin mund të rregullojmë gjendjen tonë pas vdekjes së tyre?”
Ai tha: ”Po, fëmijët e tyre janë të vegjlit e xhenetit. Kur ndonjëri prej tyre e takon babanë e tij ”ose tha “prindërit e tij” do ta kap atë për rrobe ”ose tha “për dore” ashtu sikurse po të kapi ty për rrobe, dhe nuk do t’i lëshojë derisa Allahu t’i fusë në xhenet atë dhe prindërit e tij.”
Transmeton Muslimi (2635), Bukhari në El-Edeb El-Mufred (1/231) dhe Ahmedi (2/488).
Muauijeh Ibn Kur-ra rrëfeu se babai i tij ka thënë: “Kur profeti ﷺ mbante ndonjë mexhlis, më të uleshin edhe një burrë që me vete e merrte një djalosh të vogël. Pas një kohe atij i vdiq i biri dhe ai nuk shkonte më në mexhliset e profetit ﷺ.
Pasi që profeti ﷺ nuk i shihte më, pyeti: ”Çfarë ka ndodhur me djalin e filanit?”
I thanë: ”O i dërguari i Allahut, ai ka vdekur.”
Profeti ﷺ i tha babait të djaloshit: ”A nuk dëshiron që të shkosh tek një prej portave të xhenetit dhe ta gjesh atë duke të pritur aty?”
Burri u përgjigj: ”O i dërguari i Allahut, a vlen kjo vetëm për mua apo për të gjithë ne?”
Ai tha: ”Sigurisht që vlen për të gjithë ju.”
Transmeton Nesai (1870), hadithi është autentik sipas Hakimit, Dhehebit dhe Albanit në Ahkamul-Xhenaiz, fq. 162.
I dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Atij nga umeti im të cilit i vdesin dy ose tre fëmijë para se të kenë arritur moshën e pjekurisë, do të hyjë në Xhenet.”
Aishah tha: “E ai të cilit i ka vdekur vetëm një fëmijë në moshë te re?”
Ai ﷺ tha: “Edhe ai të cilit i ka vdekur një fëmijë para se të ketë arritur moshën e pjekurisë.”
Ajo tha: “Çfarë ndodh me atë të cilit fëmija i ka vdekur para se të ketë arritur moshën e pjekurisë?”
Ai ﷺ tha: “Unë do të qëndroj dhe do ta pres umetin tim. Ata nuk do të kenë askënd si mua.”
Transmeton Tirmidhi (1062), hadithi është hasen sipas Tirmidhit dhe daif sipas Albanit në Daiful-Xhami Es-Saghir (5813).
Ebu Seid El-Khudrij -radijAllahu anhu- rrëfeu se i dërguari i Allahut ﷺ i tha disa grave: “Nuk ka ndonjë grua që i vdesin tre fëmijë e të mos jenë për të perde penguese ndaj zjarrit.”
Një grua tha: “Dhe dy?”
Ai ﷺ tha: “Dhe dy.”
Transmeton Bukhari (1249) dhe (7310) dhe Muslimi.
Enesi -radijAllahu anhu- rrëfeu se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
”Çdo muslimani që i vdesin tre fëmijë të cilët nuk e kanë arritur moshën e pjekurisë, Allahu me mëshirën e Tij i fut në xhenet.”
Transmeton Bukhari dhe Nesai, hadithi është i saktë sipas Albanit.
Ebu Hurejra -radijAllahu anhu- rrëfeu: ”Një grua erdhi me një fëmijë të vogël dhe tha: ”O i dërguari i Allahut, lutu Allahut për të sepse më kanë vdekur tre fëmijë.”
Ai ﷺ tha: ”Të kanë vdekur tre fëmijë?”
Ajo u përgjigj: ”Po.”
Ai ﷺ tha: ”Me të vërtetë, të është dhënë një mbrojtje shumë e fortë ndaj zjarrit.”
Transmeton Muslimi (2636).
Nëse një fëmijë jeton pas vdekjes së prindërve të tij, ata përfitojnë nga ai dhe nëse vdes para tyre, ata gjithashtu përfitojnë nga ai.
Ebu Hurerja -radijAllahu anhu- rrëfeu se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Kur njeriu vdes i ndërpriten veprat e tij, përveç tre gjërave: sadakaja e rrjedhshme, dija e dobishme (nga e cila përfitojnë njerëzit), ose një fëmijë i devotshëm që lutet për të.”
Transmeton Muslimi.