Imam Ibn Kethir ed-Dimeshkij (v. 774)
Burimi: Sahih Kisasil-Enbija, fq. 433-434
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Thotë Ebul-Alijeh: “Kur pushtuam Tusterin kemi gjetur në el-Harmazan një shtëpi në të cilën gjendej një krevat. Në të ishte i shtrirë një njeri i vdekur mbi kokën e të cilit ishte një libër. Ne e morëm librin dhe ia dhamë Umer bin el-Khatabit, e ky e thirri Ka’bin. Ai e përktheu atë në gjuhën arabe dhe unë kam qenë arabi i pari që e kam lexuar atë. E kam lexuar atë në të njëjtën mënyrë siç e kam lexuar këtë Kur’an. Unë e pyeta Ebul-Alijen se çfarë shkruante në të, e ai tha: “Jetët tuaja, çështjet tuaja, për gjuhën tuaj dhe çfarë do të ndodhë.”
Unë i thashë: “Çfarë vepruat me atë njeri?” Ai tha: “Gjatë ditës gërmuam trembëdhjetë varre të ndryshme. Më vonë natën e varrosëm atë dhe i mbyllëm varret tjera në mënyrë që njerëzit mos ta dinin se ku e kemi varrosur.” I thashë: “Çfarë shpresonin ata prej tij?” Ai tha: “Kur kishte thatësirë populli e vendoste atë jashtë shtëpisë me shtratin e tij, pastaj binte shi.” Unë i thashë: “Kush mendoni se ishte ky burrë?” Ai tha: “Një njeri i quajtur Danijel (Daniel).” Unë i thashë: “Që kur mendoni se ai kishte vdekur?” Ai tha: “Që treqind vjet.” Unë i thashë: “A nuk kishte ndryshuar?” Ai tha: “Jo, vetëm disa qime në qafë. Trupat e Profetëve nuk kalben dhe po ashtu nuk i hanë kafshët grabitqare.”
Ky zinxhir i transmetimit është autentik deri tek Ebul-Alijeh. Por, nëse bëhet fjalë për treqind vjet ai nuk është Profet, por një njeri i drejtë, sepse nuk ka asnjë profet mes Isa bin Merjemit صلى الله عليه وسلم dhe Muhammedit صلى الله عليه وسلم të dërguarit të Allahut, sipas hadithit që gjendet tek Bukhari. Periudha kohore mes atyre dyve ishte 400 vjet, është thënë 600 vjet dhe 620 vjet. Gjithashtu, (koha mes tyre) mund të jetë edhe rreth 800 vjet, gjë e cila është më afër kohës kur ka jetuar Danijeli (që do të thotë se ai ka jetuar para 800 e më shumë vite para ardhjes së Muhammedit صلى الله عليه وسلم).
Është transmetuar në formë autentike deri tek Ebul-Alijeh se hunda e tij ishte e gjatë sa dora. Po ashtu me një zinxhir të mirë nga Enes bin Malik është transmetuar se hunda e tij ishte e gjatë sa krahu. Kështu që, është e mundur se ky njeri ishte një nga Profetët e lashtë. Allahu تعالى e di më mirë!
Ibn Ebi Dunja ka transmetuar nga Abdurr-Rrahman bin Abiz-Zinad, e ky nga babai i tij, i cili tha:
“Unë pashë një unazë në gishtin e Ebu Burdeh bin Ebi Musa el-Esh’ariut në të cilën ishin gdhendur dy luanë të cilët lëpinin një njeri që ishte mes tyre. Ebu Burdeh tha: “Kjo është unaza e burrit të vdekur për të cilin banorët e këtij vendi pretendojnë të jetë Danijeli. Ebu Musa e mori atë ditën kur ai ishte varrosur.”
Ebu Burdah ka thënë: “Ebu Musa pyeti dijetarët e atij fshati në lidhje me gdhendjen në unazë, ata thanë: “Mbreti që e kapi Danijelin u vizitua një herë nga astrologët dhe teologët.” Ata i thanë atij: “Në këtë dhe në këtë natë një fëmijë mashkull do të lindë dhe ai do ta rrëzojë mbretërinë tuaj dhe do ta shkatërrojë atë.” Pastaj mbreti i tha: “Pasha Allahun, unë do t’i vras të gjithë fëmijët meshkuj që lindin atë natë.” Ata e morën Danijelin dhe e hodhën në një pyll në të cilin kishte shumë luanë. Ai kaloi natën në mes luanëve, por ata nuk e lënduan atë dhe në vend të kësaj ai veçse u përkëdhel nga ata. Pastaj erdhi nëna e tij dhe e gjeti atë, dhe kështu Allahu e shpëtoi atë.
Ebu Burdah tha: “Ebu Musa tregon se dijetarët e fshatit kanë thënë: “Danijeli gdhendi imazhin e tij dhe imazhin e dy luanëve që e lëpinin atë në mënyrë që të mos e harrojë se si Allahu e shpëtoi atë.” Zinxhiri është i mirë.