Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Protestat ndaj filmave që fyejnë profetin ﷺ

Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan
Burimi: http://www.alfawzan.af.org.sa/node/14100
Data e fetvasë: 07.11-1433 ose 23.09-2012
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Pyetje: Kohët e fundit, profeti ﷺ është trajtuar me mos respekt në forma të ndryshme, si përmes filmave, shkrimeve në gazeta dhe në mënyra të tjera. Cili është qëndrimi i bazuar në sheriat ndaj sjelljeve të tilla? Çfarë gjykimi ka për ta shfaqur zemërimin përmes protestave kundër fyerjeve që po i bëhen profetit ﷺ?

Përgjigje: Vëllezër, kjo nuk është diçka e re. Në kohën e profetit ﷺ, kufarët thanë se ai ishte magjistar, gënjeshtar, fallxhor, poet, etj. Mirëpo, i dërguari ﷺ bënte durim. Ai bëri durim e nuk nxitohej. Dhe Allahu e urdhëroi atë që të bëjë durim.

Dhe bëj durim ndaj asaj që thonë dhe largohu prej tyre në mënyrën më të mirë!” 73:10

Ai dëgjonte atë çfarë i thoshin por duronte sepse Allahu (azze ue xhel) e urdhëroi:

“Ne e dimë mirë që ty të ngushtohet zemra nga fjalët e tyre, andaj, lartësoje Zotin tënd duke e lavdëruar dhe bëhu prej atyre që i përulen Atij në sexhde duke u falur! Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të vijë vdekja!” 15:97-99

Ai duroi dhe i ndalonte sahabët që të hakmerreshin kur ata ishin në Mekë ngase sikur ata të hakmerreshin ndaj idhujtarëve, Islami dhe thirrja e cila ishte në fillimet e saj të para do të zhdukej në Mekë. Kur ai emigroi dhe pati prej atyre që e ndihmuan (prej Ensarëve), atëherë Allahu e urdhëroi që t’i luftojë idhujtarët. Kjo ishte luftë sipas sheriatit. Sa për protestat, shkatërrimet, vrasjet e njerëzve të pafajshëm dhe të atyre që jetojnë nën sigurinë dhe mbrojtjen e muslimanëve, kjo është tradhti dhe nuk është e lejuar. Nuk është e lejuar të vritet një njeri i pafajshëm edhe nëse ai është kafir. Kjo nuk është e lejuar.

“Dhe të mos ju nxisë urrejtja ndaj atyre të cilët ju penguan të vizitoni Qaben, që t’i tejkaloni kufijtë kundër tyre!” 5:2

Pra nuk lejohet vrasja e të pafajshmëve.

Allahu thotë:

“Askush nuk ngarkohet me barrën e tjetrit.” 6:164

Dhe në një ajet tjetër thotë:

“Nëse ndonjë nga idhujtarët kërkon mbrojtje nga ti (Muhammed), mbroje, në mënyrë që të dëgjojë fjalën e Allahut, e pastaj përcille në vendin e tij të sigurt.” 9:6

Idhujtarët dërgonin të dërguarit e tyre tek i dërguari i Allahut ﷺ, shkonin tek ai, madje hynin edhe brenda në xhaminë e tij ﷺ dhe ai bisedonte me ta edhe pse ata ishin idhujtarë e kufarë. Duhet ditur se Islami nuk është fe e zemërimit dhe hakmarrjes. Islami është fe e udhëzimit, e mëshirës dhe e butësisë ashtu siç ishte vet profeti ﷺ. Cili ishte rezultati?

Rezultati ishte që Allahu e ndihmoi të dërguarin e Tij dhe e forcoi fenë e Tij. Ndërsa disa prej atyre të cilët e kishin zakon ta fyenin atë ﷺ, u bënë nga udhëheqësit e Islamit dhe luftuan për hir të Allahut pasi u bënë muslimanë dhe e përsosën Islamin e tyre sepse profeti ﷺ bëri durim me ta, ishte i dhimbshëm dhe i butë me ta, aq sa ata e donin atë.

Sikurse ka thënë Allahu (xhela ue ala):

“Me të vërtetë ti ke virtytet më madhore.” 68:4

Kështu ishte morali dhe virtytet e të dërguarit ﷺ. Kur kufarët i bëjnë këto gjëra, ata duan të provokojnë qëllimisht dhe thonë:

“Shikoni në sjelljet e muslimanëve, ata vrasin ambasadorët, shkatërrojnë ndërtesa dhe prishin vendbanime!”

A është kjo prej fesë Islame? Kjo është çfarë duan kufarët. Ata duan që kjo të jetë në dëm të  muslimanëve për shkak të muslimanëve injorantë apo dhe njerëzve të infiltruar për të shkaktuar fitne. Nuk lejohet të nxituarit në këto çështje.

“Edhe para teje (o Muhammed!), shumë të dërguar janë mohuar, por ata e kanë duruar mohimin dhe lëndimin (që kanë pësuar), derisa u ka ardhur ndihma Jonë, sepse askush nuk mund t’i ndryshojë vendimet e Allahut. Ti tashmë ke dëgjuar për ata të dërguar.” 6:34

Këtë kërkon Islami në lidhje me këto çështje: butësi, verifikim të çështjeve, durim e jo nxitim. Idhujtarët duan t’i shfrytëzojnë këto veprime të disa prej muslimanëve, si arrogancën e disa prej tyre, shkatërrimin dhe gjakderdhjen saqë edhe muslimanët filluan të luftojnë me njëri- tjetrin. Protestuesit filluan të luftojnë kundër policisë dhe pjesëtarëve të sigurisë së vet muslimanëve. Kjo është çfarë në realitet duan kufarët!

Shpërndaje: