Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Pse ai që vjell qëllimisht e prish agjërimin?

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)

Burimi: Sherh Bulug Maram, Kitabu Sijam, kaseta 5

www.perlatmuslimane.com

Imam Uthejmin flet në lidhje me hadithin e Ebu Hurejrës (radijAllahu anhu) ku thotë se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

”Ai që është agjërueshëm dhe e mund e vjella, ai nuk duhet ta kompensojë atë ditë. Ai që vjell qëllimisht, ai duhet ta kompensojë atë ditë.”

Sahih, Ebu Daud, hadithi nr 2380, Tirmidhiu, hadithi nr 720, Ibn Maxheh, hadithi nr 1676.

Nga ky hadith përfitohen disa dobi:

E para: Ai që vjell qëllimisht (kur ai e provokon dhe e shkakton vetë atë) e prish agjërimin për shkak të fjalës së të dërguarit të Allahut (ﷺ):

”Ai që vjell qëllimisht, ai duhet ta kompensojë atë ditë.” 1

E dyta: Urtësia e sheriatit, pasi njeriu duhet të jetë i drejtë në raport me veten e tij në të gjitha aspektet. Kjo pasi nëse ai është duke agjëruar dhe pastaj vjell qëllimisht, barku i tij do të jetë bosh nga ushqimi dhe lëngjet, ndërkohë që sheriati na ka urdhëruar që t’i zbatojmë të tëra ato shkaqe që na ndihmojnë për agjërimin tonë dhe nëse ne do të nxjerrim nga barku ynë përmbajtjen që është brenda tij, kjo nuk do të ishte e drejtë dhe kështu kjo do të ishte një shkak për prishjen e agjërimit. Gjithashtu, duke vjellë qëllimisht, kjo do t’i ngjasonte në disa aspekte bërjes së hixhames, apo në disa aspekte i ngjason kryerjes së marrëdhënies intime pasi gjatë kësaj të fundit, kur del lëngu i mashkullit, kjo shoqërohet me plogështi dhe dobësim të trupit dhe kështu që do të ishte prej urtësisë që të prishet agjërimi. Shikoni tani urtësinë e sheriatit, nëse personi merr ushqimin që i nevojitet për trupin e tij ndërkohë që ai është agjërueshëm, atëherë kjo e prish agjërimin pasi kjo bie ndesh me urtësinë e agjërimit (ku kërkohet largimi nga ngrënia dhe pirja). E njëjta gjë ndodh dhe në rastin kur nxjerr nga trupi atë që i nevojitet organizmit, dhe në këtë rast prishet agjërimi dhe kjo është prej urtësisë, prandaj as mos fut diçka (ushqim etj.) brenda trupit tënd (kur je agjërueshëm), po ashtu, mos nxirr prej trupit tënd asgjë kur je agjërueshëm (si p.sh. duke vjellë), por mbaj një qëndrim të drejtë e mesatar.

Gjithashtu prej dobive që përfitohen nga hadithi është se nëse personi detyrohet  të bie në gjëra të ndaluara (pa dëshirën apo vullnetin e tij), për këto ai nuk ka asnjë përgjegjësi (nuk ka gjynah), shembull?

Në namaz, p.sh. një person foli pa dëshirën e tij, nxori një fjalë, p.sh. diçka bie mbi të dhe ai thotë: “Eh.”

Kjo fjalë doli prej tij pa dashur (sikur të jetë i detyruar) apo jo?

Kjo fjalë që ai tha: ”Eh”, është sikurse mbyllja e syrit kur bie diçka mbi të, pasi nëse mbi syrin tënd bie diçka, ai mbyllet vetvetiu pa dëshirën tënde. Kështu është dhe për sa i përket kësaj fjale që nxori ky person.

Gjithashtu ajo që duket qartë është se edhe ata që janë me vesvese, i përkasin kësaj kategorie. Ka njerëz, e lusim Allahun të na ruajë dhe të na japë mirëqenie, që i kanë këto vesvese, të cilët nxjerrin fjalë pa dashur ata, duke qenë si të detyruar, pra në dukje dhe këto janë të kësaj kategorie dhe për këtë gjë tregon fjala e Allahut të Lartësuar:

“Allahu nuk e ngarkon njeriun përtej mundësive të tij.” El-Bekare, 2:286.

Shpërndaje: