Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Pse quhet Lejletul-Kadr? – Uthejmin

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Burimi: El-xhemiu li ‘Ahkami Fik’hi-Suneh (2/290-291)

Përktheu: Besim Gjelaj
www.perlatmuslimane.com

Nata e Kadrit është quajtur me këtë emër për disa arsye:

E para: Ngase në këtë natë caktohet çka do të ndodh gjatë këtij viti dhe kështu shkruhet e gjitha, kjo është prej urtësisë së Allahut të Plotfuqishëm, po ashtu është sqarim i përsosmërisë së veprimit dhe krijimtarisë së Allahut të Lartësuar.

Këtu i kemi disa çështje që kanë të bëjnë me shkrimin e Allahut të Lartësuar:

Shkrimi i parë: Pesëdhjetë mijë vite para krijimit të qiejve dhe tokës në librin Lehuil-Mahfudh, ky shkrim nuk ndryshon dhe nuk zëvendësohet, bazuar në fjalën e Allahut të Plotfuqishëm:

“Allahu shlyen (nga ajo evidencë) çka të dojë, edhe forcon (çka të dojë). Vetëm tek Ai është baza e librit (Leuhi Mahfudhi).” (Rrad 39)

njëkohësisht ky shkrim është esenca e gjitha shkrimeve.

Shkrimi i dytë: Një herë gjatë jetës, kur është embrioni në barkun e nënës i shkruhet puna, përfundimi dhe risku i tij, ashtu siç është vërtetuar në hadithin e vërtetë të profetit ﷺ të transmetuar nga Ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të). {Ky është hadithi që ka për qëllim shejhu:

”Vërtet çdo njeri nga ju formohet në barkun (mitrën) e nënës së tij katërdhjetë ditë si nutfeh (lëng i ngjizur i bashkë dyzimit të lëngut mashkullor dhe vezës femërore), pastaj ai lëng bëhet alekah (copë gjaku i ngjizur e i varur) ngjashëm më këtë periudhë, pastaj ai gjak bëhet mudgah (copë mishi) ngjashëm më këtë periudhë, pastaj i dërgohet një engjëll i cili i fryn në të shpirtin dhe ai ëngjëll urdhërohet me katër gjëra; ta shkruan riskun, exhelin (sa do të jetojë), veprat dhe a do të jetë i lumtur apo i dëshpëruar (a do të jetë prej banorëve të xhenetit apo të xhehenemit.”

Transmeton Bukhari (3208) dhe Muslimi (2643).

Shkrimi i tretë: Çdo vit, pra ky është shkrimi që bëhet në natën e Kadrit dhe për këtë është quajtur me emrin Kadr kjo natë ngase në këtë natë caktohet çdo gjë që ndodh këtë vit qoftë e mirë apo e keqe, e përgjithshme dhe e përcaktuar, argumenti për këtë është fjala e Allahut të Lartësuar:

Ne e zbritëm atë (Kuranin) në një natë të bekuar (nata e Kadrit). Vërtet që Ne gjithnjë po këshillojmë (njerëzimin nga ndëshkimi i Allahut që do t’i kapë mohuesit e njësisë së Allahut). Në këtë (natë) vendoset çdo çështje e vullnetit dhe urdhëresave (për vitin tjetër).” (Duhan 3-4)

këtë natë zgjidhet çdo çështje e e rëndësishme, s’ka dyshim se çdo urdhër i Allahut është i rëndësishëm dhe me urtësi.

E dyta: Thuhet së është quajtur nata e Kadrit me emrin Kadr dhe është për qëllim vlera dhe pesha që ka kjo natë, ashtu siç thotë dikush: filani ka peshë të madhe, që do të thotë: ka vlerë, bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar:

“Ne e zbritëm atë (Kuranin) në Natën e Kadrit. E ç’të bëri ty të dish se ç ‘është Nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj!” (Kadr 1-3)

nata që ka vlerë më shumë se një mijë muaj.

E treta: Është quajtur kështu ngase ibadeti në këtë natë ka vlerë të madhe, bazuar në fjalën e profetit ﷺ:

“Kush bën ibadet natën e Kadrit me iman dhe duke shpresuar shpërblimin, do t’i falen mëkatet e kaluara.”

Kjo veçori është vetëm për këtë natë, nëse njeriu bën ibadet natën e pesëmbëdhjetë të muajit Sha’ban apo Rexheb, apo në ndonjë muaji tjetër, nuk do të arrijë këtë shpërblim.

Shpërndaje: