Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Pse ndodhin sprovat?

Shejkh Sulejman er-Ruhejli

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Pyetje: Shejkh i nderuar, si mund ta dijë ai që është sprovuar se kjo sprovë është për ta ngritur atë në grada apo është një dënim për shkak të mëkateve të tij?

Përgjigje: Sprovat janë prej veprave të Allahut (azze ue xhel) dhe Allahu nuk vepron asgjë përveçse në të ka urtësi.

Allahu nuk ia dërgon një sprovë besimtarit përveçse për shkak të një urtësie të cilën Ai e di. Ndoshta sprova mund të jetë zgjim nga neglizhenca. Ndoshta individi është larg derës së Allahut dhe ka mangësi në lidhje me përmbushjen e të drejtave të Allahut kështu që Allahu i zbret atij një sprovë në mënyrë që ta zgjojë atë nga kjo neglizhencë në mënyrë që të kthehet tek Zoti i tij (subhanehu ue teala). Mund të jetë gjithashtu shlyerje e mëkateve. Kështu që kur robi bën një mëkat, Allahu i zbret atij një sprovë me qëllim që t’ia shlyejë atij këtë mëkat.

Dhe mund të jetë ngritje në grada me anë të së cilës Allahu dëshiron që robi i Tij të arrijë një gradë në xhenet, gradë të cilën ai nuk mundet ta arrijë vetëm me punët e tij. Kështu që Ai i zbret atij një sprovë në mënyrë që robi i Tij të arrijë këtë gradë në xhenet.

Dijetarët thonë se nëse zbret një sprovë mbi besimtarin, ai duhet të ketë mendim të mirë për Zotin e tij dhe mendim të keq për veten e tij. Ai duhet të ketë mendim të mirë për Zotin e tij. Dhe Allahu është ashtu sikurse robi i Tij mendon për Të.

Dhe ai duhet të ketë mendim të keq për veten e tij. Ai duhet të thotë: Kjo sprovë nuk zbriti përveçse për shkak të mëkatit tim dhe ai i kthehet vetes së tij dhe e shqyrton gjendjen e tij në mënyrë që të kthehet tek Allahu (subhanehu ue te ala).

Sprova mund të jetë gjithashtu shlyerje e mëkateve. Sidoqoftë, nuk zbret sprova mbi besimtarin përveçse në të ka një dobi ose për shkak të kësaj sprove mund të zmbrapset një e keqe prej tij.

Pra në sprovat që Allahu zbret ka urtësi madhështore. Por njeriu nuk duhet të preokupohet nëse sprova erdhi për këtë shkak apo për atë shkak, por ajo që kërkohet është se ai duhet të ketë mendim të mirë për Zotin e tij dhe mendim të keq për veten e tij në mënyrë që kjo të jetë një shkak për mirësi dhe një shkak për tu kthyer tek Allahu (subhanehu ue te ala).

Shpërndaje: