Shejkh Ahmed Bazmul
Burimi: Sherh Usulu Tefsir, kaseta nr 4
www.perlatmuslimane.com
Dhe këtu lind një pyetje: “Ndonjëherë ne i lexojmë Kuran disa individëve të sëmurë dhe ata nuk kanë dobi nga ky lexim?”
Dijetarët kanë thanë se arsyeja për këtë kthehet tek vetë personi që po e lexon Kuranin. Ai mundet të mos jetë i sinqertë ose nuk është i sigurt dhe i bindur që Kurani do të bëjë dobi me lejen e Allahut (te ala), po ashtu dhe personit të cilit i lexohet Kurani, dhe ai nuk është i bindur për këtë dhe lexon Kuran thjesht për bereqet ndërkohë që ai beson se shërimi ndodhet vetëm tek mjekët.
Por pa dyshim që leximi i Kuranit është ilaç hyjnor dhe është i dobishëm me lejen e Allahut aq sa Ibn-ul Kajim el-Xheuzije (Allahu e mëshiroftë) ka përmendur se kur ai u prek nga një sëmundje, ai shkoi tek mjekët dhe ata nuk ishin në gjendje që ta shëronin atë. Atëherë ai u kujtua për hadithin e transmetuar nga Ebi Seid el Khudri, kështu që ai mori ujë Zem Zemi dhe i lexoi vetes së tij suren el-Fatiha dhe piu ujë Zem Zemi dhe me lejen e Allahut (azze ue xhel) atij iu largua kjo sëmundje.
Kështu që ne kemi mangësi në bërjen e rukjes me anë të leximit të Kuranit sipas mënyrës sheriatike, jo sipas mënyrave mashtruese, sharlatane, apo sipas atyre mënyrave që gjenden në dynja e të ngjashme si këto.
Prandaj nëse personi e lexon Kuranin dhe qëllimi i tij është i sinqertë, e përkujton madhështinë e Allahut (azze ue xhel) dhe se është duke lexuar fjalën e Tij (subhanehu ue te ala), dhe se me lejen e Allahut kjo gjë sjell dobi, atëherë ai do të ndikohet prej kësaj dhe do të ketë përmirësim. Prandaj prej cilësive të Kuranit është se është shkak për bereqet, ka dobi tek dëgjuesi aq sa dhe nëse dëgjuesi i Kuranit do të ishte kafir dhe do ta dëgjonte Kuranin duke mos patur zemër të sëmurë (pa patur qëllimin për ta kundërshtuar e për ta refuzuar), atij do t’i bëjë dobi me lejen e Allahut (te ala), do ta kuptojë se Kurani nuk është fjalë e njeriut dhe nuk është fjalë e shpikur prej njeriut dhe se për këtë dëshmon çdokush, armiku para mikut dhe ai që është larg para se të dëshmojë ai që është afër.