Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Qëndrimi i Pasuesve të Bidateve ndaj librave të Selefëve

Shejkh Abdurr-Rrazak bin Abdil-Muhsin el-Abbad el-Bedr 

Burimi: Parathënia e librit “El-Mukhtar fi Usulis-Sunneh”, fq. 5-6

Përgatiti www.perlatmuslimane.com

Imamët e Sunnetit dhe dijetarët e këtij umeti në përgjithësi, i kanë dhënë rëndësi të veçantë dhe përpjekje madhështore përhapjes, stabilizimit dhe korrigjimit të besimit.

E gjithashtu dhe mbrojtjes e refuzimit të çdo gjëje që është në kundërshtim me të, qofshin ato vetëm thënie të pa vetëdijshme, mendime të prishura, devijime larg së vërtetës apo gjëra të kota.

Ata bënë sakrifica të mëdha dhe i kushtuan shumë kohë këtij obligimi madhështor. Prandaj, ata kanë shkruar shumë libra të ndryshëm në këtë fushë. Mirëpo, ato përbëhen kryesisht nga dy lloje kryesore:

1 – Libra që përqendrohen në qartësimin e akides së saktë, duke i cekur argumentet nga Kurani dhe Sunneti me sqarime të lehta.

2 – Libra që përqendrohen në të përmendurit e mendimeve të devijuara në akide dhe sekteve të ndryshme, duke qartësuar pavërtetësinë e thënieve të tyre dhe refuzimin e dyshimeve që ata i fusin tek njerëzit, refuzimin e argumenteve që përdorin dhe mendimeve të tyre në tërësi.

Mirëpo, gjejmë shumë libra të tilla që flasin për të dy këto lloje: qartësojnë të vërtetën dhe refuzojnë të kotën.

Çdo herë që botohet një nga librat e hershme të Ehlus-Sunnetit në këtë fushë, pasuesit e Sunnetit gëzohen sot. Janë të etur për t’i gjetur dhe t’i blenë që në rastin e parë.

Në të njëjtën kohë, Pasuesve të Epshit, nuk u vije aspak mirë për botime të tilla. Disa nga Pasuesit e Epsheve mendojnë se myslimanët përçahen nëse i kushtohet rëndësi akides dhe përhapjes së saj në mesin e tyre.

Të tjerët besojnë se këto librat e besimit janë të mërzitshme e të thata. Ata mundohen t’i largojnë të rinjtë prej këtyre librave për diçka që nuk është më e rëndësishme se to.

Ku janë këta njerëz në lidhje me selefët e këtij umeti, imamët dhe dijetarët, me të cilët Allahu ringjalli fenë dhe përhapjen e Sunnetit, si: Imam Ahmed bin Hanbel, Esh-Shafi’i, Maliku, eth-Theuri, el-Euza’i, Ibnu Tejmijeh dhe nxënësit e tij, Muhammed bin Abdil-Vehabi dhe studentët e tij dhe të tjerë, Allahu i mëshiroftë.

Shpërndaje: