Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Rajhaneh bint Shim’un

Imam El-Hafidh Ibn Haxher el-Askalani 

Burimi: El-Isabeh fi Temjizis-Sahabeh, (4/309)

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Rajhaneh bint Shim’un bin Zejd رضي الله عنها tregohet se ishte bija e Zejd bin Amr bin Kanafeh ose Khanefeh nga fisi en-Nadhir. Ibn Is’hak ka thënë se ajo ishte nga Benu Kurejdhah. Ajo ishte e martuar me një burrë nga fisi en-Nedhir i cili quhej el-Hakem.

Ibn Is’hak në ‘el-Kubra’ thotë: “I dërguari i Allahut صلى الله عليه وسلم e kishte zënë atë robëreshë, por ajo nuk pranoi të braktisë fenë çifute. Kur ai صلى الله عليه وسلم ishte duke ecur me shokët e tij, ai dëgjoi të ecurit e dikujt që vinte nga prapa dhe tha: “Ky është Tha’lebeh bin Shu’be i cili ka ardhur për të më dhënë lajmin e gëzueshëm se Rajhaneh është bërë muslimane”, gjë të cilën Tha’lebeh vërtetë e tha. Pastaj Profeti صلى الله عليه و سلمe liroi atë nga robëria dhe i afroi asaj martesën, ndërsa ajo tha: “O i dërguari i Allahut, më lejo që në vend të kësaj të jem skllave e juaj. është më e lehtë për mua dhe për ty.” Rrjedhimisht ai صلى الله عليه و سلم bëri siç dëshiroi ajo.

Ajo vdiq nëntë vite para vdekjes së të dërguarit të Allahutصلى الله عليه و سلم. dhe është thënë se vdiq pas haxhit lamtumirës.

Ibn Is’hak transmeton nga el-Uakidij me zinxhirin e tij transmetues nga Amr bin el-Hakem, i cili ka thënë: “Rajhaneh ishte martuar me një njeri që e donte atë dhe ajo ishte një grua e bukur. Kur profeti صلى الله عليه و سلم zuri rob fisin Kurejdhah, ata u radhitën në një rresht para profetit صلى الله عليه و سلم dhe e lejoi Rajhaneh të hiqej mënjanë nga rreshti. Atëherë ai e dërgoi atë tek shtëpia e Umml-Mundhirit derisa robërit meshkuj të rritur ishin ekzekutuar, ndërsa fëmijët dhe gratë ishin robëruar. Ai صلى الله عليه و سلم hyri tek Rajhana, ndërsa ajo ishte fshehur për shkak se frikësohej prej tij. Rejhaneh رضي الله عنها tregon: “Ai më thirri dhe më tha që të ulem para tij. Pastaj ai më dha disa zgjedhje dhe unë zgjodha Allahun dhe të dërguarin e Tij. E më pas ai më liroi nga robëria dhe u martua me mua.”

Rajhaneh رضي الله عنها jetoi me të derisa ajo vdiq. Ai e kishte zakon ta llastojë atë dhe i jepte asaj çdo gjë që ia kërkonte. Ajo vdiq pasi ai ishte kthyer nga haxhi dhe varros në varrezat el-Baki.

Ibn Sa’di transmeton nga Muhamed bin Kab el-Kuradhij i cili ka thënë: “Rajhaneh رضي الله عنها ishte dhuratë e Allahut që ia kishte dhuruar të dërguarit të Tij صلى الله عليه و سلم. Ajo ishte e bukur dhe kishte sjellje të shkëlqyera. Pasi i vdiq burri i saj, ajo gjeti veten e saj në mesin e robërve të kapur gra dhe fëmijë. Profeti صلى الله عليه و سلم i dha asaj disa zgjedhje dhe ajo zgjodhi Islamin. Pastaj ai e liroi atë, u martua me të dhe ia vuri vellon. Ajo ishte tmerrësisht xheloze në të, gjë e cila rezultoi që ai ta shkurorëzojë njëherë. Shkurorëzimi i saj ishte shumë i vështirë për të, gjë e cila bëri që ajo të qante shumë dhe si rezultat i kësaj ai e ktheu përsëri atë. Pastaj jetoi me të derisa ajo vdiq.”

Përveç kësaj, Ibnu Sa’di ka transmetuar nga Ez-Zuhrij i cili ka thënë: “Pasi ai e kishte shkurorëzuar atë, ajo ishte duke qëndruar tek familja e saj dhe tha: “Askush nuk do më shoh më pas tij صلى الله عليه و سلم”.”

Shpërndaje: