Imam Muveffekud-Din bin Kudameh el-Makdisi
Burimi: “El-Mughni” (10/267-268)
Përgatiti: www.perlatmuslimane.com
Nëse gruaja e urren burrin e saj për shkak të fizionomisë së tij, moralit, fesë, moshës, dobësisë (në intimitet) apo të ngjashme, dhe kjo ndikon që ajo të mos jetë e bindur ndaj burrit të saj siç kërkohet me Islam, atëherë i lejohet asaj që të ndahet prej tij me kusht që ajo t’i japë atij kompensim që e liron atë prej tij. Kjo është e bazuar në fjalët e Allahut Te’ala:
”Pra, nëse të dy frikësohen se nuk do të mund t’u përmbahen kufijve të Allahut, atëherë nuk është gjynah për asnjërin, nëse gruaja i jep diçka burrit (për t’u ndarë nga ai)…”2:229
“Është transmetuar se kur i dërguari i Allahut ﷺ doli në xhami për namazin e sabahut dhe ende ishte errësirë, ai gjeti Habibeh bint Sehlen ulur pranë derës së shtëpisë së tij. I dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Çka ke?”
Ajo tha: “O i dërguar i Allahut! Nuk ankohem tek Thabiti as në fenë dhe as në moralin e tij, mirëpo unë kam frikë që të jem mosmirënjohëse (duke mos iu bindur atij).”
Atëherë, i dërguari i Allahut ﷺ i tha: “A ia kthen atij kopshtin që ta ka dhënë?”
Ajo tha: “Po.”
Profeti ﷺ i tha Thabitit: “Merre kopshtin nga ajo, pastaj shkurorëzoje atë.”
Më pas ajo u zhvendos tek familja e saj.” Ky hadith është autentik. Është transmetuar nga Imamët si Maliku, Ahmedi dhe Bukhari (pjesa më e madhe e transmetimit është nga Sahihu i tij).
Këtë mendim e kanë të gjithë fukahatë e Hixhazit dhe Shamit. Thotë Ibn Abdul-Berr: “Nuk e njohë dikë tjetër pos Bekr bin Abdilah el-Muzeniut që ka mendim tjetër nga ky mendim. Ai nuk e konsideron të lejueshme veprimin e tillë. Ai thotë se gjykimi i ajetit të lartcekur është anuluar me ajetin tjetër:
”Në qoftë se doni të lëshoni njërën grua për të marrë një tjetër, asaj që i keni dhënë pasuri, mos i merrni nga ajo (pasuri) asgjë. A do ta merrnit atë padrejtësisht, duke bërë gjynah të qartë?!”4:20
Transmetohet se Ibn Sirin dhe Ebu Kilabeh kanë thënë se nuk është e lejueshme për të që ta kërkojë shkurorëzimin nëse burri i saj nuk e gjen një burrë tjetër mbi të, ngase Allahu thotë:
”…dhe mos i pengoni ato me qëllim që t’ua merrni një pjesë nga pasuria që ua keni dhënë, përveç nëse bëjnë imoralitet qartazi.” 4:19
Ndërsa ne themi se mjafton ajeti i parë dhe hadithi që kemi përmendur. Gjithashtu, ky është mendimi i Umerit, Uthmanit, Aliut dhe Sahabëve të tjerë. Nuk e dimë se dikush nga Sahabët të ketë pasur mendim tjetër, prandaj edhe konsiderohet konsensus.
Të thuhet se gjykimi që ka sjell ajeti i parë është shfuqizuar/anuluar, mund të pasohet vetëm në qoftë se nuk mund të kombinohen ajetet me njëri-tjetrin dhe se ajeti gjykimi i të cilit është anuluar, është shpallur para ajetit anulues. Mirëpo, këtu nuk ka prova të tilla. Dhe në qoftë se do të kishte pasur prova, ajeti ynë ka të bëjë me gruan që kërkon shkurorëzim (khul) për arsyet e përmendura, e jo për diçka tjetër.