Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Realizimi i teuhidit

Alameh Salih bin Sad es-Suhejmi 

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Unë do të shpjegoj tani disa nga shkaqet më të rëndësishme të cilat nëse umeti do t’i zbatonte, do të rifitonte nderin dhe lavdinë e tij me lejen e Allahut (tebarake ue te ala). Shkaku i parë për të rifituar nderin e umetit është realizimi i vërtetë i teuhidit dhe pastrimi i tij nga të gjitha llojet e shirkut, bidateve dhe gjynaheve, dhe përpjekja e fortë për ta rrënjosur dhe për ta forcuar atë në shpirtrat e bijve tanë që kur ata janë ende të vegjël sepse ai (teuhidi) është themeli mbi të cilin ndërtesa do të ndërtohet dhe do të qëndrojë.

“A është atëherë më i mirë ai i cili e vuri themelin e ndërtesës së tij tek përkushtimi ndaj Allahut dhe tek kërkimi i kënaqësisë së Tij apo ai i cili e vuri themelin e ndërtesës së tij të paqëndrueshme buzë greminës, saqë u thërrmua bashkë me të në zjarrin e xhehenemit?” Teube 9:109

Për këtë arsye, teuhidi është ai me të cilën arrihet lumturia e njerëzimit kur ai të jetë realizuar me të vërtetë dhe të jetë kultivuar e rrënjosur në çdo individ dhe në shoqëri.

Kjo është urtësia dhe qëllimi për të cilin Allahu krijoi xhinët dhe njerëzit.

“Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit përveçse që ata të më adhurojnë vetëm Mua. Dhe nuk dua prej tyre ndonjë furnizim dhe as nuk dua që ata të më ushqejnë Mua.  Allahu është Furnizuesi absolut (i krijesave) dhe Ai është Fuqiploti.” Edh-Dharijat 51:56-58

Teuhidi është thelbi i thirrjes së të dërguarve, nga i dërguari i parë Nuhi deri tek i fundit dhe më i miri prej tyre, profeti ynë ﷺ, ai që e kaloi shumicën e kohës duke thirrur në teuhidin e Allahut dhe në realizimin dhe pastrimin e tij nga të gjitha llojet e shirkut, bidateve dhe gjynaheve.

Çdo thirrje që nuk fillon me thirrjen në teuhid është e dështuar sado që ta zbukurojnë atë, sado që të thërrasin në të dhe sado i madh të jetë numri i njerëzve që mblidhen rreth saj. Ajo do të jetë pasuksesshme. Kjo sepse nëse një ndërtesë nuk ndërtohet mbi një themel të shëndoshë, ajo do të zhduket dhe do të marrë fund. Dhënia rëndësi teuhidit është metodologjia e profetëve dhe e të dërguarve dhe rreth kësaj u përqendrua thirrja e tyre dhe me realizimin e teuhidit, arrihet dhe bashkimi i umetit në një të vetëm. Dhe ditën kur kjo të realizohet, umeti do t’i tejkalojë kombet e tjera si në aspektin e fuqisë, nderit, forcës, ndihmës, përparimit, civilizimit dhe në aspekte të tjera.

Allahu (xhela ue ala) ka thënë:

”Ne dërguam në çdo popull të dërguar që t’u thonë: ”Adhuroni vetëm Allahun, e largojuni tagutit (shejtanëve ose çdo gjëje tjetër që adhurohet përveç Allahut)!” En-Nahl 16:36

Allahu (xhela ue ala) ka thënë:

”Ai u përcaktoi juve për fe atë që ia pat përcaktuar Nuhut dhe atë që Ne ta shpallëm ty dhe atë me çka e patëm porositur Ibrahimin, Musain dhe Isain. I porositëm të praktikojnë fenë e drejtë e kurrë të mos përçahen.” Esh-Shura 42:13

Dhe ka thënë Allahu (te ala):

”Ne nuk dërguam asnjë të dërguar përpara teje e të mos i kemi shpallur atij se: Nuk meriton të adhurohet me të drejtë askush tjetër përveç Meje, pra më adhuroni vetëm Mua!” El-Enbija 21:25

Teuhidi është themeli dhe shkaku më i madh që nëse muslimanët i japin rëndësi të madhe, ata do të rifitojnë forcën dhe nderin e tyre me lejen e Allahut (tebarak ue te ala).

Dhe çfarëdo lloj infiltrimi që disa prej armiqve të Islamit kanë bërë tek disa prej muslimanëve, është vetëm për shkak të dobësisë në teuhid dhe për shkak të mangësive që gjenden në teuhid. Në të vërtetë, disa prej vendeve muslimane, (muslimanët në këto vende) janë jashtëzakonisht të dobët në lidhje me teuhidin e Allahut.

Ka faltore fetare (tyrbe, etj) që madhërohen dhe adhurohen përveç Allahut. Ka faltore ku njerëzit bëjnë pelegrinazh për tek këto vende, bëjnë tauaf rreth tyre, u kërkojnë ndihmë atyre dhe u luten atyre që t’u plotësojnë nevojat e tyre dhe t’ua largojnë vështirësitë e tyre. Nëse këto gjëra vazhdojnë të jenë të pranishme, atëherë çështja është jashtëzakonisht e rrezikshme.

Shpërndaje: