Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Refuzim ndaj disa parimeve të Murxhiave – pjesa e parë

Shejkh Khalid ibn Abdurr-Rrahman el-Misri

Burimi: Kaseta nr 32, sherh Sahih el-Bukhari

 www.perlatmuslimane.com

Ka thënë imam Bukhari (Allahu e mëshiroftë):

(Kitabul Iman, kap 36): “Frika e besimtarit se mos i asgjësohen veprat e tij ndërkohë që ai nuk e kupton këtë.”

Dhe ka thënë Ibrahim et-Tejmi:

“Sa herë që i ballafaqoj fjalët e mia me punët e mia, vetëm se frikësohem se mos jam prej gënjeshtarëve (dhe nuk jam prej të sinqertëve).”

ElhamduliLah dhe më pas: Këtë kapitull e ka sjellë Ebi Abdilah el-Bukhari (Allahu e mëshiroftë), në refuzimin e tij kundër Murxhiave bidatçinj, të cilët janë një grup i devijuar edhe pse dikush prej fukahave ka thënë të njëjtën fjalë me fjalën e tyre dhe për këtë thënie ka gabuar pasi ka rënë në atë që i kundërshton selefët. Ky grup, Murxhiat, prej bazave të tyre është se ata e konsiderojnë të ndaluar (haram) thënien e istithnasë në iman dhe sipas tyre nuk lejohet që muslimani të thotë:

”Unë jam besimtar in shaa Allah.”

Ata thonë që imani është një gjë e vetme dhe si i tillë nuk mund  të ketë as shtim dhe as pakësim të tij, prandaj nuk lejohet të thuash “(unë jam besimtar) in shaa Allah”, dhe e kanë përmendur në librat e tyre, të dijetarëve të tyre të mëvonshëm siç e ka përmendur këtë gjë el alameh, shejkhu i Ehlus-Sunnetit, el-Albani, në shënimet e tij të librit “Akide Tahauijeh” se disa prej pasuesve të Hanefive kanë thënë që në medhhebin Hanefi nuk lejohet që një Hanefije të martohet me dikë që pason medhhebin Shafei sepse këta dyshojnë për imanin e tyre, pasi Shafeitë që pasojnë medhhebin e imam Shafeiut që e konsideron të lejuar thënien e istithnasë në iman:

”Unë jam besimtar in shaa Allah”, ndërkohë që Ebu Hanife e konsideron thënien e kësaj dyshim në iman, prandaj nuk lejohet të martohesh me dikë që pason medhhebin Shafei pikërisht për arsyen e përmendur më lart. Pastaj disa prej tyre, fatkeqësisht, e panë çështjen në një aspekt tjetër dhe thanë që lejohet martesa me një grua që pason medhhebin Shafei pasi më e pakta që mund të thuhet për dikë që pason medhhebin Shafei është se është në të njëjtën pozitë si ehlul-kitabët.

Pra shikoni se ç’bën bidati me pasuesit e tij edhe pse në mesin e tyre ka të tillë që kanë dije në fik’h. Për këtë arsye, sa herë që një bidatçi shpik një bidat kjo veçse do ta çojë atë në një bidat që është akoma më i madh.

E rëndësishme, Murxhiat e devijuar thonë që nuk lejohet istithnaja, pra sipas tyre nuk lejohet të thuash: ”jam besimtar in shaa Allah”, sepse kjo sipas tyre, tregon dyshim në iman dhe imani është një gjë e vetme. Dhe kanë gabuar paraprakisht në dy vende:

-Istithnaja mund të përdoret për gjëra që janë të sigurta dhe që kanë ndodhur, dhe prej këtyre është fjala e Allahut (azze ue xhel):

لَتَدْخُلُنَّ الْمَسْجِدَ الْحَرَامَ إِنْ شَاءَ اللَّهُ آمِنِينَ مُحَلِّقِينَ رُءُوسَكُمْ وَمُقَصِّرِينَ لَا تَخَافُونَ

“Padyshim që ju do të hyni në El-Mesxhid El-Haram -in sha’a Allahu- të sigurt, disa me kokën të rruar e disa me flokë të shkurtuar pa pasur aspak frikë.” El-Fet’h:27

Fjala “in shaa Allah” është përmendur në ajet dhe tregon për një ngjarje që në të vërtetë ka ndodhur dhe se çështja është e lidhur më dëshirën e Allahut (azze ue xhel) dhe që të dihet se çdo çështje është në dorën e Allahut që është Një i vetëm. Po ashtu i dërguari i Allahut kur vizitonte varrezat thoshte:

“Es selamu alejkum o ju besimtarë dhe ne in shaa Allah do t’ju bashkangjitemi juve.”

Pra el-istithnaja mund të thuhet për diçka që tregon dyshim, por mund të thuhet dhe për diçka të sigurt që ka ndodhur apo do të ndodhë. Për këtë arsye, njerëzit e dijes prej Ehlu-Sunneh, tregojnë edukatë me Allahun (azze ue xhel), shumica e tyre thonë:

”unë jam besimtar in shaa Allah”, dhe me këtë thënie të tyre kanë për qëllim të thonë se shpresoj të jem prej atyre siç dëshiron Allahu (azze ue xhel) që të jem dhe se nuk them dot me siguri të plotë se i kam kryer të tëra ato vepra që janë prej imanit, pasi imani shtohet dhe pakësohet. Pra prej parimeve të Murxhiave është se ata nuk e konsiderojnë të lejuar istithnanë në iman, pra sipas tyre nuk lejohet të thuash: ”Unë jam besimtar in shaa Allah”, dhe se kush e thotë këtë, sipas tyre, ai është kafir.

Prandaj si mund të thuhet pas gjithë kësaj, që mospajtimi midis Murxhiave dhe Ehlus-Sunnetit është mospajtim vetëm në shprehje (dhe jo mospajtim në esencë)?? Apo si mund të thuhet që ky mospajtim nuk ka rëndësi në realitet pasi praktikisht nuk ka vlerë?? Nëse nuk paska vlerë praktikisht, atëherë cila gjë paska vlerë praktikisht??

Prandaj imam Bukhari e solli këtë në një prej kapitujve të librit të tij për të treguar se imamët e selefëve ishin që e thonin istithnanë, që do të thotë se ata frikësoheshin për vetet e tyre se imani i tyre nuk ishte i plotë e i përsosur ashtu siç dëshiron Allahu të jetë. Dhe paraqiti transmetimin nga Ibrahim et-Tejmi, i cili është transmetues i besueshëm (thikah), prej transmetuesve të dy shejkhave (Bukharit dhe Muslimit), dhe etherin e tij, imam Bukhari e solli me zinxhir të plotë transmetimi në librin e tij “Tarikh”, po ashtu imam Ahmedi në “Zuhd” me zinxhir transmetimi të saktë.

Ibrahim et-Tejmi ka thënë:

“Sa herë që i ballafaqoj fjalët e mia me punët e mia, vetëm se frikësohem se mos jam prej gënjeshtarëve (mukedhiben dhe është transmetuar në formën mukedheben).” Ibrahim et-Tejmi ishte që i këshillonte dhe i përkujtonte njerëzit për çështjet e fesë. (Kuptimi i fjalës së tij): ”Unë i urdhëroj njerëzit për të kryer obligimet fetare dhe i urdhëroj ata që të largohen nga të ndaluarat, por e shikoj veten time të mangët për sa i përket punëve të mia, pra e shikoj veten time gënjeshtar, pasi shikoj që veprat e mia janë në kundërshtim me fjalët e mia, pasi unë vetë, nuk arrij të zbatoj çdo obligim me të cilin i urdhëroj njerëzit si dhe nuk arrij të qëndroj larg çdo harami prej të cilit i urdhëroj njerëzit të largohen ose kuptimi i fjalës së tij është që njerëzit më konsiderojnë gënjeshtar pasi ata thonë: ”Ti na urdhëron të bëjmë këtë e atë ndërsa vetë ti nuk i zbaton.”

Pra nga fjala e tij kuptohet që ai frikësohet për veten e tij se ai nuk arrin të zbatojë ato që Allahu (azze ue xhel) ka urdhëruar. Pra kjo është fjala e dijetarëve në lidhje me thënien e istithnasë në çështjen imanit, pra: ”Unë jam besimtar in shaa Allah”, dhe për këtë arsye, ata nuk e thonë këtë në aspektin e dyshimit për fenë e tyre, por kanë për qëllim se e konsiderojnë veten e tyre të mangët. Po ashtu e konsiderojnë veten e tyre të mangët në madhërimin e urdhërave të Zotit të tyre dhe të mangët në kryerjen e obligimeve në mënyrën më të plotë dhe më të përsosur.

Dhe ka thënë Ibn ebi Mulejke:

”Kam takuar tridhjetë shokë të profetit (salAllahu alejhi ue selem) dhe të tërë ata frikësoheshin nga nifaku për veten e tyre dhe asnjëri prej tyre nuk thoshte se imani i tij ishte si imani i Xhibrilit apo Mikailit.”

Abdullah Ibn ebi Mulejke, është transmetues i besueshëm (thikah), prej transmetuesve të Bukharit dhe Muslimit, ka takuar një numër prej sahabëve, si nënën e besimtarëve Aishen, el-ebadile erba (të 4 Abdullahët), ka takuar Esmanë, pra një numër prej sahabëve (Allahu qoftë i kënaqur me ta).

Ai thotë: ”Kam takuar tridhjetë shokë të profetit dhe të tërë ata frikësoheshin nga nifaku për veten e tyre.”

Dhe kjo është ajo që kam përmendur në Sahih Muslim, në mësimet që kemi bërë, në Sahih Muslim, në hadithin e Han’dhales ku ai thotë:

“Han’dhale është hipokrit” dhe Ebu Bekri i drejtohet duke i thënë: ”Çfarë je duke thënë o Han’dhale?!” dhe e kujtoni hadithin, ku më pas shkuan dhe e lajmëruan të dërguarin e Allahut dhe e kemi përmendur shpjegimin e hadithit. Pra të dy sahabët, Han’dhale dhe Ebu Bekri Allahu qoftë i kënaqur me ata të dy dhe me të tërë sahabët e të dërguarit të Allahut ﷺ, frikësoheshin për veten e tyre nga nifaku.

Për këtë arsye pra, shikoni se çfarë thonë robërit e devotshëm të Allahut të cilëve Allahu ua dha kuptimin e duhur të kësaj çështjeje, si zotëria ynë, Ibrahimi i cili ka thënë:

رَبَّنَا وَاجْعَلْنَا مُسْلِمَيْنِ لَكَ وَمِنْ ذُرِّيَّتِنَا أُمَّةً مُسْلِمَةً لَكَ

“Zoti ynë, bëna neve të dyve besimtarë të sinqertë e të nënshtruar ndaj Teje dhe nga pasardhësit tanë, bëji besimtarë të sinqertë e të nënshtruar  ndaj Teje.” El-Bekare, 2:128

Ndërsa në një vend tjetër thotë:

وَاجْنُبْنِي وَبَنِيَّ أَنْ نَعْبُدَ الْأَصْنَامَ

“Më largo mua dhe pasardhësit e mi nga adhurimi i idhujve.” Ibrahim, 14:35

Shikoni, i dërguar i Allahut, miku i ngushtë i Allahut, i lutet Allahut që kur t’ia marrë shpirtin, të vdesë në fenë Islame, pastaj i lutet Allahut që ta largojë atë nga adhurimi i idhujve. Prandaj Ibn ebi Mulejke thotë që sahabët frikësoheshin për veten e tyre nga nifaku, ndërsa sa i përket Murxhiave, këta as nuk tregojnë edukatë me Allahun dhe as nuk kanë dituri. Nuk kanë dituri për parimet e Ehlus-Sunnetit në lidhje me këtë temë dhe i refuzuan argumentet e qarta nga Kurani dhe sunneti, pastaj nuk kanë as edukatë me Allahun pasi ata pretendojnë dhe thonë:

”Unë jam besimtar me iman si imani i Xhibrilit, unë jam besimtar me iman si imani i Israfilit, unë jam besimtar me iman si imani i Mikailit!”

Prandaj ka thënë Ibn ebi Mulejke:

“Asnjë prej sahabëve nuk thoshte se imani i tij ishte si imani i Xhibrilit apo Mikailit.”

Çfarë kishte për qëllim me këtë Ibn ebi Mulejke? Kishte për qëllim se sahabët frikësoheshin për veten e tyre nga nifaku dhe nuk pretendonin siç pretendojnë injorantët në mesin e Murxhiave dhe ekstremistët (gulatët) në mesin e tyre të cilët thonë:

”Imani as nuk shtohet dhe as nuk pakësohet” dhe sipas këtyre, fasiku, gjynahqari apo dhe ai që ka rënë në gjynahe të mëdhaja, sado gjynahe të ketë bërë dhe për sa kohë është në Islam, imani i tij është si imani i Xhibrilit dhe i Mikailit.! Dhe kjo qartazi është edukatë e keqe, madje këta Murxhiat e devijuar, vetë ata e kuptojnë se janë gënjeshtarë pasi secili prej nesh e kupton fare qartë se i ndodh disa herë që ai të jetë i përkushtuar në adhurimin e tij që i bën Allahut dhe herë të tjera është i mangët, herë i ndodh që në zemrën e tij, siguria dhe bindja në iman është e lartë dhe herë është e dobët dhe këtë fakt nuk e vë në diskutim askush përveçse atij që është mendjemadh dhe për këtë arsye, të gjitha këto ajete dhe hadithe të sakta që vërtetojnë që imani shtohet (dhe pakësohet), këtyre teksteve sheriatike nuk u kushton rëndësi veçse ai që është injorant.

Prandaj nuk gjen bidatçi që refuzon qartazi tekstet nga Kurani dhe sunneti, vetëm se ai e devijon kuptimin e tyre, e deformon kuptimin që duket qartë prej këtyre teksteve në mënyrë që të përputhet me epshin e tij. Për këtë arsye rruga e selefëve është rruga e sigurt dhe përveç saj, nuk nevojitet rrugë tjetër. Sahabët frikësoheshin për veten e tyre, ndërsa Murxhiat thonë që imani ynë është si imani i Xhibrilit dhe Mikailit.! Dhe këtë ether të Ibn ebi Mulejkes e paraqiti me zinxhir të plotë transmetimi Ebu Zurah ed-Dimashki në librin e tij “Tarikh” dhe Ebu Zurah ed-Dimashki është i besueshëm, prej imamëve të njohur, dhe nuk është Ebu Zurah er-Razi megjithëse dhe ky është prej imamëve të njohur, Allahu i mëshiroftë që të gjithë ata.

 

Shpërndaje: