Imam Muhammed Nasirudin el-Albani (v. 1420)
Përgatiti www.perlatmuslimane.com
Pyetje: “Janë disa rregulla me të cilat punojnë disa të rinj. Ndër to janë: “Kush nuk bën tekfir mbi një jobesimtar, ai është jobesimtar”, “Kush nuk e konsideron bidatçiun bidatçi, ai është bidatçi” dhe “Kush nuk është me ne, është kundër nesh.” Shejkhu ynë, çfarë mendoni në lidhje me këto rregulla?”
Përgjigje: “Prej nga erdhën këto rregulla? Kush i ka thënë?
Këto rregulla ma kujtojnë një tregim, i cili vjen nga vendi prej nga vij unë, Shqipëria, tregim të cilin babai im- Allahu e mëshiroftë- e tregonte në disa mexhlise. Tregimi ishte kështu: Ka qenë një njeri i ditur. Ai kishte vizituar një shok të tij. Pasi doli nga shtëpia e tij, e bëri kafir atë. I thanë atij: “Perse e bën këtë?” Në vendin tonë ishte zakon – mendoj se kjo është në shumë prej vendeve joarabe- t’i nderojnë dhe respektojnë dijetarët me dallime të lehta nga vendi në vend, që dallojnë sipas adeteve dhe zakoneve që ata posedojnë. Prej këtyre shembujve, janë: Nëse një dijetar hyn në shtëpi për ta vizituar dikë, pasi ta përfundojë vizitën, kur ai të dalë nga shtëpia, është e detyrueshme që t’i kthehen këpucët nga vetja, në mënyrë që dijetari të mos ketë nevojë të rrotullohet për t’i mbathur ato. E kështu do t’i ketë të gatshme për t’i futur këmbët në to.
Kur një dijetar e vizitoi një prej shokëve të tij, i gjeti këpucët ashtu siç i kishte lënë kur kishte hyrë brenda. Në atë rast, dijetari i thotë se ky veprim është i gabueshëm. Për çfarë arsye? Sepse dijetari nuk është respektuar. Dhe ai që nuk e respekton dijetarin, nuk e respekton dijen. Dhe ai që nuk e respekton dijen, nuk e respekton të parin, i cili erdhi me këtë dije. Dhe i pari që erdhi me këtë dije është Muhammedi alejhis-salatu ues-selam. Dhe kështu, në mënyrë të lidhur, çështja arrin deri te Xhibrili dhe Zoti i botëve. Dhe nga kjo, ai bëri që ta konsiderojë atë si jobesimtarë (bëri tekfir).
Pyetja juaj, apo thënë rregulli që përmendët, ma kujtoi këtë ndodhi. Nëse dikush e konsideron dikë jobesimtarë dhe ia ngritë atij argumentin, nuk është kusht që të gjithë njerëzit të jenë me të në këtë gjykim të tij. Ngase, vet ky mund të jetë ai i cili ka bërë interpretim të gabueshëm. Ndërsa, ka mundësi që dijetari tjetër të mendojë se në këtë rast nuk lejohet të konsiderohet si jobesimtarë një personi i tillë. Dhe e njëjta gjë ndodh edhe me të konsideruarit e tjetrit mëkatar/i përdalë dhe bidatçi. Në realitet, kjo është prej sprovave të kësaj kohe, ku disa prej të rinjve nguten duke pretenduar se kanë dije.
Ajo që kemi për qëllim të themi, është se kjo formë zinxhirore, apo ky kushtëzim, nuk mund të jetë i vlefshëm në asnjë mënyrë. Kjo është një portë e gjerë, ku një dijetarë mund ta konsiderojë të obligueshme këtë gjë, e dikush nuk mund ta shohë pikërisht kështu.
Është e ditur se kur dijetarët janë në kundërshtim për ndonjë çështje, qoftë në kohët e hershme apo tani, kjo është prej ixhtihadit të dijetarëve. Ajo që i takon këtij kapitulli, është se nuk mund të detyrohen njerëzit që të kenë të njëjtin opinion. Ai që obligohet të marrë opinionin e caktuar, ai është “pasues i verbër” (mukalid– ai i cili nuk ka dije). Pra, ai është i detyruar të pasojë në këtë formë. Ndërsa, për dijetarin i cili ka opinionin e tij për të bërë tekfir, tefsik dhe tebdi’ mbi ndokënd, nuk e ka të obliguar ta pasojë dikë prej dijetarëve të tjerë. Kjo është një fatkeqësi, inshallah nuk përhapet prej vendit tuaj për në vende të tjera.”
Pyetësi: “Në të vërtetë, i nderuar Shejkh, në vendin tonë ekziston çështja e të bërit bidatçi të tjerët dhe të tjerat…”
Shejkhu: “Ndërsa, kur jemi tek Xhemati Tekfir, është e ditur se ata kanë dalë nga Egjipti. Kjo fitne ndodhi edhe këtu në Aman, para se unë të vij këtu, do të thotë afërsisht para katërmbëdhjetë vitesh. Mirëpo, e falënderojmë Allahun, ata tashmë janë udhëzuar dhe drejtuar në praktikimin e Sunnetit.
Gjithashtu, edhe në Damask ndodhi e njëjta gjë para se unë të vij këtu. Disa njerëz u munduan ta përhapin çështjen e tekfirit, por Zoti ynë nuk e lejoi këtë gjë, elhamdulilah. Kështu edhe atje mbetën duarbosh. Mirëpo, ja që ky devijim është ende prezent në Egjipt, e siç duket edhe te ju ka arritur diç nga kjo gjë te disa nxënës të dijes. Tek Allahu kërkojmë mbështetjen!”