Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Rruga më e shpejtë për te Allahu -te ala-

Imam Jahja bin Sheraf en-Neueui (v. 677)
Bustan-ul-‘Arifin, fq. 94-97
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Ma’ruf ka thënë: “Dëshmia se Allahu e urren një njeri është kur e sheh atë duke u marrë me gjëra që nuk i përkasin.”

El-Fudejl bin ’Ijadh ka thënë: “Ti i kërkon Allahut xhenetin ndërsa bën atë që Ai e urren. Nuk kam parë dikë me mendim më të dobët për veten se ti.”

Sehl bin Abdullah ka thënë: “Nuk ka perde më të gjerë mes robit dhe Zotit të tij sesa pretendimi. Dhe nuk ka rrugë më të shpejtë për tek Ai sesa robi që tregon nevojën e vet.”

Ebu Jahja En-Nekraui ka thënë: “Nuk kam parë askënd që adhuronte më shumë se Shu’beh. Ai mbeti i tillë derisa nuk mbeti më mish mes lëkurës dhe kockave të tij.”

Shafei ka thënë: “Mirësia e të dy botëve qëndron në pesë gjëra: të jesh i kënaqur, të largosh të keqen nga të tjerët, të kërkosh një rrizk të lejuar, të kesh frikë Allahun dhe të mbështetesh tek Ai në çdo gjendje.”

Shafei ka thënë: “Ai që dominohet nga epshet për dynjanë, do të mbetet rob i njerëzve të kësaj bote. Ai që është i kënaqur, do të shpëtojë nga poshtërimi.”

Shafei ka thënë: “Ai që dëshiron që Allahu t’ia hapë zemrën dhe t’i japë dije, le të vetmohet, të hajë pak dhe të mos shoqërohet me mëkatarë dhe dijetarë që nuk janë të drejtë dhe nuk kanë edukatë.”

Shafi’i ka thënë: “Ushqimi më i dobishëm është devotshmëria dhe më i dëmshmi është tirania.”

Shafei ka thënë: “Veprat më të mira janë: përmendja e Allahut, ngushëllimi i vëllezërve dhe drejtësia ndaj të tjerëve.”

Kjo do të thotë se këto tre gjëra janë prej veprave më të vlefshme.

Shafei ka thënë: “Vetëm i sinqerti e di se çfarë është syefaqësia.”

Do të thotë askush nuk mund ta kuptojë realiteti dhe paqartësitë e tij përveç atij që dëshiron të jetë i sinqertë. Ky person kalon shumë kohë duke hulumtuar, menduar dhe studiuar për ta kuptuar atë ose të paktën një pjesë të tij. Jo të gjithë e arrijnë këtë. Vetëm elita e arrin. Të thuash se çdo njeri e di se çfarë është syefaqësia, është dëshmi e injorancës ndaj realitetit të saj.

Shpërndaje: