Alameh Rabi bin Hadi el-Medkhali
El-Uasaja el-Menhexhijjeh, fq. 235-236
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Ebu Xhuhejfeh ka thënë:
“Aliu më tha: “O Xhuhejfeh! A të mos tregoj se kush është njeriu më i mirë i këtij umeti pas profetit të tij ﷺ?”
Unë i thashë: “Po”.
Ai tha: “Unë besoj se nuk ka njeri më të mirë se ai; njeriu më i mirë i këtij umeti pas profetit të tij është Ebu Bekri dhe pas Ebu Bekrit është Umeri dhe pastaj është një person i tretë.” Por ai nuk e përmendi atë.”1
Aun bin Ebi Xhuhejfeh ka thënë:
Babai im më tregoi se Aliu -radijAllahu anhu- hipi në minber, e lavdëroi dhe e madhëroi Allahun -te ala-, dërgoi selame dhe salavate mbi profetin ﷺ dhe tha:
“Njerëzit më të mirë të këtij umeti pas profetit të tij ﷺ janë Ebu Bekri dhe pastaj Umeri. Allahu -te ala- e vendos të mirën ku të dojë.”2
Muhamed bin el-Hanefijeh ka thënë:
I thashë babait tim [Ali bin Ebi Talibit]: “Kush janë njerëzit më të mirë pas të dërguarit të Allahut ﷺ?”
Ai tha: “Ebu Bekri”.
Unë i thashë: “Kush është pas tij?”
Ai tha: “Umeri”.
Pastaj u frikësova se ai do të thoshte Uthmani nëse do të pyesja “e kush është pas tij?”, dhe thashë: “Pastaj ti?”
Ai tha: “Babai yt është vetëm njëri prej muslimanëve.” 3
Pra, Aliu nuk është ilah (i Adhuruar) siç thonë rafidat dhe mistikët. Ai ishte vetëm njëri prej muslimanëve që e njihte përsosmërinë dhe statusin e dy vëllezërve të tij dhe se ata ishin më të mirë se ai. Sipas umetit, njerëzit më të mirë pas të dërguarit të Allahut ﷺ janë; Ebu Bekri, Umeri, Uthmani dhe Aliu. Pra, Aliu ishte i katërti.
Këta ishin kalifët e drejtë. Ata ishin më të mirë se dhjetë sahabët e përgëzuar me xhenet dhe më të mirë se të gjithë sahabët e tjerë. Ju e dini se sa të shkëlqyer kanë qenë sahabët më të ulët (në grada) – atëherë si ishin më të lartët dhe më të mirët, domethënë katër kalifët e drejtë? Allahu qoftë i kënaqur me ta!
1 Ahmedi (1/106).
2 Ahmedi (1/106).
3 Bukhari (3671).