Imam Muhamed bin Salih bin Uthejmim (v. 1421)
El-Lika Esh-Shehri (40 A)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Është sunnet që të bëhet umreja gjatë Ramazanit. Megjithatë, njerëzit bëjnë disa gabime në lidhje me këtë. Një prej tyre është se disa prej tyre bëjnë umre për veten. Pas disa ditësh bëjnë umren e dytë për nënën e tyre. Pas disa ditësh bëjnë një të tretë për babain e tyre. Pas disa ditësh bëjnë një të katërt për gjyshen e kështu me radhë. Disa ndoshta e bëjnë atë madje disa herë brenda të njëjtës ditë. I sheh duke bërë umre me kokën e rruar.
Pashë një person duke bërë sa’i mes Safasë dhe Meruasë. Kishte rruar vetëm gjysmën e kokës. E pyeta për këtë. Ai tha se pjesa e rruar ishte për umren e djeshme dhe pjesa e pa rruar ishte për umren e sotme. Sipas analogjisë së tij, ai duhet të ndante rruarjen e flokëve në katër pjesë nëse do të kishte ndërmend të bënte umre katër herë. Të gjitha këto janë gabime që vijnë nga dëshira për të vepruar mirë nga njerëzit dhe injoranca rreth sheriatit.
Është e njohur gjerësisht se adhurimi ka dy kushte themelore: duhet të jetë sinqerisht për Allahun dhe sipas udhëzimit të profetit. A janë këta më dashamirës sesa sahabët? Betohem në Allahun se nuk janë. As nuk janë më të ditur sesa sahabët rreth fesë së Allahut. Le të sjellin qoftë edhe një hadith të vetëm që sahabët kanë bërë më shumë se një umre gjatë Ramazanit apo jashtë tij. Nuk ka asgjë autentike e as të dobët që tregon se ata e kanë bërë këtë.
‘Ata -rahimehullah- që ishte fakih i Mekës, ka thënë: “Nuk e di nëse këta që po shkojnë në Ten’im për të bërë një umre të dytë janë duke bërë mëkat apo do të shpërblehen.”
Ai e tha këtë sepse ky veprim nuk përputhet me sheriatin.