Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
“Dhe kur të pyeten ato vajza të varrosura së gjalli.” Et-Tekuir, 81:8
Mauudah është vajza që e varrosin të gjallë nën tokë derisa ajo të vdesë poshtë dheut dhe kjo ishte një praktikë që e vepronin mushrikët në kohën e injorancës para Islamit me vajzat që lindnin. Ata nuk i pëlqenin vajzat sepse i frikësoheshin varfërisë ose kishin frikë nga turpi. Ata kishin frikë se vajzat do të prisheshin moralisht dhe më pas do të turpëroheshin prej tyre kështu që ata dëshironin t’i hiqnin qafe vajzat.
”Dhe kur i vjen lajmi për lindje të vajzës, cilitdo prej tyre i nxihet fytyra dhe përbrenda mbushet plot hidhërim që zien! Ai fshihet me turp nga njerëzit për shkak të së keqes që ia njoftuan. A ta mbajë atë me dhimbje dhe i poshtëruar apo ta shtjerë atë në tokë? A nuk është me të vërtetë i keq gjykimi i tyre?” En-Nahl, 16:58-59
Allahu e krijoi femrën në mënyrë që ajo të kryejë detyrat për të cilat është krijuar. Që të adhurojë Allahun dhe të jetë bashkëshorte e drejtë, të edukojë fëmijët e saj. Ajo ka detyrat e saj që janë specifike për të. Detyrat e saj janë të mëdha, madje as burrat nuk janë në gjendje t’i kryejnë detyrat e saj dhe po ashtu dhe gratë nuk janë në gjendje të kryejnë detyrat e burrave. Allahu secilës kategori i ka përcaktuar detyra që janë të përshtatshme për secilën kategori. Kështu që në këtë mënyrë plotësohen interesat e gjthësecilit, forcohet ndihma reciproke dhe në bazë të kësaj familjet ndërtohen. Në këtë mënyrë ndërtohet shoqëria.
Tani në këtë kohë vijnë njerëz që i ngjajnë njerëzve të periudhës së injorancës para Islame. Nëse (mushrikët arabë) donin që femra të varrosej e gjallë nën tokë, këta (sekularistët dhe liberalët) duan që ajo të varroset mbi tokë ndërkohë që ajo është e gjallë. Kuptimi i kësaj është se ata duan ta zhvleftësojnë atë duke hequr prej saj moralin dhe detyrat e saj që janë të përshtatshme për të. Ata duan që ajo të marrë përsipër detyrat e burrave dhe duan të heqin prej saj turpin dhe modestinë.
Pra ajo pastaj nuk është as burrë e as grua. Nuk është e mundur që një grua të bëhet burrë. Nuk mund të konsiderohet grua sepse nuk ka moralin që duhet të ketë një grua dhe nuk kryen detyrat që i përkasin një gruaje. Ajo nuk është as burrë dhe as grua. Pra varrosja e saj për gjalli mbi tokë është nga ana kuptimore dhe kjo është më e keqe sesa varrosja e saj për së gjalli fizikisht nën tokë sepse në rastin e fundit ajo vritet, vdes dhe rehatohet.
Ndërkohë që në rastin e parë, ajo mbetet gjallë duke jetuar me dhimbje dhe nuk ka asnjë vlerë në shoqëri. Kjo është ajo që kërkon perëndimi kufarë nga gruaja muslimane. Agjentët e tyre punojnë për ta zbatuar këtë, qofshin këta nga sekularistët, liberalët dhe nga ata fëmijë të muslimanëve që janë bërë si perëndimorët. Ne e lusim Allahun që të na ndihmojë.
“Dhe kur të pyeten ato vajza të varrosura së gjalli. Për çfarë gjynahi janë mbytur?” Et-Tekuir 81:8-9
Kjo tregon rëndësinë që ka gruaja në shoqëri dhe se ajo duhet të mbrohet dhe se nuk duhet të tejkalohen kufijtë kundrejt saj. Nuk është e lejuar t‘ia marrësh jetën asaj duke e vrarë, as duke ia hequr asaj turpin, ndrojtjen, dëlirësinë, nderin dhe detyrat që i përkasin asaj. Për të tëra këto ka përgjegjësi, patjetër do të pyetet në ditën e ringjalljes: Kush e bëri këtë me gruan?!
Kjo thekson të drejtën e gruas. Të drejtën e saj të vërtetë, jo të drejtat e saj të rreme, përkundrazi të drejtën e saj të vërtetë. Kjo thekson se ajo ka të drejtat e saj në shoqëri. Ajo ka të drejtë mbi kujdestarin e saj, të afërmit e saj dhe ka të drejtat e saj në shoqëri. Pra gruaja nuk duhet të konsiderohet e padobishme dhe e pavlerë duke ia marrë jetën asaj fizikisht dhe as duke ia hequr turpin, dëlirësinë dhe nderin e saj. Pasi në të kundërt, ajo përfundon në një gjendje ku nuk është as burrë e as grua.