“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

Selefizmi nuk është një sekt prej sekteve

Alameh Rabi bin Hadi el-Medkhali
Mexhmu-ul-Fataua (1/165-167)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Pyetje: A është Selefizmi një sekt prej sekteve?

Përgjigje: Kësaj pyetjeje i jam përgjigjur me një artikull më të gjatë në gazetën ”el-Muslimun”. Selefitë janë pasuesit e së vërtetës. T’i atribuohesh metodologjisë Selefite është nder. Është obligim miratimi dhe të kapurit për të (menhexhin Selefi).

Allahu -tebare ue te ala- e obligoi këtë kur tha:

“Dhe vërtet kjo është rruga Ime e drejtë kështu ndiqeni atë dhe mos ndiqni rrugë të tjera pasi ato do t’ju ndajnë e do t’ju largojnë nga rruga e Tij.” 1

“Dhe kushdo që kundërshton të dërguarin, pasi t’i jetë treguar qartë atij rruga e drejtë dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, Ne do ta mbajmë atë në atë drejtim që ai vetë ka zgjedhur. Dhe do ta djegim atë në zjarr – dhe sa përfundim i keq është ai!” 2

Metodologjia e selefëve nuk është gjë tjetër veçse të kapurit për rrugën e besimtarëve në të cilën ishin sahabët, tebiinët dhe selefët e drejtë pas tyre. Ka dëshmi të vjetra edhe të reja për këtë.

Përveç kësaj ata nuk janë një sekt. Nga ana tjetër, sektet e devijuara duan të njollosin metodologjinë e selefëve, të largojnë njerëzit prej saj dhe na akuzojnë se jemi një sekt si ata. Selefitë bashkëpunojnë në devotshmëri dhe frikë ndaj Allahut, gjë të cilën Allahu e ka obliguar. Nuk pati profet vetëm se thërriti dhe mobilizoi një grup pasuesish rreth tij në mënyrë që ata të bëheshin xhemat. Nuk ka reformator që nuk bëri të njëjtën gjë.

I dërguari ﷺ i thirri njerëzit dhe ata u mblodhën rreth tij dhe u bënë një grup luftarak që u përpoqën në përhapjen e Islamit dhe luftuan në rrugën e Allahut.

Profeti ﷺ ka thënë:

”Besimtarët mes veti janë si një ndërtesë e vetme; ata e forcojnë njëri-tjetrin.” 3

Secili që pranon Selefizmin duhet të qëndrojë në krah të vëllait të tij dhe ta mbështesë atë edhe nëse këta mashtrues i akuzojnë ata për sektarizëm. Kjo nuk u bën dëm atyre sepse ata janë Grupi i Allahut. Megjithatë, janë të tjerët që e teprojnë me klerikët e tyre dhe i shenjtërojnë ata, duan dhe urrejnë për hir të tyre, i përmbahen së kotës dhe e mbrojnë atë. Kjo nuk lejohet fare.

Nëse Ibn Tejmijeh ka gabuar, ne themi se ka gabuar. Nëse Ibn Bazi ka gabuar, ne themi se ka gabuar. Nëse Muhammed bin Abdil-Uehabi ka gabuar, ne themi se ka gabuar. A e kuptoni këtë?

Të metat e tyre janë si të metat e të gjithë imamëve të tjerë; nëse kanë të drejtë shpërblehen dy herë, e nëse gabojnë shpërblehen një herë. Megjithatë, ne nuk mund të pranojmë gabimet e tyre apo t’i mbrojmë ato gabime. Kjo është diçka me të cilën grupet e tjera nuk pajtohen. Edhe kur klerikët e tyre bien në devijimin më të madh, i dëgjon duke thënë se ajo është e saktë dhe i mbrojnë ata.

Kur argumentova se si Sejid Kutbi i fyeu sahabët, e akuzoi Benu Umejeh për kufër, i akuzoi Benul-Abbas dhe Benu Umejeh për kufër, e akuzoi të gjithë umetin për kufër, mbrojti krijimin e Kuranit, panteizmin, besimin e rafidave, besimin e khauarixhëve dhe të gjitha llojet e bidateve të tjera nga perëndimi dhe lindja, e patë se si njerëzit e mbronin atë, donin dhe e urrenin për të, mbronin librat e tij dhe luftuan librat që përhapnin metodologjinë Selefite dhe e shuajnë këto të kota të lartpërmendura. Ata i luftojnë këto libra në mënyrën më të ashpër.

A i keni dëgjuar selefitë duke mbrojtur gabimet e dijetarëve të tyre? Nëse ndonjëri prej tyre gabon, ata thonë se ai ka gabuar. Hamud et-Tuvejxhiri e refuzoi el-Albanin, el-Albani e refuzoi Hamud et-Tuvejxhirin. Ismail el-Ensari e refuzoi el-Albanin, el-Albani e refuzoi Ismail el-Ensarin. Megjithatë, ata mbetën vëllezër edhe pse refuzuan njëri-tjetrin. Ed-Darakutni, Ebu Hatim dhe Ebu Zur’ah e refuzuan el-Bukhariun.

Sipas këtyre njerëzve nuk lejohet të kritikosh. Pse jo? Të devijuarit nuk lejojnë që imamët e tyre të refuzohen sado të devijuar që të jenë. Pastaj ata kërkojnë që të përmenden anët e mira dhe ato të këqijat.

Megjithatë, ata vetë kurrë nuk i përmendin anët e mira të Ehl-us-Sunnetit. Pavarësisht falsitetit të menhexhit të muvazenatit (menhexhi i balansimit mes të mirave dhe të këqijave të personit) të tyre, ata kanë shpikur metodologji dhe parime të tjera për të tërhequr nga rruga e Allahut dhe për të mbrojtur risitë dhe devijimet. Cilat anë të mira duan që ne t’i përmendim? Ti përmend njëqind bidate të mëdha të një personi dhe ata kërkojnë që të përmendni edhe anët e tij të mira. Kush është tani murxhiah ekstrem?

Sprovoni ata me atë që po ndodh në Afganistan dhe Turqi. Sprovoni ata me disa individë që jetojnë atje. Çfarë thonë ata për ta?

Betohem në Allahun se murxhiat turpërohen për këto metodologji. Në të njëjtën kohë, ata janë të ashpër ndaj selefive dhe i akuzojnë për çdo gjë dhe i fyejnë padrejtësisht.

Ky umet është sprovuar me këto sekte dhe sektarizmin e tyre. Selefitë pra janë Grupi i Allahut. Siç ka thënë Allahu për të dërguarin e Tij dhe sahabët e tij -radijAllahu anhum-:

”Ata janë pala e Allahut. Vërtet! Është pala e Allahut që do të jenë ngadhënjyesit.” 4


1 6:153

2 4:115

3 Bukhari (2446) dhe Muslimi (2585).

4 58:22

Shpërndaje: