Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Shërimi i dyshimeve në fe

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Përgatiti: www.perlatmuslimane.com

Pyetje: “Unë jam një vajzë që shpeshherë zgjohem natën, dhe thyhem në zemër kur dëgjoj disa prej ajeteve paralajmëruese dhe ajeteve të cilat na japin shpresë për hyrjen në Xhenet. Jo rrallëherë unë qaj e qaj me të madhe.

Pasha Allahun, unë i dua njerëzit të cilët janë të dhënë pas fesë dhe adhurimeve, ndërsa i urrej mëkatarët. Unë nuk jam prej atyre vajzave të cilat humbin kohën e tyre duke shikuar televizorin, apo që janë të dhëna pas leximit të gazetave e revistave të ndryshme. Pra, nuk jam prej këtij lloji të femrave. Por, problemi im është që në disa kohë unë kaplohem nga ndjenja të çuditshme. Veçanërisht kur jam duke u falur apo kur lexoj Kuran. Ndjej se brendia ime më ngushton për së tepërmi dhe se diçka e pakuptimtë më shtrëngon në gjoks. Shejtani më fut dyshime të shumta, më bën t’i bëj pyetje vetvetes sime dhe të gjej përgjigje nga më të ndryshmet! Të gjitha këto kanë të bëjnë me fenë.

Në raste kur më ndodh kjo, unë ngrihem dhe kërkoj mbrojtjen e Allahut nga shejtani i mallkuar shumë herë. Mirëpo, shejtani vazhdimësi shejtani më bën të ndjehem e tillë. Nuk po mund që të çlirohem nga kjo gjendje, gjë e cila më bën që ndonjëherë të lë edhe adhurimin të cilin jam duke e kryer.

Tani, i nderuari Shejkh, unë po frikësohem për së tepërmi që shejtani të më mund mua, dhe të më bëj mua të lëkundur në fenë dhe besimin tim! Cila është rruga që të shpëtoj nga kjo gjë? Më këshillo Allahu të dhëntë sukses në të dy botët. Allahu na bashkoftë neve, juve dhe të gjithë myslimanëve në Xhenet!”

Përgjigje: “Realiteti është se këto janë vesvese, të cilat kanë ardhur si shkak i diçkaje dhe të cilat kanë shërim.

Nuk ka dyshim se ato (vesveset) janë sëmundje, të cilat kanë nevojë për ilaç. Kjo sëmundje ka ardhur si rezultat i diçkaje. Dhe shkaku është se: Kur shejtani sheh nga njeriu përqendrim në fenë e Allahut, atëherë ai mundohet që nëpërmjet të çdo forme ta largoj atë nga rruga e Allahut.

Thotë Allahu (Tabarek ue Te ala) në lidhje me Shejtanin:

قَالَ فَبِمَا أَغْوَيْتَنِي لأَقْعُدَنَّ لَهُمْ صِرَاطَكَ الْمُسْتَقِيمَ {16} ثُمَّ لآتِيَنَّهُم مِّن بَيْنِ أَيْدِيهِمْ وَمِنْ خَلْفِهِمْ وَعَنْ أَيْمَانِهِمْ وَعَن شَمَآئِلِهِمْ

“Ai tha: “Për shkak se Ti më flake tej, unë do t’u zë pritë njerëzve në rrugën Tënde të drejtë e do t’u qasem atyre nga përpara dhe nga mbrapa, nga e djathta dhe nga e majta.” 7:16-17

Armiku yt ta zë pritën në rrugën e drejtë të Allahut dhe të vije nga çdo anë; padyshim se ai dëshiron që të të shkatërroj e të humbas në tërësi. Mirëpo, dije se shejtani u vjen njerëzve të drejtë, qofshin ata burra apo gra. Ndërsa, atij që nuk është në rrugën e drejtë, ndërsa për atë që nuk është i tillë, shejtani nuk ka punë me të! Nuk i afrohet asnjëherë. Prandaj, i dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue alihi ue selem) ka thënë, atëherë kur sahabët iu ankuan (në lidhje me vesveset e tilla): “A e gjeni veten tuaj në këtë?” Ata i thanë: “Po o i dërguar i Allahut.” Ai tha: “Kjo është shenjë e imanit të sinqertë.”

E sinqerta e diçkaje do të thotë se ajo është e pastër, e cila nuk është e përzier me asgjë. Dhe i dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue alihi ue selem) tha se kjo është shenjë e imanit të sinqertë. Që do të thotë se, shenjë e imanit të pastër, dhe kjo nënkupton se ekzistojnë edhe dyshime. Mirëpo, besimtari e largon këtë gjë nga vetja e tij. Dhe kur të pyetet se, a beson një gjë të caktuar (nga dyshimet që i vijnë njeriut në çështje të fesë (v.p.)), ai thotë: në asnjë mënyrë dhe kërkoj mbrojtjen e Allahut! Unë iki nga kjo gjë ashtu sikurse iki nga ujku apo edhe më larg. Këtë e thotë njeriu edhe pse shejtani i fut atij dyshime. I dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) tha se, kjo është shenjë e imanit të sinqertë.

I dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) tregon për dy ilaçe në këtë aspekt. Apo ndryshe mund të themi se, ka një ilaç të përbërë nga dy komponentë. E para është që, të kërkimi i mbrojtjes nga Allahu prej shejtanit të mallkuar. Dhe e dyta, është mohimi dhe refuzimi i dyshimit. Njeriu duhet të qëndroj larg këtyre gjërave dhe të merret me punët dhe adhurimet e tij. Kështu largohen dyshimet.

“Të kërkosh mbrojtjen e Allahut”, do të thotë që këtë gjë ta thuash me bindje të plotë dhe të jesh i bindur se ti ke nevojë për Allahun, duke e ditur se vetëm Allahu mund të të ndihmojë dhe askush e asgjë tjetër. Kështu pra thua: “Kërkoj mbrojtjen e Allahut nga shejtani i mallkuar.”

E dyta është që, njeriu ta refuzojë dhe ta mohoj dyshimin që i vije. Lëre këtë dyshim dhe ndjehu kinse nuk ka ndodhur asgjë. Kështu largohen dyshimet.

Tregohet se disa prej jahudive i thanë dikujt prej ensarëve: “Ne nuk kemi dyshime përgjatë lutjeve tona.” Do të thotë se, ne nuk mendojmë gjëra të tjera kur falemi. Ensarët i treguan Ibn Mes’udit apo Ibn Abbasit radijallahu anhuma se ne nuk mendojmë gjëra (nuk kemi dyshime) në namaz. Ai tha: “E vërtetë! Çfarë ka të bëj shejtani me zemrën e prishur?!” Realisht, çfarë ka të bëj me zemra të tilla? Asgjë. Kur të jetë zemra e prishur nuk ka se çfarë të shkatërrohet në të. Por, kur të jetë zemra e fortë me përmendje ndaj Allahut, nënshtrim dhe frikë ndaj Tij, atëherë shejtani sulmon.

Prandaj, i them pyetëses: Allahu të begatoftë në adhurimin dhe veprat tuaja, dhe se ti duhesh të refuzosh dhe t’i mohosh në formë të plotë gjërat e tilla, harroji ato dhe kërko mbrojtjen e Allahut nga shejtani i mallkuar. Pastaj, dije se kjo nuk të dëmton ty asgjë, ngase i dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem tha: “Kjo është shenjë e imanit të sinqertë.” Falënderoje Allahun për këtë mirësi, se këto dyshime shqetësuese e frikësuese nuk na dëmtojnë ne dhe falënderimi i takon Allahut.

Allahu na forcoftë në fenë e tij neve dhe juve!”

Shpërndaje: