Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan
Burimi: https://youtu.be/vx6X44H5a6Y
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Personi nuk duhet të nënvlerësojë shirkun dhe të thotë: ”Ky është vetëm shirk i vogël.”
Cilët janë disa nga shembujt e shirkut të vogël? Për shembull, të betuarit në dikë tjetër përveç Allahut, si p.sh. të betuarit në një profet, të betuarit në këtë dhe atë, dhe të betuarit në amanetin.
Ai ﷺ ka thënë:
”Ai që betohet në dikë tjetër përveç Allahut, ka bërë kufër ose shirk.”
Ttransmeton Tirmidhi.
Ai ﷺ ka thënë:
”Mos u betoni në baballarët tuaj. Kush do që të betohet le të betohet në Allahun ose le të hesht.”
Pra nuk lejohet të betuarit në dikë tjetër përveç Allahut (azze ue xhel). Dhe kjo gjë shfaqet në gjuhën e shumë njerëzve si pasojë e ndjekjes së zakoneve dhe pasimit të verbër. Pra është detyrë pendimi nga kjo gjë dhe të kihet kujdes nga kjo! Personit nuk i lejohet të betohet në dikë tjetër përveç Allahut (azze ue xhel). Nëse dëshiron të betohet atëherë le të betohet në Allahun ose le të hesht.
Gjithashtu nga llojet e shirkut të vogël është kur shfaqet një sasi e vogël e syefaqësisë. Si p.sh., kur një person është duke u falur dhe ka dëshirë që njerëzit ta lavdërojnë atë, ose jep sadaka në mënyrë që njerëzit ta lavdërojnë atë. Ai bën vepra të mira ndërsa ka dëshirë që ta lavdërojnë kjo është syefaqësi. Puna (ibadeti) asgjësohet kur është bërë me syefaqësi. Nëse ai ka kryer një vepër që ka syefaqësi në të atëherë ajo është asgjësuar dhe ai nuk merr asnjë shpërblim për të.
Por ky (shirku i vogël) nuk ia asgjëson punët (ibadetet) e tjera sikurse bën shirku i madh por asgjëson vetëm punën e cila ka në të syefaqësi. Pra, ai që bën syefaqësi në veprat e tij i ka shoqëruar ortak Allahut (azze ue xhel) në atë vepër, por ky është shirk i vogël. Ai (shirku i vogël) ia asgjëson atë punë dhe ai nuk merr shpërblim për të.
Dhe kur kjo ndodh shumë dhe bëhet zakon dhe e pranishme në të gjitha veprat e tij arrin në gradën e shirkut të madh sikurse syefaqësia e hipokritëve. Hipokritët janë në thellësitë më të ulëta të zjarrit sepse ata bëjnë vepra të mira vetëm për tu parë (nga njerëzit). Të gjitha punët e tyre janë me syefaqësi. Ata nuk kishin për qëllim fytyrën e Allahut me punët e tyre. Ata dëshironin vetëm lavdërimin e njerëzve dhe të fshiheshin nën petkun e Islamit ndërsa në zemrat e tyre kishin kufrin. Ky është nifaku i madh dhe syefaqësia e madhe.
’’Padyshim që hipokritët përpiqen të mashtrojnë Allahun por është Allahu është Ai i Cili i mashtron ata. Dhe kur ngrihen për të falur namazin, qëndrojnë me përtaci dhe sa për t’u parë nga njerëzit dhe nuk e përkujtojnë Allahun veçse fare pak.” An-Nisa 4:142
Pra syefaqësia është dy lloje:
Lloji i parë është shirk i madh dhe kjo është syefaqësia e hipokritëve (munafikëve) të cilët nuk kanë besim fare në zemrat e tyre.
Lloji i dytë është syefaqësia që gjendet te besimtarët, në zemrat e të cilëve gjendet teuhidi dhe imani, por shejtani ua zbukuron atyre dashurinë për lavdërim dhe dashurinë për kryerjen e veprave të mira në mënyrë që të lavdërohen. Kjo nuk i nxjerr ata nga feja por i privon ata nga fitimi i shpërblimit për veprën në të cilën ndodhi në të syefaqësia.
Kështu që njeriu duhet të ketë frikë që të mos bie në syefaqësi. Kjo është arsyeja pse ai ﷺ u tha shokëve të tij:
”Asaj që më së shumti i frikësohem për ju është shirku i vogël.”
Kur u pyet për të, ai tha: ”Syefaqësia.”
Një person ngrihet, falet dhe e zbukuron namazin e tij për shkak se dikush tjetër po e sheh atë. Kur i dërguari ﷺ iu frikësua kësaj për shokët e tij, atëherë çfarë të themi për ata që vijnë pas tyre? Pra kjo është çështje e rrezikshme. Personi nuk duhet ta marrë me lehtësi çështjen e shirkut të vogël. Dhe prej shirkut të vogël është dhe shirku në shprehje (apo në të folur).
Si p.sh. kur thuhet: ”Po të mos ishte për Allahun dhe ty.”
”Po të mos ishte për Allahun dhe ty kjo nuk do të ndodhte.”
Kjo thënie nuk lejohet, kjo është shirk në të folur dhe nëse personi beson në këtë (ortakëri të krijesës me Allahun) me zemrën e tij, atëherë kjo është shirk i madh. Ndërsa nëse nuk e ka për qëllim në zemrën e tij këtë besim, por kjo shprehje vetëm doli nga gjuha e tij atëherë kjo është shirk i vogël.
Ajo që është detyrë të thuhet është:
”Po të mos ishte për Allahun dhe pastaj për ty.”
”Çfarë dëshiron Allahu dhe pastaj çfarë dëshiron ti.”
Sepse kur një njeri i tha profetit ﷺ: ”Çfarë të dëshirojë Allahu dhe ti.” Ai ﷺ i tha: ”A më bëre ortak me Allahun?” Thuaj: ”Çfarë dëshiron Allahu i Vetëm.”
Pra nuk të lejohet ty që të bashkosh (apo të bësh ortakëri) krijesën me Krijuesin në ndonjë çështje duke përdorur pjesëzën lidhore و, (’’dhe.’’)
(si për shembull): “Çfarë dëshiron Allahu dhe ti.”
”Sikur të mos ishte për Allahun dhe ty.”
Por duhet të thuash: ثم, “pastaj”. Si psh:
”Çfarë dëshiron Allahu dhe pastaj çfarë dëshiron ti.”
”Sikur të mos ishte për Allahun dhe pastaj për ty.”
Sepse kjo pjesëza ثم, ’’pastaj’’ përdoret për renditje dhe vazhdimësi. Ndërsa lidhëza, ’’dhe’’, përdoret për të treguar bashkim (pra ortakëri) në një çështje në mënyrë gjithëpërfshirëse (të pakushtëzuar) dhe nuk nënkupton as renditje ose vazhdimësi. Prandaj nuk duhet të përdoret lidhëza ’’dhe’’.
Për këtë arsye, Abdullah ibn Abbasi (radijAllahu te ala anhuma) e komentoi fjalën e Allahut:
”Atëherë pra, mos i bëni shokë Allahut (në adhurim) kur ju e dini (se vetëm Ai ka të drejtë të adhurohet e askush tjetër).” El-Bekare 2:22
Dhe tha: ”Kjo është thënia e dikujt: ’’Po të mos ishte Allahu dhe ti.’’
”Sikur të mos ishin qentë, do të vinin tek ne hajdutët.”
“Po të mos ishin patat në shtëpi, hajdutët do të kishin hyrë!”
Ti atribosh dikujt tjetër përveç Allahut ndikimin dhe rezultatet e çështjeve (p.sh. si në rastet e mësipërme), kjo është shirk i vogël. Është obligim që të jesh i vëmendshëm ndaj kësaj çështjeje.