Imam Jahja bin Sharaf en-Neveviu (v. 677)
Burimi: Sherh Sahih Muslim (14/178)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Profeti ﷺ ka thënë:
“Nuk ka sëmundje ngjitëse, nuk ka besëtytni për shkak të zogjve dhe nuk ka besëtytni për shkak të muajit Safer.” 1
Ai ﷺ gjithashtu tha:
“I sëmuri nuk duhet të përzihet me atë që është i shëndetshëm.”2
Shumica e dijetarëve thonë që është obligim bashkimi i këtyre dy haditheve të sakta dhe mënyra e bashkimit është si më poshtë:
Hadithi:
“Nuk ka sëmundje ngjitëse.“
ka për qëllim mohimin dhe kundërshtimin e besimit të arabëve në periudhën e xhahilijetit (para-Islamit) pasi ata besonin se sëmundjet ngjitëse (infeksionet) shkaktoheshin dhe vepronin vetvetiu pa lejen dhe fuqinë e Allahut (te ala).
Ndërsa hadithi i dytë na udhëzon se i sëmuri nuk duhet të përzihet (apo të kontaktojë) me atë që është i shëndetshëm pasi zakonisht në të tilla raste, personi i shëndetshëm mund të infektohet me lejen dhe caktimin e Allahut (te ala).
Pra hadithi i parë kundërshton besimin që infeksionet veprojnë vetvetiu dhe jo që infeksionet janë të padëmshme me lejen e Allahut.
Ndërsa hadithi i dytë ka udhëzim për marrjen e masave paraprake për të shmangur dëmin që ndodhë me lejen dhe caktimin e Allahut.
1.Bukhari (5757 dhe Muslimi (2220).
2.Muslimi (2221).