Imam Ibn Kajim el-Xheuzijeh (v. 751)
Burimi: “El-Feuaud”, fq, 157.
Përgatiti: www.perlatmuslimane.com
Shtyllat e mosbesimit janë katra: Mendjemadhësia, xhelozia, hidhërimi dhe epshi.
Mendjemadhësia bën që njeriu të mos bindet. Xhelozia bën që njeriu të mos e pranoj këshillën dhe të mos e dëgjoj atë fare. Hidhërimi bën që njeriu të mos jetë i drejtë. Epshi e bën njeriun të mos jepet pas adhurimeve.
Nëse njeriu largon mendjemadhësinë, atëherë do ta ketë të lehtë bindjen. Nëse e largon xhelozinë atëherë e ka të lehtë ta pranoj këshillën dhe ta dëgjoj atë. Nëse e largon hidhërimin do ta ketë të lehtë të jetë i drejtë dhe i thjeshtë. Nëse e largon epshin do ta ketë të lehtë durimin, ruajtjen e moralit dhe dhënien pas adhurimeve.
Ndërsa, zhdukja e kodrave nga vendi është më e lehtë sesa zhdukja e këtyre katër cilësive, për ata që janë prekur nga to. Edhe më e vështirë është kjo kur këto cilësi janë bërë pjesë identifikuese të njeriut dhe kur njeriu është zhytur thellë në to.
Ai që posedon këto cilësi, nuk ka mundësi ta kryej asnjë punë siç duhet dhe zemra e tij nuk do të jetë asnjëherë e pastër edhe atëherë kur vepron diçka. Çdo herë kur ai mundohet ta kryej ndonjë punë me përkushtim, këto katër gjëra ia shkatërrojnë atë punë!
Të gjitha të këqijat rrjedhin nga këto katër cilësi. Nëse ato cilësi mbizotërojnë brendinë e njeriut, kjo bën që e kota të mbështillet në petkun e të vërtetës, e vërteta të mbështillet në petkun e të kotës dhe gjëja e mirë të mbështillet në petkun e së keqes, e keqja të mbështillet në petkun e së mirës. Gjithashtu, kjo bën që njeriu të jepet pas dynjasë dhe ta lë anash çështjen e ahiretit.
Nëse shikon në mohimin të cilin e kanë pasur umetet e mëhershme, sheh se ata kanë pasur mu këto cilësi. Për shkak të këtyre cilësive kanë marrë ndëshkimin e Allahut. Pesha dhe rëndesa e dënimit është në proporcion të drejtë me posedimin dhe përvetësimin e këtyre cilësive tek ta.
Kushdo që ia hap dyert këtyre cilësive, iu janë hapur atij dyert e të gjitha të këqijave, qoftë ato të menjëhershme apo të mëvonshme. Gjithashtu, ai i cili ia mbyll dyert këtyre cilësive, atij iu janë mbyllur dyert e të këqijave. Kush i posedon këto cilësi, kjo bën që ai të mos jetë i nënshtruar, të mos jetë i sinqertë në punët që i bën, të mos pendohet sinqerisht për veprat e tij, të mos jetë vepër-mirë, të mos e pranoj të vërtetën, të mos e pranoj këshillën e myslimanëve të drejtë dhe bën që të mos jetë kokulur ndaj njerëzve dhe krijesave të tij.