Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan
Burimi: http://www.alfawzan.af.org.sa/node/14891
Përktheu: Valdet Gashi
Pyetje: Çka thoni në lidhje me ata të cilët muajin e Ramazanit e kalojnë duke shikuar seriale të ndryshme, muzika të ndryshme dhe duke ndenjur zgjuar deri vonë dhe në anën tjetër flenë në kohët e namazit?
Përgjigje: Nuk ka dyshim se muaji i Ramazanit është muaj i faljes, mëshirës dhe muaj i shpëtimit nga zjarri i xhehenemit. Prandaj është obligim i mislimanëve që këtë muaj ta kalojnë me pendim të sinqertë dhe kërkim-falje, ta kalojnë me gëzim dhe lumturi për këtë mundësi që po iu jepet. Këtë muaj besimtari duhet ta kaloj sa më shumë në adhurim, në përmendje të Allahut, në lexim të Kuranit, namaz të teravive dhe namaz të natës, në dhjetë ditët e fundit të bëjnë sa më shumë vepra të mira vullnetare. Kush ka mundësi që të bëj i’tikaf, pra në dhjetë ditët e fundit atëherë le të bëj ngase kjo është vepër shumë me vlerë, është Sunnet profetik. Kjo është çfarë besimtari duhet të bëj në Ramazan. Kjo është një mundësi, besimtari nuk guxon ta kaloj kohën kot apo ta kaloj në mëkat.
Është obligim që sidomos Ramazani të mbetet larg këtyre filmave, serialeve e skeqeve humoristike të cilat e bëjnë besimtarin të merret me to e të lë anash përmendjen e Allahut dhe në të njëjtën kohë të merret me mëkate.
Programet e tilla televizive nuk mendoj se janë diç tjetër veçse programim nga njerëzit e shthurur apo kufarë, të cilët duan që muslimanët të merren me diç tjetër apo që ata të mos kenë qasje nga mirësitë e këtij muaji, duke u përgatitur atyre emisione të tilla të kota. Prandaj them se është obligim i çdo muslimani që të mos i shikoj këto seriale, filma e humore jo vetëm gjatë Ramazanit. Muslimani duhet të merret me diçka që atij i bën dobi në çështje të fesë apo në çështje të dunjasë. Kurse në Ramazan në veçanti, besimtari duhet të ketë kujdes të shtuar e të ruhet nga këto gjëra, e të shtoj veprime sa më shumë të mira, të dëgjoj ligjërata të dobishme, këshilla dhe përkujtime.
Përgjegjësit për programet fetare duhet të kenë kujdes të madh në atë se çka po u servojnë njerëzve, e të mos ndikohen nga emisionet e kota, të pavlera, të padobishme të cilat i përgatisin njerëzit që duan të keqen. Programet Islame nuk duhet të ndikohen nga të tjerët të cilët nuk respektojnë Islamin dhe kohët e adhurimeve.
Gjithashtu besimtari nuk duhet të qëndroj pa gjumë gjatë natës e të kalojnë kohën siç ua kërkon nefsi; kjo është e dëmshme për të, sprovë dhe e keqe. Këtë gjë duhet tua përcillni familjeve tuaja, fëmijëve dhe grave tuaja. Kalojeni kohën në gjëra që u sjellin shpërblime e jo në gjëra të kota.