Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Sikur ta dija të padukshmen…

Imam Muhamed bin Ali Esh-Sheukani (v. 1250)
Fet’h-ul-Kadir (2/399)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Allahu -azze ue xhel- ka thënë:

Thuaj: “Unë nuk mund t’i sjell vetes as dobi, as dëm, përveçse aq sa dëshiron Allahu. Sikur ta dija të padukshmen do t’i shumoja të mirat dhe nuk do të më prekte asnjë e keqe. Unë jam vetëm paralajmërues dhe sjellës i lajmeve të mira për njerëzit që besojnë.” El-A’raf, 7:188

Ky ajet thekson edhe më tej të mëparshmin duke sqaruar se profeti ﷺ nuk kishte dije se kur do të ndodh dita e gjykimit. Sepse nëse ai nuk ishte në gjendje t’i sillte vetes dobi apo ta largonte dëmin, përveç asaj që Allahu dëshironte për të, atëherë është edhe më e pamundur që ai të kishte njohuri për çështjet që vetëm Allahu i di.

Fakti se ai ﷺ tregoi robëri dhe pranoi pafuqinë e tij përballë asaj që nuk i përkiste robërve, si dhe dobësinë përballë asaj që nuk i takonte atij, ky është paralajmërimi më i madh dhe qortimi më i qartë për këdo që pretendon diçka pa të drejtë dhe pohon se posedon njohuri rreth gajbit (së fshehtës) përmes astrologjisë, vizatimit të vijave në rërë, hedhjes së gurëve apo duke frikësuar shpendët.”

Më pas, këtë realitet ai ﷺ e theksoi dhe vërtetoi dhe tha:

“Sikur ta dija të padukshmen, do t’i shumoja të mirat.”

Kjo do të thotë se po të kisha njohuri për të fshehtën, do t’i kisha siguruar vetes të mirat dhe do të mbrohesha nga e keqja që ajo fsheh. Por unë jam vetëm një rob që nuk e di se çfarë ka tek Zoti im ose çfarë Ai ka caktuar dhe vendosur për mua. Si mund të di atëherë ndonjë gjë tjetër dhe të më besohet njohuria për të?

Shpërndaje: