Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Stërvite nefsin tënd!

Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)

Burimi: https://youtu.be/PsAqhibQ424

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Është detyrë mbi ty o rob i Allahut që të luftosh kundër nefsit tënd, të punosh jashtëzakonisht shumë për këtë në mënyrë që nefsi yt të mësohet me bindjen ndaj Allahut dhe me bindjen ndaj të dërguarit të Tij, të mësohet që të qëndrojë larg ndalesave të Allahut sepse nefsi vepron në bazë të asaj që është mësuar dhe i është bërë zakon.

Nëse e mëson nefsin tënd me gjynahe, me dembelizëm në adhurim, e meson në të qenurit neglizhent ndaj urdhërave të Allahut, atëherë nefsi yt do të kënaqet me këtë ndërkohë që do të jetë e vështirë për nefsin kryerja e atyre gjërave me të cilën Allahu është i kënaqur.

Nëse e mëson nefsin tënd të punojë drejt të mirës dhe të nxitojë në kryerjen e veprave në bindje ndaj Allahut dhe të qëndrojë larg gjynaheve atëherë ai do të kënaqet me këtë dhe suksesi është në dorën e Allahut (xhele ue ala). Por ti je urdhëruar që të veprosh shkaqet e nevojshme. Po ashtu o ti motër, je urdhëruar që të veprosh shkaqet e nevojshme.

Një nga selefët u pyet për përpjekjet dhe lodhjen që duhet bërë kundër nefsit, kështu që ai tha: ” Rehatinë e nefsit dua të arrij.”

Disa prej selefëve tanë të devotshëm bënin adhurime të shumta prej veprave të mira si namazi, agjërimi dhe haxhi, dhe tjera përveç këtyre.

Kështu që dikush prej shokëve të tij i tha : ”A nuk je duke e lodhur nefsin?”

Ai tha: ” Rehatinë e nefsit dua të arrij.”

Nëse sot besimtari lufton kundër nefsit të tij, këtë e bën që të arrijë rehatinë në botën tjetër, që të shpëtojë nga dënimi i Allahut, të arrijë mirësitë e pafunda në ditën e gjykimit, në vendbanimin fisnik, vendbanimin e lumturisë dhe gëzimit.

Do t’u thuhet (banorëve të xhenetit) në ditën e gjykimit:

”O banorë të xhenetit, për ju është mirëqenia e përjetshme dhe nuk do të sëmureni kurrë!”

”Dhe për ju është jeta e përjetshme dhe nuk do të vdisni kurrë!”

”Dhe për ju është rinia e përhershme dhe nuk do të plakeni kurrë.”

”Dhe për ju janë mirësitë e pafunda dhe nuk do të pikëlloheni kurrë!”

Ndërsa për sa i përket kësaj bote atëherë jeta në këtë botë është plot ndryshime, me shqetësime, sëmundje dhe pikëllime. Edhe nëse dikush ka kaluar një jetë të gjatë në mirëqenie të plotë, vdekja do të jetë destinacioni i tij. Nuk ka dyshim në lidhje me vdekjen!

”Secili njeri do të shijojë vdekjen.” 3:185

Kështu që kur destinacioni i fundit i kësaj bote është vdekja, atëherë ajo është e pavlerë.

Dhe nga shkaqet më të mëdha për të patur frikën ndaj Allahut dhe për ta madhëruar Atë është të meditosh për Kuranin, ta lexosh sa më shumë atë dhe të mendosh për udhëtimin pas vdekjes.

Çfarë do të ndodhë (me ty) pas vdekjes? Dhe të mendosh për varrin. A do të jetë një kopsht nga kopshtet e xhenetit apo një gropë nga gropat e zjarrit?

Pastaj të mendosh për atë që vjen më pas, për ringjalljen dhe grumbullimin e njerëzve (në ditën e gjykimit).

A do jesh nga banorët e xhenetit apo do jesh nga banorët e zjarrit të xhehenemit?

Të medituarit dhe të kushtuarit rëndësi të madhe kësaj çështjeje është nga shkaqet e të paturit frikë ndaj Allahut, e madhërimit të Tij dhe e arritjes së kënaqësisë së Allahut.

Shpërndaje: