Shejkhul Islam Ahmed bin Tejmijeh (v. 728)
Er-Red ala esh-Shadhili, fq. 156-157
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Një herë një nga klerikët e sufive u ul me mua dhe më kërkoi një gjë. Dëshiroja që ai të shprehte besimin e tij në mënyrë që të pranishmit ta dëgjonin drejtpërdrejt nga ai, sepse disa njerëz e mohojnë ekzistencën e këtyre njerëzve, megjithëse janë të shumtë në numër, sepse besimi i tyre është jashtëzakonisht i pakuptueshëm. Ai më kërkoi një monedhë argjendi dhe unë i thashë: “Kush është kërkuesi?”
Ai tha: “Allahu.”
E pyeta: “Kujt po i kërkohet?”
Ai tha: “Allahut.”
I thashë: “Po monedha e argjendit kush është?”
Ai tha: “Allahu.”
Ishin disa pula dhe thika aty pranë, kështu që pyeta: “Kush janë pulat dhe thikat?”
Ai u përgjigj: “Allah”. Pastaj tha: “Jam i sëmurë. Më jep diçka.”
E pyeta: “A është dhënësi i njëjtë me marrësin apo jo? Kush është ai që do të japë?”
Unë fola në të njëjtën mënyrë për të sqaruar paradoksin e besimit të tyre në mënyrë që ai të shihte se sa i keq është besimi i tyre. Pastaj kërkova prej tij që të pendohet dhe ai u acarua, shikoi drejt qiellit dhe tha: “O Allah!”
I thashë: “Drejt kujt po shikon lartë? Sipas hulumtuesve tuaj, nuk ka asgjë atje lart.”
Pastaj tha: “I kërkoj falje Allahut; bëra gabim.”
Natyrshmëria e tij pranoi lartësinë e Allahut, ndërsa besimi i tij e urdhëroi atë të mohonte çdo lloj ekzistence mbi krijimin. Ai ishte i hutuar mes natyrshmërisë së tij me të cilën ishte krijuar dhe besimit të tij që e merrte nga klerikët e tij.