Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Burimi: Likaul-Babil-Meftuh (67 A)
Përgatiti: www.perlatmuslimane.com
Pyetje: “Ne iu drejtohemi me këtë pyetje që ka të bëjë me një person i cili konsiderohet të jetë prej dijetarëve dhe veprimtarëve të njohur, i dëshmuar për të mirë dhe gjithashtu edhe për mundin e tij në davet, e ai është Shejkhu ynë fisnik Abdurr-Rrahman bin Abdil-Khalik. Ne dëshirojmë që sipas mundësive tuaja të flisni në lidhje me këtë Shejkh, që të kuptojmë detyrat tona ndaj tij! Allahu iu shpërbleftë me të mira!”
Përgjigje: “Nuk kisha dashur që në këtë takim të flasim për individë të caktuar, mirëpo themi se çdo njëri që ka zë vend të rëndësishëm në ummetin Islam, që nga fillimi deri në fund, pa dyshim se ai duhet vlerësuar për të mirat që ka bërë. Por, sado që njeriu të ketë dituri e devotshmëri, ai nuk mund të jetë pa gabime. Kjo ose për shkak të injorancës, neglizhencës apo diçkaje tjetër. Thotë Imam Ibnu Rexhebi (Allahu e mëshiroftë!) në hyrje e librit të tij ‘el-Kauaid’: “I drejtë është ai që fsheh gabimet e pakta të një personi përballë të mirave të shumta që ai ka.” Nuk ka asnjë person i cili e përmend gjënë e keqe të dikujt dhe neglizhon veprat e mira të tij, përveçse ai i ngjason grave. Nëse ti je i mirë ndaj gruas tënde gjatë tërë jetës, e pastaj ajo e ndeshet me një të keqe tek ti, ajo të thotë: “Unë kurrë nuk kam parë asgjë të mirë nga ti.” Asnjë burrë nuk dëshiron të jetë shembull i tillë, domethënë të jetë sikurse gratë të cilat jepen pas një gabimi duke harruar të gjithë anën tjetër të mirë.
Ky është parim që unë gjithnjë i përmbahem, e kam fjalën për atë që ne nuk flasim për individë të caktuar në mësimet, në ligjëratat, e as në pyetjet që na parashtrohen. Lus Allahun që të mbetemi gjithnjë kështu, ngase të folurit për një individ të caktuar mund të shpie në grupime dhe fanatizëm mes njerëzve. Është e detyrueshme që problemet t’i përshkruajmë përmes cilësive që posedojnë, e jo të kapemi për njerëz të caktuar, për shembull: duhet thënë se ‘kush e bën këtë dhe këtë vepër, ai e meriton këtë dhe këtë’, pavarësisht nëse kjo ka të bëjë me veprime të mira apo të këqija. Kur ne duam të tregojmë për vlerat e një personi, duhet të përmendim të mirat dhe të këqijat e tij, sepse kjo është peshoja e drejtësisë; e kur duam të paralajmërojmë për gabimin e një personi, ne përmendim vetëm gabimin e tij, sepse këtu kemi të bëjmë me paralajmërim. Gjatë paralajmërimit nuk është urtësi që të përmendësh të mirat e personit. Nëse ti përmend të mirat e tij, dëgjuesit hutohen. Andaj, çdo gjë varet nga vetë situata. Çdokush që dëshiron ta vlerësojë dikë, duhet të përmend të mirat dhe të këqijat e tij- nëse kjo do ishte e nevojshme- përndryshe më mirë është që t’i fshehësh të këqijat e myslimanit. Ndërsa, ai që dëshiron të paralajmërojë ndaj një gabimi, ai e përmend gabimin. Nëse ka mundësi të mos e përmend emrin e tij, kjo është edhe më mirë sepse qëllimi kryesor është udhëzimi i njerëzve.”