Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Burimi: Të drejtat për të cilat njerëzit janë në nevojë dhe të cilat islami i konfirmuar, fq. 12-15.”
Përgatiti: www.perlatmuslimane.com
Absolutisht askush nuk mund të mohojë mirësitë e prindërve ndaj fëmijëve të tyre. Edhe pse Zoti është shkaku kryesor i ekzistencës së njeriut, natyrisht prindërit janë ata që, në mënyrë të drejtpërdrejtë kryejnë rol të rëndësishëm për ardhjen e fëmijës në jetë.
Prandaj, prindërit gëzojnë të drejta kaq të mëdha tek fëmijët e tyre. Ata e edukojnë atë, e mbikëqyrin kur ai është në gjumë gjatë natës dhe përkujdesen për të kur është i vogël. Nëna e ka vuajtur nëntë muaj, duke e bartur atë në barkun e saj dhe fëmija ka jetuar nga të ushqyerit e saj.
Thotë Allahu në Kuran:
”Nëna e bartë atë, mundim pas mundimi…” (31: 14)
Pas kësaj, kujdesi dhe të ushqyerit e fëmijës për dy vjet, pra gjatë gjithë kësaj periudhe kur fëmija është krejtësisht i varur nga nëna me gjithë atë që sjell kujdesi ndaj fëmijës si lodhja, mundimet e vështirësitë e ndryshme.
Babai, gjithashtu angazhohet në mënyrë që të siguroj ushqim sa më të mirë për fëmijën e tij, që nga mosha fëmijërore, e deri kur ai të ketë mundësi të mbaj veten.
Ai lufton me edukimin dhe udhëzimin e tyre, pasi që ata kanë nevojë për një gjë të tillë. Prandaj, Allahu na ka urdhëruar që të sillemi mirë me prindërit me respekt dhe mirënjohje, Allahu i Lartësuar thotë:
”Ne e kemi urdhëruar njeriun për (sjellje të mira ndaj) prindit të vet. Nëna e mbartë atë, mundim pas mundimi, dhe pas dy viteve ajo e ndanë atë nga gjiri. Ne i thamë atij: “Bëhu falënderues ndaj Meje dhe prindërve të tu! Dhe se tek Unë të gjithë do të ktheheni.” 31:14
”Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mirë me prindërit. Nëse njërin prej tyre, ose që të dy, i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as ‘oh’, mos u bë i vrazhdë ndaj tyre, po atyre thuaju fjalë respekti. Dhe në shenjë mëshire shtrije pranë tyre krahun përulës e respektues dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!” 17: 23-24
S’ka dyshim se është e drejta e prindërve që të trajtohen bujarisht dhe mirë përmes veprave të mira dhe t’i ndihmosh ata financiarisht dhe fizikisht. E ke obligim t’i bindesh atyre në atë që nuk është mëkat, të kujdesesh për ta, t’u ndihmosh ata në nevojat e tyre dhe të mos ndjehesh i rënduar kur ata të moshohen, të sëmuren dhe të dobësohen nga pleqëria. Të mos ua vështirësosh atyre gjërat, pasi që edhe ti do të vish në gjendjen e tyre d.m.th. do të bëhesh prind dhe do të plakesh nëse Allahu e ka caktuar një gjë të tillë!
Do kesh nevojë dhe do të dëshirosh që fëmijët e tu të jenë të bindur ndaj teje, e të respektojnë ashtu siç i ke trajtuar edhe ti prindërit tuaj. Prandaj, në qoftë se i mbani lidhjet e mira me prindërit tuaj, do të merrni shpërblime të mëdha tek Allahu, dhe do t’u kthehet me mirësi edhe në dynja. Kur ti i ruan marrëdhëniet e mira me prindërit tuaj, do të kesh fëmijë të cilët i ruajnë marrëdhëniet e mira me ty. Nuk do të ketë shpërblimi tjetër për atë që bënë mirë, përveç se mirësisë!
Në disa vende në Kuran, e gjejmë urdhrin për ta adhuruar Allahun, të shoqëruar nga urdhri për të nderuar dhe respektuar prindërit.
Thotë Allahu i Madhëruar:
”Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë në adhurim, silluni mirë me prindërit…” 4: 36
”Bëhu falënderues ndaj Meje dhe prindërve të tu!” 31: 14
Profeti (sal Allahu alejhi ue selem) i jep përparësi kujdesit ndaj prindërve, përpara Xhihadit për në rrugën e Allahut.
Është transmetuar nga Ibn Mesudi (radija Allahu anhu) se, e kishte pyetur Profetin (sal Allahu alejhi ue selem):
“Cila është vepra më e mirë tek Allahu?”
Profeti (sal Allahu alejhi ue selem) u përgjigj: “Falja e namazit të në kohën e vet.”
Ai e pyeti: “Pastaj çfarë?”
Profeti (sal Allahu alejhi ue selem) u përgjigj: “Sillu mirë ndaj prindërve.”
Ai pyeti: “Pastaj çfarë ?”
Profeti (sal Allahua alejhi ue selem) u përgjigj: “Xhihadi për hir të Allahut”
[Buhariu dhe Muslimi]
Kjo tregon rëndësinë e të drejtave të prindërve që shumë njerëz janë të pakujdesshëm në këtë, e në vend të kësaj, ata sillen keq ndaj tyre e disa edhe i shkëputin raportet me ta. Mund të gjeni disa myslimanë, të cilët nuk i respektojnë as nënë e as babanë, ndoshta edhe i përbuzin dhe janë arrogantë me të madhe ndaj tyre. Herët apo vonë, ata do të shohin ata çfarë kanë vepruar.