Imam Muhammed Nasir-ud-Din el-Albani (v. 1420)
Burimi: Silsilah el-Ahadith es-Sahihah (7/1/114-115)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Shejkhul-Islam Ibnu Tejmijeh ka thënë:
“Nuk lejohet të bëhet tekfir mbi secilin që kundërshton Sunnetin. Të gjithë që gabojnë nuk janë kufarë, sidomos jo në çështjet ku ka mospajtim të madh në umet.”1
Ai ka për qëllim çështjet sikurse se fjala e Allahut nuk është e krijuar, shikimi në Allahun në Ditën e Gjykimit, ngritja e Allahut mbi arsh dhe lartësimi mbi krijesat. Të gjitha këto janë të detyrueshme të besohen dhe është mosbesim të mohohen. Megjithatë, nuk lejohet bërja tekfir mbi ta Mutezilitë, Khauarixhët dhe Esharitë që i keqinterpretojnë ato, për shkak të dyshimeve. Vetëm kur ti arrijë e vërteta dhe i përmbahen të kotës me këmbëngulje, atëherë lejohet bërja tekfir.
Njeriu i cili kërkoi ti digjej trupi i tij është një shembull i kësaj. Ai dyshoi në aftësinë dhe fuqinë e Allahut për ta ringjallur atë. Megjithatë, Allahu e fali atë. Sepse ai nuk mohoi me këmbëngulje. Ai besoi në Allahun dhe Ringjalljen në përgjithësi, por jo disa nga detajet për të cilat ai ishte i paditur. Pasi që Shejkh-ul-Islami kishte thënë se kjo ishte transmetuar në shumë rrugë, ai tha:
“Këtu janë dy parime të mëdha:
1 – Besimi se Allahu mund të bëjë gjithçka.
2 – Besimi se Allahu e bën të vdekurin të ringjallët dhe ta shpërblejë atë për veprimet e tij.
Pasi që ai besonte në Allahun dhe në Ditën e Gjykimit në përgjithësi, e dinte se Allahu shpërblen dhe ndëshkon njerëzit pas vdekjes, dhe bëri ndonjë vepër të mirë, sepse kishte frikë prej Allahut për mëkatet e tij, Allahu e fali atë për shkak të besimit të tij në Allahun dhe në Ditën e Gjykimit dhe veprime të mira.”2
Prandaj, unë i këshilloj të rinjtë që të mos bëjnë tebdi dhe tekfir mbi dijetarët dhe në vend të kësaj ata të vazhdojnë të kërkojnë dije për tu ngritur. Ata nuk duhet të mashtrohen nga vetja. Ata duhet të njohin të drejtën e dijetarëve dhe përparësitë e tyre, sidomos ata që ndoqën metodologjinë e Selefëve si Shejkh-ul-Islam Ibnu Tejmijeh dhe nxënësi i tij Ibn Kajim-ul-Xheuzijeh. I këshilloj ata që të lexojnë “Mexhmu-ul-Fataua” që është plotë dituri, sidomos pjesa që ka të bëjë me tekfirin, ku ai bën dallimin në mes tekfirit të përgjithshëm dhe tekfirit specifik. Ai tha për njerëzit që u ngjajnë këtyre të rinjve:
“Ata nuk kanë menduar se tekfiri ka kushte që duhet të përmbushen dhe pengesat që e mbrojnë individin nga tekfiri dhe se tekfiri i pakufizuar nuk nënkupton tekfirin specifik mbi një individ të caktuar. Vetëm kur të plotësohen kushtet dhe pengesat të jenë mënjanuar, atëherë lejohet bërja tekfir mbi një individ. Këtë e sqaroi Imam Ahmedi. Shumica e imamëve që shpallën tekfir të përgjithshëm nuk bën tekfir specifik mbi shumicën që ranë në këtë gabim.”
Do të thotë ata që thanë se Kurani është i krijuar, se Allahu nuk do të shihet në Ditën e Gjykimit dhe të ngjashme.
1 Mexhmu-ul-Fataua (16/343).
2 Mexhmu-ul-Fataua (12/491)..