Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Burimi: Tefsiri i Sures En-Nisa (ajeti nr 11), kaseta nr 4
www.perlatmuslimane.com
Testamenti në origjinë përkufizohet si një akt apo një urdhër i rëndësishëm që duhet zbatuar, ndërsa në terminologjinë fetare përkufizohet si urdhër për dhurimin e një pasurie të caktuar pas vdekjes së atij që e lë testamentin, ose mund të përfshijë një urdhër që dikush duhet ta zbatojë pas vdekjes së atij që e lë testamentin.
Pra testamenti nënkupton ose dhurimin e një pasurie të caktuar ose një urdhër që dikush duhet ta zbatojë (pas vdekjes së atij që lë e testamentin). Nëse dikush i lë testament dikujt që të përkujdeset për fëmijët e tij të vegjël, ky lloj testamenti është i llojit të parë apo i llojit të dytë?
Është i llojit të dytë. Dhe nëse lë testament duke ngarkuar dikë që 100 dirhem t’i jepen filanit, ky testament hyn tek lloji i parë. Ky është dhurimi i një pasurie (pas vdekjes së atij që e lë testamentin) dhe këtë ka për qëllim ajeti kuranor. Pra dhurimin e një pasurie të caktuar pas vdekjes së atij që e lë testamentin. Dhe fjala e Allahut azze ue xhel:
من بعد وصية
“Pas lënies së testamentit.” En-Nisa, 4:11
këtu sasia e kësaj pasurie që do të lihet si testament është e pakufizuar, porse sunneti tregon që sasia e pasurisë që do të lihet si testament nuk duhet të jetë më shumë se një e treta, për shkak të hadithit të transmetuar nga S’ad ibn ebi Uekas radijAllahu anhu se kur i dërguari i Allahut ﷺ e vizitoi atë në Mekë dhe S’adi (që ishte në agoninë e vdekjes) i tha atij:
”Unë kam shumë pasuri dhe si trashëgimtar kam vetëm vajzën time, a të jap lëmoshë (duke e lënë me testament) dy të tretat e pasurisë time?
I dërguari i Allahut ﷺ i tha: ”Jo.”
S’adi i tha: “Të jap gjysmën e pasurisë?”
I dërguari i Allahut ﷺ i tha: ”Jo.”
Pastaj S’adi i tha: “Të jap një të tretën?”
I dërguari i Allahut ﷺ i tha: ”Jep një të tretën dhe një e treta është shumë. Që t’i lësh trashëgimtarët e tu të pasur është më mirë sesa t’i lësh të varfër dhe t’u kërkojnë njerëzve.” (Bukhari, Muslimi, Ebu Daudi, etj).