Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Teuhidi-Rububije

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (vdiq. 1421)

Burimi: Komentimi i bazave të besimit, faqe 17-19

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Kjo nënkupton besimin se, Allahu është Zoti i Vetëm, pa ndonjë rival apo ndihmës.

Zot është: “Ai që krijon, posedon pushtet dhe kontroll ndaj çdo gjëje.” Pra nuk ka krijues pos Allahut, nuk ka Zot përveç Allahut dhe nuk ekziston askush që ka kontroll të plotë dhe gjithëpërfshirës përveç Allahut.

Thotë Allahu i Lartësuar:

”Vetëm Atij i përket krijimi dhe sundimi.” 7:54

”Ky është Allahu, Zoti juaj. Pushteti është vetëm i Tij! Kurse ata që ju i adhuroni krahas Tij, nuk zotërojnë as sa cipa e bërthamës së hurmës.” 35:13

Askush nuk mohon Rububijetin e Allahut!

Nuk dihet që ndokush prej njerëzve e mohon Rububijetin e Tij, përveç ata të cilët janë arrogant; e as ata nuk u besojnë pretendimeve të tyre. Siç ishte rasti me Faraonin kur ai i tha popullit të vet:

“Unë jam zoti juaj më i lartë!” 79:24

E gjithashtu tha:

“O ju pari, unë nuk njoh ndonjë zot tjetër për ju pos meje!” 28:38

Kjo thënie nuk ishte besimi i tij i vërtetë. Thotë Allahu i Lartësuar:

”Edhe pse ishin të bindur në to (argumentet Tona), ata i mohuan padrejtësisht dhe me mendjemadhësi.” Dhe ata i përgënjeshtruan ajetet Tona padrejtësisht dhe me mospërfillje edhe pse vetë në veten e tyre ishin të bindur për to.”  27:14

Kurse Musa (alejhis-selam) ia kishte thënë Faraonit:

“Ti e di se ato (mrekullitë) nuk i zbriti kush tjetër pos Zotit të qiejve e të tokës si dëshmi e qartë. Dhe unë mendoj se ti o Faraon je i shkatërruar.” 17:102

Për këtë shkak themi se edhe idhujtarët besonin se Allahu është i Vetmi Krijues edhe pse ata i bënin Allahut shok në adhurim (në Teuhid Uluhijeh).

Thotë Allahu në Kur’an:

Thuaj: “E kujt është Toka dhe gjithçka që gjendet në të, nëse e dini? Ata do të thonë: ‘E Allahut!’ E ti thuaju: ‘Vallë, përse pra nuk mendoni?’ Thuaj: ‘Kush është Zoti i shtatë qiejve dhe Zoti i Arshit Madhështor?’ Ata do të thonë: ‘Allahu!’ E ti thuaju: ‘Vallë, a nuk keni frikë?’ Thuaj: ‘Kush është Ai që ka në dorë pushtet mbi çdo gjë, i Cili mbron (kë të dojë), e prej Tij nuk mund të mbrohet askush, nëse jeni ata që e dini?’ Ata do të thonë: ‘Në dorë të Allahut!’ Thuaj: ‘E si mashtroheni pra?” 23:84-89

Dhe gjithashtu thotë:

“Nëse ti i pyet ata: ‘Kush i krijoi qiejt e tokën?´ Me siguri do të thonë: ‘Ato i krijoi i Gjithëfuqishmi, i Dijshmi!” 43:9

Dhe Ai ka thënë:

”Nëse i pyet ata se kush i ka krijuar? Me siguri që ata do të thonë: ‘Allahu!’ Atëherë, përse largohen prej Tij?!” 43:87

Allahu, Ai që është i pastër nga çdo e metë, dhe ka kontroll të plotë mbi gjithçka. Urdhëri i Tij përfshin mirëmbajtjen e krijimit dhe renditjen e ligjit të krijesave. Allahu është Mbikëqyrësi dhe Ai që udhëheqë mbi universin siç dëshiron Ai, me Urtësinë e Tij të pagabueshme vë rregullat për të. Gjithashtu, Ai që i cakton format e ndryshme të adhurimit dhe rregullat që kanë të bëjnë me marrëdhëniet shoqërore. Si rezultat i kësaj, kushdo që e konsideron si ligjvënës dikë tjetër me Allahun në çështje të adhurimit apo gjykues në marrëdhëniet shoqërore, vetëm se i ka bërë shirk Atij dhe nuk e ka besuar Atë siç duhet.

Shpërndaje: