“Kush është duke thënë diçka dhe dikush teshtin, ajo që ai ka thënë është e vërtetë.”
Hadithi nr 136, hadith batil (i pavërtetë)Hadith batil (i pavërtetë). E ka transmetuar Temami në “Feuaid”, Tirmidhi el-Hakim, Ebu Ja’la, Tabarani në “ Eusat” dhe ibn Shahini nëpërmjet zinxhirit të transmetimit nga Bakijetu, nga Muauijeh ibn Jahja, nga Ebi Zinad, nga el-Araxh dhe ky nga Ebu Hurejra, nga i dërguari i Allahut (ﷺ). Ibnul Xheuzi e paraqiti në “Meuduat- hadithet e shpikura”, vëll3/77, nëpërmjet zinxhirit të transmetimit nga Ibn Shahini dhe më pas tha:” Hadith batil, është veçuar me këtë transmetim Muauijeh dhe si transmetues ai nuk është asgjë. E ka pasuar Muauijen në këtë transmetim, Abdullah (ibn Xhafer el Medini ebu Ali) nga Ebi Zinad ndërkohë që Abdullahu është transmetues metruk (i braktisur-transmetimet e tij janë të braktisura).”
Dhe ka thënë Ibnu Ebi Hatim në “Ilel” vëll 2/342: ”E pyeta babain tim në lidhje me hadithin e transmetuar nga Daud ibn Rashid, nga Bakijetu, nga Muauijeh ibn Jahja, nga Ebi Zinadi…nga i dërguari i Allahut(ﷺ): “Kush është duke thënë diçka dhe dikush teshtin, ajo që ai ka thënë është e vërtetë.”, dhe ai më tha: ”Ky hadith është gënjeshtër.”