“Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë Mua.” [Edh-Dharijat 51:56]

Thënie nga katër imamët rreth Taklidit (pasimi i verbër)

Imamët: Ebu Hanife, Maiku, Shafiu dhe Ahmedi 

Burimi: “Forma e Namazit” nga Imam Muhammed Nasirudin el-Albani 

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

1) Ka thënë Imami i Sunnetit Ahmed Ibn Hambel (Allahu e mëshiroftë!):

“Mos më paso mua me taklid (pasim të verbër pa argument)! Mos paso me taklid as Malikun, as Shafiun, mos paso me taklid as Euzain dhe as Sufjan eth-Theurin, por merr (dije) nga morën ata!”(Ibnul-Kajjimi në “El-I’lan” 2/302)

“Mendimi i Euzait, mendimi i Malikut ose mendimi i Ebu Hanifes, të gjitha këto mbeten mendime. Po ashtu, si ata ashtu edhe unë jap mendim, por argumenti gjendet tek etheret (Sunneti i të Dërguarit të Allahut).” (Ibn Abdul Berr në ‘El-Xhamiu’ 2/149)

“Kush e refuzon hadithin e të Dërguarit të Allahu (salAllahu alejhi ue selem), ai ndodhet në prag të shkatërrimit.” (Ibn El Xheuzij, fq.182)

2) Ka thënë Imam Shafiu (Allahu e mëshiroftë!):

“Nëse ajo çfarë kam thënë, bie në kundërshtim me atë që është saktësuar nga i Dërguari i Allahut( salAllahu alejhi ue selem), atëherë Hadithi i të Dërguarit të Allahut është para fjalës sime. Prandaj mos bëni taklid ndaj meje.” (Ibn Ebij Hatim faqe 93, Ebu Nu’ajm dhe Ibn Asaakir (15/9/2) me zinxhir të saktë transmetimi).

“Çdo hadith i të Dërguarit të Allahut (salAllahu alejhi ue selem) është gjithashtu edhe fjala ime (të cilën e pasoj), edhe pse mund të mos e dëgjoni prej meje hadithin.”(Ibn Ebi Hatim, fq.93-94)

“Nëse më shikoni të them një fjalë e cila është në kundërshtim me atë që është saktësuar nga i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem), atëherë dijeni se më ka ikur mendja (logjika).” (Ibn Ebij Hatim në ”Adab esh-Shafi’i” fq.93, Ebu El Kasim Es-semerkandij në ”el-Emalij”, Ebu Nu’ajm në: 9/106 “el-Hiljeh”, Ibn Asakir 15/10/1 me zinxhir të saktë)

“Çdo çështje në të cilën saktësohet lajmi për të Dërguarin e Allahut (salAllahu alejhi ue selam) nga dijetarët e transmetimeve (Ehlin-Nakl) dhe ajo e kundërshton atë çfarë kam thënë unë, atëherë unë kthehem nga ajo fjalë që kam thënë qoftë gjatë jetës sime ose pas vdekjes.” (El-Herauij 9/107, Ebu Nu’ajm në el-Hiljeh 147, Ibn Kajjim El Xheuzijj në I’lamul-Muuekki’in” 2/363)

“Ju jeni më të ditur se unë për hadithin dhe burrat e transmetimit (transmetuesit e hadithit), nëse hadithi është i saktë, atëherë ma mësoni atë hadith qoftë nëse vjen nga Kufa, Basra apo prej Shamit, që të punoj me të nëse ai është i saktë.”(Ibn Ebi Hatim në “Adab esh-Shafi’ij” 93-95, Ebu Nu’ajm në el-Hiljeh 9/106, El-Khatib në “El-Ihtixhaxh bish-Shafi’ij” 8/1, Ibn Abdul Berr tek: “ElItika” 75, etj…)

“Nëse do të gjeni në librin tim diçka që bie në kundërshtim me Sunnetin e të Dërguarit të Allahut (salAllahu alejhi ue selam), atëherë flisni sipas Sunnetit dhe braktiseni atë që kam thënë unë.”

Në një transmetim tjetër: “…atëherë pasoni Sunnetin dhe mos merrni për bazë fjalën e askujt tjetër.” (El Heruij në “Dhemmul-kelam” 3/47/1, El Khatijb në “el-ihtixhaxh bish-Shafi’ij” 8/2, Imam Neueuij në  “el-Mexhmu’ah” 1/63)

“Nuk ka asnjë që të mos i shpëtojë ndonjë Sunnet i të Dërguarit të Allahut (salAllahu alejhi ue selam) e që ai të mos e harrojë atë (t’i dalë nga mendja). Prandaj çfarëdo fjalë që them apo që e tregoj burimin e saj, nëse ajo bie në kundërshtim me atë që është i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selam), atëherë fjala që ka thënë i Dërguari i Allahut është edhe fjala ime.” (El-Hakim me zinxhir të pandërprerë deri tek Imam Shafiu)

“Muslimanët kanë rënë në unanimitet se atij të cilit i bëhet i qartë Sunneti i të Dërguarit të Allahut (salAllahu alejhi ue selam), nuk i lejohet që të ftojë tek fjala e askujt tjetër.” (Ibn Kajjim 2/361, El Fulanij 68)

“Nëse hadithi është i saktë, atëherë ai është medhhebi im.” (Esh-sha’ranij (1/57), El-Fulanij fq.107)

3) Imam Maliku (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë:

“Me të vërtetë që unë jam njëri, gaboj dhe ia qëlloj së vërtetës, prandaj shikoni mendimin tim, çdo gjë që përputhet me Librin e Allahut dhe me Sunnetin, merreni atë, ndërsa çfarë nuk përputhet me Librin e Allahut dhe me Sunnetin, lëreni atë.” (Ibn Abdul-Berr në ‘El-Xhami’ 2/32, Ibn Hazmi në “Usulul-ahkam” 6/149)

“Çdo njeriu pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut (salAllahu alejhi ue selem) i merret dhe i lihet fjala përveç fjalës së Profetit (salAllahu alejhi ue selem).” (Saktësoi Ibn abdul Hadij tek “Irshadus-salik” 227/1, Transmeton Ibn ‘Abdul-Berr tek: “El-Xhaami’” 2/91, Ibn Hazmi tek “Usuulul-Ahkam” 6/145-dhe 179)

4) Ka thënë Imam Ebu-Hanife (Allahu e mëshiroftë!):

“Nëse hadithi është i saktë, atëherë ky është medhhebi im.” (Ibn ‘Abidiin në “el-Hashijeh” 1/63)

“Nuk i lejohet askujt që të merr për bazë fjalën tonë, pa e ditur se ku e kemi marrë ne atë fjalë.” (Ibn Abdul Berr në “El-Intika fi fadailil-eimehtil-fukaha”, Ibn Kajjim tek I’lan 2/309)

“Nëse them një fjalë e cila e kundërshton Librin e Allahut të Lartësuar dhe Sunnetin e të Dërguarit (salAllahu alejhi ue selam), atëherë lëreni fjalën time.” (El-Fulanij në “El-Iikadh” 50)

“Është haram për atë njëri i cili nuk e di argumentin tim, të japë fetva (gjykim fetar) me fjalën time.”  Në një transmetim tjetër ka thënë: “Me të vërtetë ne jemi njerëz, e themi një fjalë sot dhe tërhiqemi nga ajo fjalë nesër.” (Shejkh Albani në Forma e namazit…” fq.42)

Në një rast nxënësit të tij i tha: “Mjerë për ty o Jakub! (Ebu Jusuf) Mos shkruaj çdo gjë që dëgjon prej meje. Me të vërtetë unë mund të kem një mendim sot dhe e lë atë nesër dhe mund të kem një mendim nesër dhe tërhiqem prej tij pasnesër.” (Shejkh Albani në Forma e namazit…” fq.42)

Shpërndaje: