Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Thirrja në Teuhid

Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan 
Përgatiti: www.perlatmuslimane.com

“Tema e kësaj ligjërate, ashtu sikurse edhe e dëgjuat është: ”Thirrja për në Teuhid dhe shigjetat që hedhin qëllim këqijtë.”

Teuhidi është të veçuarit e Allahut të Lartësuar me adhurim. Domethënë i Adhuruari të bëhet Një (njësim). Ky është Teuhidi-njësimi; ahade Teuhiden domethënë të njësuarit e të Adhuruarit. Kjo është arsyeja që Allahu krijoi krijesat e Tij. Pra, urtësia e krijimit për të cilën Allahu i Madhëruar i ka krijuar krijesat, xhinët dhe njerëzit është që t´i urdhërojë ata që ta adhurojnë Atë. Dobia e kësaj kthehet tek ata vetë (krijesat), ngase ata e adhurojnë Allahun Një e të Vetëm, atëherë kjo do t´i shpëtojë ata prej dënimit të Allahut dhe i futë ata në Xhennet si dhe kanë për të gjetur mirësi si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër. Pra, mirësia e adhurimit nuk është për Allahun, sepse Allahu është i panevojshëm prej tyre (krijesave) dhe prej adhurimit të tyre. Sikurse të gjithë krijesat të mohonin, kjo gjë nuk do i pakësonte gjë prej sundimit të Tij dhe sikur të besonin të gjithë, kjo gjë nuk do t´i shtonte asgjë sundimit të Tij. Musai عليه السلام ka thënë:

إِن تَكْفُرُواْ أَنتُمْ وَمَن فِي الأَرْضِ جَمِيعًا فَإِنَّ اللّهَ لَغَنِيٌّ حَمِيدٌ

“Nëse mohoni ju dhe të gjithë ata që janë në Tokë, (dijeni se) Allahu është vërtet i Vetëmjaftueshëm dhe plot lavdi.” 14:8

Allahu سبحانه و تعالى në hadithin kudsij thotë:

يا عبادي ، لو أن أولكم وآخركم وإنسكم وجنكم كانوا على أتقى قلب رجل واحد منكم ما زاد ذلك في ملكي شيئا ، يا عبادي لو أن أولكم وآخركم وإنسكم وجنكم كانوا على أفجر قلب رجل واحد ما نقص ذلك من ملكي شيئا

“O robërit e Mi, sikur i pari prej jush dhe i fundit prej jush nga xhinët dhe njerëzit të ishin të devotshëm sikurse zemra më e devotshme e ndonjërit prej jush, kjo nuk do i shtonte asgjë sundimit Tim. E sikur i pari prej jush dhe i fundit nga njerëzit dhe xhinët të ishin të prishur sikurse zemra më e prishur e ndonjërit prej jush, kjo gjë nuk do i pakësonte asgjë sundimit Tim.” Muslimi 2577

Allahu سبحانه është i panevojshëm për ne dhe për adhurimin tonë, por jemi ne ata që kemi nevojë për adhurimin e Allahut në mënyrë që të afrohemi tek Ai, të lidhemi me Zotin tonë të Lartësuar, ta njohim Atë si dhe të arrijmë lumturinë si në dynja ashtu edhe në botën tjetër. Allahu سبحانه و تعالى na ka urdhëruar që ta adhurojmë Atë ngase kjo është në dobinë tonë dhe për ta larguar prej nesh të keqen. Kjo është urtësia që Ai na ka urdhëruar që ta adhurojmë Atë. E kundërta e Teuhidit (njësimit) është shirku; shirku është të adhurosh tjetër kënd përveç Allahu. Pra, diçka prej llojeve të adhurimit t´i bësh për dikë tjetër pos Allahut të Lartësuar. Si për shembull: therja e kurbanit, en-nedhru (zotimet), duaja, kërkimi i ndihmës, frika, respekti, shpresa, etj. prej adhurimeve që janë vetëm për Allahun.

Shpërndaje: