Imam Ismail Ibn Kethir Ed-Dimeshkij (v. 774)
Tefsir El-Kuran El-Adhim (1/94-95)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Allahu -tebarek ue te ala- ka thënë:
“Ai është i Cili krijoi për ju gjithçka në tokë, pastaj u ngrit lart në qiell duke e bërë atë shtatë qiej. Ai është i Dijshëm për çdo gjë.” El-Bekare, 2:29
Muxhahid ka thënë: “Allahu e krijoi tokën para qiellit. Pasi e krijoi tokën, ajo nisi të tymonte. Kjo është ajo që përmendet tek fjala e Allahut:
”… pastaj u ngrit lart në qiell …”
Atëherë qielli ishte tym.”
”… duke e bërë atë shtatë qiej.”
Shtatë qiej njëri mbi tjetrin dhe shtatë tokë njëra mbi tjetrën.”
Ky ajet tregon qartë se toka është krijuar para qiellit, ashtu siç ka thënë Allahu -te ala-:
“Thuaj: “Vallë, a me të vërtetë ju e mohoni Atë, i cili e ka krijuar tokën në dy ditë dhe sajoni zota të barabartë me Atë?!” Ai është Zoti i botëve! Ai krijoi në tokë male të palëvizshme që ngrihen lart, e bekoi atë dhe përcaktoi në të furnizimin (për banorët) e saj me masë për katër ditë; ky është shpjegimi për të gjithë ata që pyesin. Pastaj u ngrit lart në qiell që ishte në gjendje mjegullie e i tha atij dhe tokës: “Ejani të dy me hir a me pahir!”. Ata u përgjigjën: “Erdhëm me gjithë dëshirë e të bindur!” Fusilet, 41:9-11
Këto dy ajete dëshmojnë se toka është krijuar para qiellit. Me aq sa di unë, dijetarët nuk kanë pasur kundërshtime në këtë çështje – përveç se Ibn Xheriri ka transmetuar se Katadeh ka thënë se qielli është krijuar para tokës.